Ndërlidhjet

Bujar Nishani, president i Shqipërisë


Kuvendi i Shqipërisë
Kuvendi i Shqipërisë
Bujar Nishani u zgjodh me 73 vota pro të mazhorancës president i Republikës së Shqipërisë.

Në votim kanë votuar 76 deputetë, dy nga to ishin të pavlefshme, një kundër.

Partia Socialiste e Shqipërisë e ka bojkotuar votimin, pasi që nuk është pajtuar me kandidatin e propozuar nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj.

Ndryshe, mazhoranca mblodhi nënshkrimet e nevojshme për Bujar Nishanin, që deri tash ishte ministër i Punëve të Brendshme, pas tërheqjes së kandidatit Artan Hoxha.

Opozita nuk u pajtua as me kandidatin Hoxha.

Nishani u zgjodh në raundin e katërt të votimit per zgjedhjen e presidentit shqiptar.(a.i.)


Presidenti i Shqipërisë: Tërhiqet Hoxha, në garë Nishani

Menada Zaimi

Kandidatura zyrtare e mazhorancës për kryetar të shtetit, Artan Hoxha, përfaqësues i shoqërisë civile, u tërhoq pak përpara votimit në Kuvend.

Ai dha pak arsye për këtë vendim, por për mediat nëpërmjet një letre tha se nuk mund të bëhet pjesë e një procesi jocivil.

Por, mazhoranca, nga ana tjetër që, gjithashtu nuk dha arsye për tërheqjen e kandidatit të saj, vendosi të mos e djegë raundin e katërt të votimit për president.

Kryetari i Grupit Parlamentar Demokrat, Astrit Patozi, njoftoi se raundi do të zhvillohet pasdite në orën pesë dhe se tashmë kandidat në garë do të jetë Bujar Nishani, aktualisht në detyrën e Ministrit të Brendshëm në Qeverinë Berisha.

“Mazhoranca është e vendosur që ta bëjë vendin me president të Republikës dhe kandidatura tjetër do të jetë zoti Nishani. Për shkaqe teknike, seanca shtyhet dhe do të zhvillohet në orën 17, pasdite”, tha Patozi.

Bujar Nishani ishte një prej katër emrave që mazhoranca ofroi për konsensus gjatë tryezës së zhvilluar të dielën në mbrëmje në nivel të lartë politik.

Opozita nuk ra dakord për asnjë prej emrave të propozuar, të cilët kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i etiketoi si kandidatura të njëanshme, pjesë e “oborrit qeveritar”.

Artan Hoxha është kandidatura e dytë e mazhorancës që tërhiqet nga gara për president. Xhezair Zaganjori, anëtar në Gjykatën Kushtetuese u tërhoq pas raundit të tretë, duke e motivuar vendimin me klimën e mosbesimit që ofroi opozita ndaj emrit të tij.

Por, Zaganjori në ndryshim nga Hoxha nuk u regjistrua në asnjë prej raundeve si kandidaturë zyrtare e mazhorancës.

Pas tërheqjes së Artan Hoxhës nga gara për president, reagoi ish-kryeministri Fatos Nano, i cili kishte shpallur që herët ambicien e tij për president.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Nano tha se procesi është në kaos, po prodhon turp për shkak të arratisjes nga konsensusi dhe serioziteti. Në njoftim citohet se “Fatos Nano mbetet i vetë-ofruar për klasën politike shqiptare dhe publikun shqiptar për të pasur mundësinë për të synuar konsensusin, ose për të garuar e për ta fituar këtë garë”.

Ai i bën thirrje Partisë Socialiste “që të ngrihet në lartësinë që kërkon momenti, e të mos i shmanget e as druhet, garës”.

Kryetari i PS-së, Edi Rama, që reagoi disa orë pas zhvillimeve në Kuvend, tha se kandidatura e ofruar rishtazi nga mazhoranca është e papranueshme dhe jo konsensuale. Ai tha se me këtë vendim mazhoranca po i rrezikon vendit statusin kandidat për në BE.

“Është e paarsyeshme dhe është krejt kundër-produktive që të kalohet ende më poshtë dhe e gjithë spiralja e krizës ta përpijë tërësisht atë për çka ne jemi të angazhuar qysh në fillim për ta shpëtuar - mundësinë e Shqipërisë që ta hedhë hapin drejt familjes evropiane. Për më tepër, është e papërfytyrueshme që një ministër të bëhet president dhe një president të kthehet ministër”, u shpreh Rama.


Shqipëri: Zaganjori tërhiqet nga gara për president
Shqipëri: Dështon raundi i dytë për presidentin
Tiranë: Dështon raundi i parë i votimit për presidentin
XS
SM
MD
LG