Ndërlidhjet

Çka do të nënshkruajnë Kosova e Serbia?!


Nuk ia dolën as në Rambouillet, dhe as në Vjenë.

Por këtë herë, po shtohen zërat ndërkombëtarë që besojnë se Kosova e Serbia, do të nxjerrin një marrëveshje, falë hisedarëve të përfshirë në proces nga Uashingtoni e Brukseli.

Mendim të njëjtë ndajnë edhe në Prishtinë e Beograd.

Por dilema qëndron në atë nëse dy vendet do të nënshkruajnë një traktat, marrëveshje të përgjithshme apo marrëveshje bazë.

Shprehimisht, të gjithë mendojnë se Brukseli po merr modelin e dy Gjermanive, që u nënshkrua më 1972 si Traktat Paqeje mes dy vendeve sovrane, i garantoi ulëse Gjermanisë Lindore në OKB, siguroi njohje reciproke ndërshtetërore, por jo njohje formale të njëra-tjetrës.

Raportuesja për Kosovën e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek vlerëson se ky koncept, si model, mund të gjejë zbatim në rastin e Kosovës dhe Serbisë, për të ndihmuar normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Mendoj se ky mund të jetë një opsion, meqë ka funksionuar për një kohë të gjatë mes dy Gjermanive. Mendoj se mund të jetë e mundshme. Tani, më shumë se gjysma e vendeve anëtare të OKB-së e kanë njohur Kosovën, dhe mendoj se me Serbinë e cila ecën përpara, duke bërë shumë gjëra si në rastin e marrëveshjes së IBM-it dhe të tjera, mund të hap rrugën për më shumë pjesëmarrje të Kosovës në organizata ndërkombëtare,” tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

Sipas eurodeputetes, normalizimi i raporteve të dy vendeve është proces i ngadalshëm, por që megjithatë ka progres, pasi po siguron mirëqenie për qytetarët.

Por në Prishtinë, analistë të rrjedhave shoqërore mendojnë se Kosova ka humbur rastin për të pasur një Traktat të tillë me Serbinë.

Në fakt, një ambasador gjerman kishte sjell këtë ide për të parën herë publikisht në Prishtinë.

Më 2007, Wolfgang Ischinger solli idenë e dy Gjermanive në Kosovë. Por ajo u refuzua nga Grupi i Unitetit.

Leon Malazogu nga Instituti Demokraci për Zhvillim thotë nga përmendja e parë publike e këtij modeli, krahasuar më sot, atributet më nuk janë të njëjta.

Tanimë kjo në asnjë gjë nuk i përngjan më raportit të mes dy Gjermanive. As nuk është Traktat, as nuk mund të garantohet ulësja në OKB, as shkëmbimet e zyrave nuk quhen më Legata, që kishin ato dhe që ishin institucione diplomatike. Në asgjë më marrëveshja që planifikohet Serbia dhe Kosova të nënshkruajnë në asnjë gjë më nuk i përngjan traktatit në mes të dy Gjermanive, dhe në këtë aspekt nuk mendoj se duhet krahasuar me këtë".

"Kjo që do ta kenë Kosova me Serbinë, nuk duhet fare të referohet në raportin mes dy Gjermanive si diçka të ngjashme. Kjo që do ta kemi është shumë më e dobët sesa që e kishin dy Gjermanitë,” tha Malazogu për Radion Evropa e Lirë.

Por, ndryshe mendon drejtuesi i qendrës për hulumtime sociologjike në Beograd.

Dushan Janjiq pranon se secila problematikë ka veçoritë e veta, dhe se Kosova është rast i veçantë.

Ai përmend edhe se Traktati i dy Gjermanive, kishte pëlqimin paraprak të fuqive botërore, si garantues të marrëveshjes. Mirëpo, edhe pranon dallimet në rrethana, thotë se mund të gjej zbatim tek rasti i Kosovës dhe Serbisë.

Mendoj se ky model është i aplikueshëm, sepse edhe atje [dy Gjermanitë] nuk ka pasur pajtim për sovranitetin, atëherë nuk shtrohej pyetja e njohjes eksplicite e cila mundësoi ulësen në OKB. Prandaj, si inspirim PO, dhe me një punë të madhe të diplomacisë gjermane, shumë është bërë".

"Gjermania është mjaft e pranishme në Ballkan, dhe i njeh veçoritë tona, dhe ka një ndikim të fuqishëm që disi Evropën ta drejtoj kah rajoni, dhe kjo është përshtatur, aq sa i kuptoj unë gjërat,
” tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Sido që të quhet marrëveshja e ardhshme, ajo pritet që të kontraktojë raportet e ardhshme të Serbisë dhe Kosovës për të zbatuar obligimet për të cilat pajtohen kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq.

Deri më tani Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar për një varg çështjesh të natyrës teknike për të lehtësuar lirinë e lëvizjes.
XS
SM
MD
LG