E enjte, nëntor 27, 2014 Kosova 03:36

Ekonomi

Qeveri - opozitë: S'pajtohen për gjendjen ekonomike

Ferizaj, Kosovë
Ferizaj, Kosovë
Autoritetet e Kosovës vitin 2012, në aspektin ekonomik, e kanë cilësuar një vit të mirë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, në një konferencë përmbyllëse për këtë vit, ka theksuar se Kosova po vazhdon trendin më të lartë të rritjes ekonomike në rajon dhe me zhvillime të mira në aspektin ekonomik.

Viti 2012, ka theksuar Beqaj, ka qenë një vit, i cili ka qartësuar në mënyrë të decidive reformat ekonomike në Kosovë.

Këto reforma, ka thënë ai, nuk kanë qenë të lehta, por që në Kosovë nga këto reforma ka rezultate të prekshme në kuadër të reformimit struktural të ekonomisë së Kosovë në të gjitha ndërmarrjet publike.

Sipas Beqajt, gjatë vitit 2012 është arritur që të kthehet besimi i investitorëve të huaj. Ai ka thënë se brenda këtij viti kanë arritur që të nënshkruajnë kontrata të rëndësishme, e të cilat, siç është shprehur ai, kanë treguar se po kthehet besimi i investitorëve të huaj.

“Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova edhe më tutje rangohet mirë në tërheqjen e investimeve të huaja, duke pasur parash që ka krizë ekonomike në tërë rajonin. Kosova është i vetmi vend në Ballkan që ka rritje ekonomike, është i vetmi vend që ka investime kapitale nga buxheti deri në 40 për qind”, ka deklaruar Beqaj.

Sa i përket problemit thelbësor që ka Kosova, papunësinë dhe varfërinë, ministri Beqaj ka theksuar se kjo problematikë mbete sfidë për Kosovën edhe gjatë vitit 2013.

Më kritik për zhvillimet ekonomike gjatë vitit 2012 në vend, janë shprehur përfaqësues të partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

AAKAAK
x
AAK
AAK
Haki Shatri nga kjo parti konsideron se ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2012, është ballafaquar me probleme të mëdha, siç është deficiti i lartë tregtar, numri i vogël i investitorëve të huaj, burokracia dhe korrupsioni, procesi i ngadalshëm në reformimin e ambientit biznesor, shkalla e lartë e papunësisë, normat e larta të interesit etj.

“Mund të themi se nuk ka qenë vit, i cili na ka sjellë rezultat gati në asnjë segment të zhvillimit ekonomik. Është një segment, është një stagnim nëse e masim GDP-në. Rritja ekonomike gati është barazi me zero, nuk ka ndryshim fare”, ka thënë Shatri.

Shatri ka theksuar se e vetmja gjë që Qeveria e Kosovës ka bërë në aspektin ekonomik gjatë vitit 2012, është kujdesi që ka treguar për ruajtjen e stabilitetit financiar.
 
“Fare nuk ka ndonjë element që do të fillojë sadopak ta ndërpresë trendin e këtyre dukurive negative ekonomike edhe nuk pritet as në vitin 2013 që të ketë ndonjë zhvillim ekonomik me buxhetin që ka miratuar edhe Kuvendi”, ka theksuar Shatri.

Ndryshe, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, gjatë vitit 2012 ka theksuar se janë shënuar arritje të mëdha edhe në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha publike.

Privatizimi i Distribucionit dhe Furnizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës është përmendur si një proces i kryer dhe mjaft transparent.

Ndërkaq, procesi i privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës, i cili është shtyrë për vitin 2013, sipas Beqajt, është duke vazhduar sipas standardeve më të larta evropiane ndërkombëtare dhe autorizimeve të dhëna nga Kuvendi i Kosovës.

Sa i përket kodit telefonik, ai ka sqaruar se Qeveria është e interesuar të marrë kodin e vet shtetëror, dhe nëse kjo nuk lejohet deri në anëtarësimin e Kosovës në OKB, atëherë konform rezolutës së Kuvendit, kanë kërkuar përdorimin e kodit telefonik të Shqipërisë.

Anëtarësimi i Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është theksuar si një e arritur e madhe në aspektin ekonomik.

Ministri Beqaj ka theksuar se menjëherë pas anëtarësimit në BERZH, Qeveria ka marrë masat për të komunikuar me këtë mekanizëm për përgatitjen e një platforme afatgjate.

“Ne ju kemi prezantuar projektet tona energjetike, projektet në ndërmarrjet publike, për investime në trajtimin e ujërave të zeza, për investime në ujësjellës dhe menaxhim të këtyre ndërmarrjeve, i kemi paraqitur planet tona për sektorin minerar, dhe të gjitha këto kanë zënë vend në interesin e tyre”, ka thënë Beqaj.

Luljeta Krasniqi - Veseli

krasniqiveseli+gmail.com

Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : Ilaz Prej : Kelmedni
21.12.2012 20:01
Kosova per vite te tera ka pas probleme ekonomike, nuk mund te zgjidhen ato per nje vit zotri Beqaj, 13 vjet pas luftes varferi e skamje po ku po shihni ju mire ne kete vend te mjere.

Nga : Njaziu
20.12.2012 20:55
Nese dikush fler per ekonomi te mire ne Kosve genjen shume, nuk ka koment si eshte ekonomia e Kosves. varferi papunesi e madhe. Kosva nuk krahsohet me asnje vend te rajonit te gjitha i kane punet me mire se ne. papunesia eshte me e ulet se te ne.