Ndërlidhjet

Maqedoni:Thirrje për ulje tensionesh


Djegia e flamurit në Maqedoni, 31 janar 2012.
Djegia e flamurit në Maqedoni, 31 janar 2012.
Në mbledhjen e së mërkurës të Komitetit për Marrëdhënie Ndëretnike, u miratuan disa konkluzione lidhur me situatën e krijuar nga incidentet e fundit ndërfetare në Maqedoni.

Ndër të tjera u kërkua të qetësohet situata terren, të gjitha subjektet relevante politike të angazhohen për kthimin e mirëbesimit mes etniteteve, duke përfshirë dhe sektorin civil, autoritetet fetare të angazhohen në kultivimin e tolerancës ndërfetare dhe respektimin e vlerave, si dhe mediat të kontribuojnë në uljen e tensioneve ndëretnike dhe atyre fetare.

Gjithashtu, nëpërmjet këtyre konkluzioneve u dënuan të gjitha ndodhitë e fundit në rajonin e Strugës dhe Tetovës që kishin të bënin me djegien e objekteve fetare ortodokse, si dhe fyerjet në fusha sportive ndaj shqiptarëve.

Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, kërkoi angazhimin e të gjitha institucioneve relevante në zbardhjen e autorëve që iniciuan incidentet.
...sa më shpejt të gjenden organizatorët e Karnavalit të Vevçanit dhe të njëjtit të mund të dalin para përgjegjësisë, ose të kërkojnë, të paktën, edhe falje publike.

“Pa kurrfarë turpi, ata provokuan ndjenjat e myslimanëve në Republikën e Maqedonisë dhe më gjerë, reaguan këshillat e xhamive, reagoi edhe myftinia e Strugës me qëllim që sa më shpejt të gjenden organizatorët e Karnavalit të Vevçanit dhe të njëjtit të mund të dalin para përgjegjësisë, ose të kërkojnë, të paktën, edhe falje publike”, tha Ramiz Merko, kryetar i Komunës së Strugës.

Por, kryetari i Komunës së Vevçanit, Pero Ilieskin, nuk pranoi të kërkojë falje për fyerjet ndaj fesë islame në karnavalin që u mbajt në komunën e tij, e që ishin shkak për protesta dhe incidente tjera në rajonin e Strugës.

”Për mua, absolutisht është e papranueshme dhe shpreh kundërshtimin e madh ndaj akteve vandale, shkrimit nëpër kisha në Borovec dhe Llabunishtë, duke u vënë në dispozicion të shtetit juridik të merren masa për zbardhjen e këtyre rasteve si parakusht për kultivimin e mëtejmë të dialogut ndëretnik dhe ndërfetar. Njëkohësisht, na vjen keq që në këto ngjarje është përfshirë edhe Karnavali i Vevçanit që është një traditë shekullore”, deklaroi Pero Ilievski, kryetar i Komunës së Vevçanit.

Ndërkohë, partia shqiptare në opozitë, PDSH, incidentet e fundit i ka quajtur si trill artificial të iniciuar nga pushteti për të hequr vëmendjen e opinionit nga ngecjet në proceset euroatlantike dhe nga dështimi radhës në këtë drejtim, në samitin e NATO-s në Çikago.
Ne nuk kemi probleme ndër-konfesionale, realisht populli shqiptar këtu ka probleme me Qeveritë e së kaluarës dhe atë të tashmen, jo me popullin maqedonas.

“Këto momente të reja janë shumë artificiale, momente të cilat i prodhon kuzhina; ajo kuzhinë dihet, janë institucionet shtetërore, është Qeveria e cila performon skajshëm si qeveri antishqiptare. Edhe e kaluara dëshmon se kah kanë shkuar këto probleme të brendshme në Maqedoni. Ne nuk kemi probleme ndër-konfesionale, realisht populli shqiptar këtu ka probleme me Qeveritë e së kaluarës dhe atë të tashmen, jo me popullin maqedonas”, u shpreh Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Nga ana tjetër, kryetarja e Komitetit për Marrëdhënie Ndërfetare, Valentina Bozhinovska, theksoi se për t’u përmbyllur tensionet, ato duhet të marrin epilog institucional.

Valentina Bozinovska
Valentina Bozinovska
“Po besoj se kjo situatë, e cila nuk është e favorshme për zhvillimet demokratike në vend, duhet të marrë epilog institucional”, deklaroi Bozhinovska.

Për zgjidhje institucionale u angazhua edhe partia politike shqiptare në pushtet, BDI. Xhevat Ademi, deputet i kësaj partie, bëri thirrje për anashkalimin e retorikës që kanë për qëllim pikët politike.

“Shteti duhet të veprojë dhe jo këtu të dalim të themi ne kush i ka fajet - i ka Karnavali i Vevçanit, apo protesta e Strugës. Zanafilla e kësaj klime që kërcënon të na djeg të gjithëve, është më larg. Të gjithë neve na kërcënon rreziku të digjemi bashkërisht në flakën që dikush mbase edhe me qëllim e ndez”, u shpreh Ademi.

Edhe Avokati i Popullit i Maqedonisë, Ixhet Memeti, tha se konsideron që Maqedonia po ndërton shoqëri të mos-tolerancës.

”Maqedonia është shoqëri, e cila karakterizohet me një mori diversitetesh. Duke e pasur parasysh këtë, gjithmonë ekziston potencial për paraqitjen e tensioneve, të cilat nuk parandalohen, mund të eskalojnë në përmasa shumë më të mëdha”, tha Memeti.

Në mbledhjen e së mërkurës të Komitetit për Marrëdhënie Ndëretnike morën pjesë edhe përfaqësues të BFI-së dhe KOM-it, të cilët gjithashtu dënuan incidentet dhe kërkuan zbardhjen e plotë të rasteve.



Adresimi i tensioneve ndëretnike

Të martën në mbrëmje, rreth orës 22, në fshatin Reçicë e Vogël në Tetovë, persona të panjohur i kanë vënë zjarr dyerve të kishës “Shën Gjorgjia”.

Siç bëhet e ditur nga policia , zjarri është shuar nga banorët lokalë, ndërkohë që është djegur një pjesë e kornizave të dritareve, xhamat janë thyer, kurse muri i jashtëm është dëmtuar.

Tani për tani nuk kemi indikacione se kush ka mundur të shkatojë zjarrin në këtë kishë, ndërkohë që organet e hetuesisë janë në vendin e ngjarjes”, theksoi zëdhënësi i policisë së Tetovës, Marjan Josifovski, duke shtuar se si masë preventive në këtë rajon është shtuar prezenca e policisë.

Ndërkohë, ende mbeten të panjohur autorët të cilët i vunë zjarrin kishës ortodokse në Llabunishtë të Strugës, të hënën në mbrëmje, me ç’rast u dogj vetëm një objekt ndihmës i saj.

Autoritetet policore thonë se gjendja edhe në këtë rajon është e qetë, por me forca të shtuara të policisë.

Nga vendi i ngjarjes janë marrë gjurmë të cilat po hetohen nga ekspertiza e MPB-së në Shkup. Sipas analizave të policisë, zjarri i ndezur është i qëllimshëm dhe nuk ka ndodhur vetvetiu”, thekson Stefan Dimovski, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Komiteti për marrëdhënie ndëretnike ka thirrur një mbledhje, ku të pranishëm, përpos përfaqësuesve të partive politike janë dhe krerët fetarë të komunitetit mysliman dhe krishterë.

Kryetarja e këtij komiteti, Ermira Mehmeti, konsideron se zhvillimet e fundit duhet të komentohen me shumë kujdes, për të mos nxitur situata edhe më të padëshiruara.

Duke ftuar të gjithë faktorët relevantë politikë të tregohen të matur në deklarimet dhe veprimet e tyre duke përjashtuar çdo mundësi për të përfituar poena politikë sepse, siç është shprehur ajo, kostoja është shumë e lartë për të ardhmen e vendit.

Nevoja është shumë e madhe për të mbledhur anëtarët e komitetit dhe të gjithë faktorët të cilët janë më të thirrur për të diskutuar zhvillimet e fundit të cilat janë krijuar në Maqedoni, zhvillime këto të cilat rrezikojnë të tronditin si marrëdhëniet ndëretnike, ashtu dhe ato ndërfetare. Komiteti mes bashkësive, është organi më i thirrur dhe më relevant për të kultivuar dhe për të ruajtur dialogun mes grupeve të ndryshme, qofshin ato etnike, gjuhësore apo fetare”, thekson Mehmeti.

Ajo gjithashtu ka nënvizuar se duhet të angazhohen organet përgjegjëse për zbardhjen e të gjitha rasteve të provokimeve dhe dhunës, të cilat janë në drejtim të dëmtimit të marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe ndërfetare.

Nga ana tjetër, për Zedian Selën, anëtar i komisionit në fjalë, njëherësh deputet, ata të cilët janë më të thirrurit për të gjetur faktorët të cilët iniciojnë këto incidente heshtin.

Pjesëtarët e qeverisë i mbyllin sytë dhe kur pyeten për ndodhitë të cilat çuan në incidentet e mëtejme, siç ishin fyerjet ndaj shqiptarëve në ndeshjen e hendbollit, zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit thotë se unë nuk ka dëgjuar asgjë. Të njëjtën e thotë edhe kryeministri Nikolla Gruevski, se edhe ai nuk ka dëgjuar asgjë. Në momentin kur nuk merren masa konkrete për të dënuar kriminelët ose ata të cilët krijojnë ndasi etnike. ti bëhesh bashkëpjesëmarrës në krim”, shprehet Zedian Sala.

Sipas tij, rrezik në vete paraqet dhe fakti që për të fshehur dështimin që do të pësojë Maqedonia edhe në Samitin e ardhshëm të NATO-s në Çikago, problemet ndëretnike tani marrin përmasa edhe ndërfetare.

Dikush dëshiron që konfliktet apo mosmarrëveshjet nga ato ndëretnike t’i shendojë në mosmarrëveshje ndërfetare. Shqiptarët nuk duhet ta lejojnë një gjë të tillë, edhe nëse ka tendenca të tilla të cilat mundohen t’i japin karakter të tillë problemeve në Maqedoni, kjo bëhet nga struktura shumë të errëta, struktura antishqiptare, dhe ata të cilët bëhen pjesë e këtyre manipulimeve assesi nuk mund të jenë shqiptarë”, thotë Sela.
XS
SM
MD
LG