Ndërlidhjet

Kosovës i duhet një legjislacion më fleksibil sa i përket tërheqjes së investimeve ndërkombëtare, por jo domosdoshmërish ligji për investime strategjike, ashtu siç ka paraparë Qeveria e Kosovës, vlerësojnë përfaqësues të shoqatave ekonomike, të cilat mbrojnë interesat e bizneseve, dhe njohës të çështjeve ekonomike.

Projektligji për investime strategjike në Kosovë ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës në dhjetor të vitit 2015, derisa nuk kishte arritur të kalojë në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të votave të deputetëve.

Si i tillë, ky projektligj nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës ishte konsideruar se do të ndihmonte në tërheqjen e investitorëve të huaj dhe rrjedhimisht do të kishte ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të vendit.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosovës i duhet një legjislacion që i mundëson investitorëve ndërkombëtarë të kenë komunikim të drejtpërdrejt me Qeverinë e Kosovës.

“Kosovës i duhet një legjislacion më fleksibil, jo domosdoshmërish një ligji i veçantë, siç është ligji për investime strategjike, por Kosovës i duhet një legjislacion që mundëson një komunikim direket në mes investitorëve dhe Qeverisë së Kosovës.”

“Kjo çështje ka mundur të zgjidhet shumë lehtë me disa ndryshime të ligjit aktual të investimeve të huaja. Është rasti i Serbisë, e cila ka vetëm një Ligj për investime dhe në kuadër të këtij ligji ka disa dispozita të caktuara për investime të veçanta”, thekson Zeka.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë institucionet kosovare krijuan mekanizma ligjorë dhe agjenci për promovimin e investimeve, ndërsa u organizuan konferenca të ndryshme ku u bëhej thirrje kompanive ndërkombëtare që të investojnë në Kosovë.

Të hyrat vjetore mesatare të investimeve të huaja, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë periudhës 2009-2013, kanë qenë 400 milionë euro, por, ato shënuan rënie në vitin 2014, dhe atë në vetëm 151 milionë euro. Derisa, në vitin 2015 investimet e huaja kanë qenë rreth 320 milionë euro.

Për të rritur shumën e këtyre investimeve, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, kishte deklaruar se Kosovës i duhet ligji për investime strategjike.

Ajo e kishte konsideruar si dëm të madh për ekonominë e vendit mos miratimin e Ligjit për investime strategjike në Kuvendin e Kosovës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministrja Bajrami pati deklaruar se Qeverisë së Kosovës duhet t’i mundësohet komunikimi i drejtpërdrejt me investitorët potencial.

“Ne nuk mundemi sot t’ju themi investitorëve ‘nëse ju doni të investoni në Kosovë duhet të konkurroni më të gjithë të tjerët’. Sot investitorët nuk konkurrojnë për me ardhë në Kosovë. Ne nuk kemi 10 investitorë të cilët dëshirojnë të privatizojnë një fabrikë, ne sot kemi dhjetëra vende të cilat konkurrojnë mes vete se cila i ofron kushte më të mira një investitori”, pati deklaruar Bajrami.

Ligji për investime të huaja, i cili nuk parasheh që Qeveria e Kosovës të negociojë për investime në Kosovë drejtpërdrejtë me investitorët potencial, edhe sipas Arian Zeka nga OEAK, paraqet një problem në tërheqjen e investitorëve të mëdhenj në Kosovë.

“Pa një komunikim fleksibil ndërmjet qeverisë dhe investitorëve, gjasat do të jenë më të vogla që Kosova të jete më atraktive për investitorët serioz . Kompanitë e mëdha botërore ngurojnë të shpenzojnë kohën e tyre në procedurat burokratike të cilat parashihen me legjislacionin aktual të Kosovës”, thekson Zeka.

Megjithatë, për ekspertët të fushës ekonomisë, Kosova nuk ka nevojë për një ligj të veçantë për tërheqjen e investimeve strategjike, por Kosova ka nevojë për përmirësimin e politikave fiskale.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, i ka thanë Radios Evropa e Lirë se Kosova duhet të ketë norma të arsyeshme të tatimeve në përgjithësi, pastaj duhet të ketë siguri dhe stabilitet makroekonomik.

“Mbi të gjitha duhet të luftohet ekonomia jo formale, e cila e pengon investitorin e huaj, pasi që ekonomiajoformale çrregullon tregun e brendshëm si dhe duhet të luftohet korrupsioni, i cili paraqet një prej fajtorëve kyç që largon investitorët e huaj. Kjo është arsyeja që investimet e huaja kanë shënuar rënie”, thotë profesor Limani.

Ndryshe, në raportet ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të Transparency International, që masin perceptimet e qytetarëve, Kosova vlerësohet me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon.

Raporti i progresit i Komisionit Evropian për Kosovën ka adresuar qartë kërkesën për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë. (REL)

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG