Ndërlidhjet

A po rritet numri i grave të prekura me kancer në gji?


Prishtinë - Performancë gjatë aktiviteteve për shënimin e muajit të luftimit ndaj kancerit të gjirit

Prishtinë - Performancë gjatë aktiviteteve për shënimin e muajit të luftimit ndaj kancerit të gjirit

Muaji tetor është muaj i vetëdijesimit nga sëmundja e kancerit të gjirit, një prej sëmundjeve më të shpeshta të regjistruara në Kosovë te gratë.

Këtë javë, kanceri i gjirit është temë e rubrikës “Fokus” të Radios Evropa e Lirë.

Nëntëmujori i parë i këtij viti është shënuar me 250 raste të reja me gra që janë prekur me kancer të gjirit, për dallim nga viti paraprak 2015, gjatë së cilit u shënuan 205 raste me këtë sëmundje.

Këtë e ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, Ekrem Hyseni, drejtor i Institutit Onkologjik, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ai thotë se bazuar në të dhënat e mëhershme, deri në fund të këtij viti mund të preken rreth 300 gra me kancer në gji. Por, kjo rritje, sipas Hysenit, nuk nënkupton shtim të numrit të të prekurave me këtë sëmundje, por rritje e numrit të grave që e raportojnë sëmundjen.

“Në çdo 8 gra, një grua është e rrezikuar nga kanceri i gjirit. Andaj diagnostikimi i hershëm është shumë i rëndësishëm. Sa i përket rasteve të reja, në vitin 2016 është shtuar numri i raportimeve të rasteve të reja, dhe në krahasim me vitin 2015, këtë vit do të dalë numri më i madh i grave të prekura me kancer, por që nuk do të paraqet rritje reale, por shtim të raportimeve”, ka bërë të ditur Hyseni.

Kushtet e trajtimit që ofron Instituti Onkologjik janë relativisht të mira, ka thënë Hyseni. Sipas tij, aty kryhen shërbimet e mjekimit sistemik, kimioterapia, hormono-terapia, radioterapia si dhe terapia target.

Por, pacientët thonë se ndonëse shërbimi në Institutin Onkologjik është në nivel, shumë barna duhet t’i blejnë vetë.

“Unë jam operuar në korrik. Terapinë vetë e kam blerë. Kujdesi është shumë i mirë. Nuk e di çfarë terapie, se m’i blen vajza, por gjashtë seanca që i kam pasur, terapinë vetë e kam blerë. Më kanë ndihmuar familja. Unë e kam zënë sëmundjen në fazën e parë. E kam operuar gjirin. Tash jam nën kujdes të mjekëve, shumë mirë kujdesen, por barnat i blej vetë. Edhe analizat laboratorike tri herë i kam kryer në laboratorë privat, dhe vetë i kam paguar”, tregon një nga pacientet.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, kohë më parë i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se ndonëse për trajtimin e sëmundjes së kancerit në Kosovë kërkohen rreth 9 milionë euro në vit, institucioni që ai udhëheq, ka ndarë 5 milionë euro për këtë sëmundje, në mungesë buxheti.

Në vitin 2015, mamografi mobil u vu në shërbim të grave, të cilat duan ta bëjnë falas kontrollin e gjirit. Grupi i grave deputete kanë qenë ato që kanë iniciuar blerjen e mamografit mobil, në mënyrë që të kenë qasje të gjitha gratë në gjithë territorin e Kosovës që të kryejnë kontrollet e gjirit.

Koordinatori për mamografin mobil, Ardian Biçaku, ka deklaruar se këtë vit janë kryer 2157 ekzaminime të gjirit në 20 komuna të Kosovës, derisa janë zbuluar 39 raste me kancer në gji.

“Mamografi mobil ofron shërbime kualitative në gjithë Kosovën, duke vetëdijësuar femrat lidhur me kancerin e gjirit, duke iinkurajuar të bëjnë kontrolle, dhe mbledh të dhëna për sëmundjen e kancerit të gjirit në Kosovë. Radiologët e Klinikës së Radiologjisë kryejnë kontrollet në këtë mamograf. Deritash mamografi mobilka vizituar 20 komuna të Kosovës. Nëvitin 2016, janë realizuar 2157 ekzaminime, derisa 4877janë ekzaminuar gjithsej që prej funksionalizimit të këtij mamografi, ku 39 janë zbuluar me kancer të gjirit”, ka thënë Biçaku.

Shoqata e Onkologëve të Kosovës ka bërë të ditur se kanceri i gjirit është patologjia që po shënon rritje. Andaj, në muajin tetor do të ketë aktivitete të ndryshme nga kjo shoqatë nëpër Komuna të Kosovës për ngritje të vetëdijes së grave lidhur me sëmundjen, qoftë përmes ligjëratave, por edhe me aktivitete të tjera.

E, bazuar në të dhënat e fundit rreth incidencës dhe vdekshmërisë së lartë në mbarë botën nga kjo sëmundje, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë tashmë kanë miratuar Planin Nacional për Kontrollin e Kancerit, i hartuar nga Bordi Nacional për Kontrollin e Kancerit të Kosovës.

Ky plan, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, ka për qëllim zvogëlimin e incidencës së kancerit, ku objektiv kryesor ka parandalimin, zbulimin e hershëm dhe skriningun, diagnostikimin, trajtimin specifik multidisiplinar, trajtimin paliativ dhe rehabilitimin e pacientëve të prekur.(REL)

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG