Ndërlidhjet

Çfarë ndryshuan 20 vjetët e pluralizmit?


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë
Tashmë 20 vjet pas funksionimit të Maqedonisë si shtet pluralist, partitë politike shqiptare nuk kanë arritur të realizojnë as kërkesat themelore të elektoratit, edhe pse në çdo zgjedhje garohet me premtimin për të realizuar ide të mëdha, të cilat do të çonin përpara çështjen shqiptare si pjesë shtet-formuese në kuptimin politik, vlerëson Valon Kurtishi, nga organizata joqeveritare “Illyricum Libertas” në Tetovë.

Kurtishi thotë se ka pak shpresa që në këto zgjedhje të ndryshojë realiteti i disfavorshëm politik ndaj shqiptarëve.

"Është problematik vetë thelbi i sistemit politik këtu në Maqedoni - flas për skenën politike shqiptare dhe partitë politike shqiptare. Assesi nuk do të arrihet të realizohet ajo që janë duke e trumpetuar për 20 vjet me radhë politikanët - që shqiptarët më në fund të jenë të barabartë në këtë shtet, si në aspektin politik, ashtu dhe në atë juridik”, thotë Kurtishi.

Sipas tij, edhe në këto zgjedhje, partitë politike do të garojnë kryesisht me promovimin e ideve të vjetra, të konvertuara në kohën e sotme.

As kësaj radhe nuk shohim ide të reja. Njëzet vjet flitet për integrim në Bashkimin Evropian dhe ky integrim assesi nuk po arrihet. Po aq vite flitet për integrim në NATO dhe kjo nuk arrihet. Njëzet vjet flitet për një element shtet-formues për komunitetin shqiptar të Maqedonisë dhe kjo nuk arrihet. Njëzet vjet premtohet se shqiptarët do të jenë pjesë e sistemit dhe institucioneve, me çka do të përmirësohet dhe statusi politiko-social i tyre, dhe kjo dështon. Të gjitha këto bëjnë të ndjehemi tepër të zhgënjyer nga politikë-bërësit shqiptarë”, thotë Kurtishi.

Kolumnisti maqedonas, Sasho Maçanovski - Trendo, vlerëson se gjërat në Maqedoni janë industrializuar në masë të madhe.

“Tani është koha e sistemeve të mëdha dhe marrëdhënieve të korporatave, të cilat kanë vënë nën kontroll të plotë çdo pjesë të sistemit shoqëror. Në një situatë të këtillë nuk ka vend aspak për vlerat dhe idetë individuale. Kjo gjithsesi është fatkeqësia më e madhe që i ndodh Maqedonisë edhe në këto zgjedhje”, thekson Sasho Maçanovski - Trendo.

Ai konsideron se politikanët gjithnjë e më shumë po shprehen imunë ndaj kritikave të intelektualëve dhe sektorit civil, për çka, sipas tij, flet dhe niveli i ulët i demokracisë në Maqedoni.

Nga ana tjetër, Valon Kurtishi, duke komentuar tendencën e mosndryshimit të mentalitetit politik, thotë se një gjë e tillë ndodh për shkak të manipulimit të opinionit publik përmes kontrollit të mediave.

Komuniteti shoqëror, qytetaria nuk e ka atë nivel të vetëdijes civile që shihet në Evropën perëndimore. Dhe, kur bashkohet qëllimi makiavelist i klasës politike, qoftë në pushtet apo në opozitë, dhe njëherësh apatia politike që e ka përfshirë gjithë komunitetin shqiptar, por edhe më gjerë - rezultati është ky që është - pra, kemi reciklim të personazheve të vjetra politike me idetë e vjetra, të cilat assesi nuk realizohen”.

“Ndonëse ka një fije shprese nga dalja e, thënë kushtimisht, fytyrave të reja publike në kuadër të partive politike shqiptare, megjithatë kjo shpresë është e zymtë, sepse kur i shohim programet e partive politike, kur i shohim personazhet që duhet t’i realizojnë ato, duket qartë se kontrolli edhe më tej mbetet në duart e, thënë kushtimisht, të vjetërve”,
konkludon Kurtishi.
XS
SM
MD
LG