E enjte, tetor 23, 2014 Kosova 16:23

Bota

Opozita siriane synon bashkimin

Këshilli Kombëtar Sirian në Doha në  përpjekje për të formuar një lidership unik.
Këshilli Kombëtar Sirian në Doha në përpjekje për të formuar një lidership unik.
RFE /RL
Grupet opozitare siriane që po takohen në Doha raportohet se janë afër arritjes së një marrëveshjeje për të formuar një lidership unik.

Mbështetësit e opozitës siriane, përfshirë SHBA-në dhe Katarin, po i bëjnë presion opozitës që të bashkohet, duke argumentuar se kjo do të sigurojë njohjen ndërkombëtare të saj. Ata thonë, po ashtu, se një udhëheqje e tillë do të koordinohej me kryengritësit brenda Sirisë dhe do të përgatitej për një qeveri kalimtare.

Këshilli Kombëtar Sirian raportohet se po e mban pezull marrëveshjen, nga frika se mund t’i dobësohet pozita nën ndonjë organizatë të re.

Kreu i ri i zgjedhur i Këshillit, George Sabra, tha se presioni ndërkombëtar mbi Këshillin për të miratuar marrëveshjen ishte i gabuar dhe kritikoi Perëndimin se ka dështuar t’i ofrojë opozitës siriane ndihmë të vërtetë, përfshirë edhe armë.

Në një konferencë për gazetarë, Sabra tha se Këshilli Kombëtar Sirian është duke i “studiuar” propozimet e paraqitura nga grupet tjera të opozitës siriane.

“Kemi hyrë në një dialog të hapur me vëllezërit tanë në opozitën siriane. Kemi dëgjuar nga ta dhe i kemi shqyrtuar iniciativat që i kanë paraqitur, dhe ne kemi pikëpamjen tonë dhe mendimet, që do t’i paraqesim. Ne jemi të angazhuar seriozisht për të punuar drejt unifikimit të opozitës, por duam që kjo të bëhet mbi bazë të fortë”, u shpreh Sabra.

Disidenti kryesor, Riad Seif, tha se ekziston një shans prej 90 për qind, që marrëveshja të arrihet.

Në Damask, një zëdhënës i qeverisë bëri thirrje për dialog kombëtar, duke thënë se armata po lufton për të mundësuar fillimin e bisedimeve.

Komentet e ministrit të Informacionit, Omran al-Zohbi, vijnë derisa armata pësoi humbje të reja në dy sulme vetëvrasëse afër një klubi oficerësh në qytetin e Daras.

Aktivistë thanë se janë vrarë 20 ushtarë. Media shtetërore raportoi se tri shpërthime të makinave bombë kanë vrarë shtatë dhe plagosur shumë të tjerë, por nuk tregoi nëse ata kishin në shënjestër ushtrinë.

Në zhvillime tjera, aktivistët thanë se forcat e qeverisë e kanë rimarrë një pjesë të autostradës që lidh Damaskun me Alepon.

Konflikti në Siri po vazhdon tash 20 muaj, ndërsa raportohet se në luftimet ndërmjet forcave të presidentit Bashar al Asad dhe kryengritësve opozitarë kanë vdekur mbi 36 mijë njerëz.(a.i.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum