E premte, gusht 29, 2014 Kosova 20:05

Bota

Dallime të dukshme SHBA - Rusi në Munih

Konferenca e Munihut në Gjermani.
Konferenca e Munihut në Gjermani.
RFE /RL
Dallimet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë paraqitur ashpër në Konferencën e Munihut në Gjermani.

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, në fjalimin e tij në këtë tubim të nivelit të lartë ndërkombëtar, ku marrin pjesë diplomatë të lartë dhe zyrtarë të sigurisë, foli për dallimet e mëdha ndërmjet Uashingtonit e Moskës.

Joe BidenJoe Biden
x
Joe Biden
Joe Biden
“Ne kemi dallime serioze me Rusinë në çështjet siç është Siria, mbrojtja raketore, zgjerimi i NATO-s, demokracia dhe të drejtat e njeriut. Këto dallime janë reale, por ne vazhdojmë të shohim mundësi që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të jenë partnerë në mënyra, që i avancojnë interesat e sigurisë të të dy palëve dhe interesat e komunitetit ndërkombëtar”, tha Joe Biden.

Biden e paraqiti pozicionin e Uashingtonit për mosnjohjen e sferave të interesit.

“Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut, si shtete të pavarura. Ne nuk do ta njohim asnjë vend që ka sferë të interesit. Mbetet pikëpamja e Amerikës se shtetet sovrane kanë të drejtë të bëjnë vendime të veta dhe t’i zgjedhin aleancat e veta”, tha Joe Biden.

Më tutje, ai theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë shumë interesa të përbashkët, përfshirë reduktimin e arsenaleve të tyre atomike dhe nxitjen e tregut dhe investimeve për prosperitetin e dyanshëm.

Por, theksimi i dallimeve ka sugjeruar një atmosferë tjetër nga ajo e para katër vjetëve, kur Biden, në po këtë konferencë, i bëri thirrje Rusisë për ripërtëritje të raporteve Uashington - Moskë, në fillim të mandatit të parë të presidentit Barack Obama.

Gjatë muajve të fundit është parë rritje e tensioneve ndërmjet dy vendeve, derisa autoritetet e Rusisë kanë ndërmarrë nismë të re për t’i goditur grupet pro-demokratike.

Në këtë nismë përfshihet edhe përfundimi i punës së shoqërisë civile në Rusi, që mbështetet nga Agjencia për Zhvillim e Shteteve të Bashkuara, USAID.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, gjatë fjalimit të tij, po ashtu, shprehu dallimet ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit.

Ai e akuzoi NATO-n se po synon rritjen e sigurisë në “kurriz të të tjerëve”.

Sergei LavrovSergei Lavrov
x
Sergei Lavrov
Sergei Lavrov
“Rusia propozon një rrugë konstruktive dhe të thjeshtë: për pajtueshmëri për garantime strikte se mbrojtja globale raketore e Shteteve të Bashkuara, nuk është e drejtuar ndaj asnjë anëtari të OSBE-së dhe për të arritur kritere të qarta ushtarake dhe teknike për vlerësim nëse kapaciteti i mburojës raketore i përgjigjet qëllimit të deklaruar, që është neutralizimi i kërcënimeve raketore nga jashtë rajonit euro-atlantik”, tha Sergei Lavrov.

Ndërkaq, Biden theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin opozitën dhe se Uashingtoni aktualisht ka dërguar më tepër se 50 milionë dollarë ndihmë.

Ai parashikoi që “ditët e ardhshme do të jenë të vështira” për Sirinë dhe se “opozita në Siri vazhdon të rritet më e fuqishme”.

Lavrov tha se Moska ka shumë pyetje lidhur me qasjen perëndimore në Lindjen e Mesme, përfshirë Pranverën Arabe dhe Sirinë. Ai tha se fuqitë botërore nuk duhet të imponojnë vlera të jashtme në shtete dhe duhet të përmbahen nga “sanksionet arbitrare, të njëanshme”, në mungesë të rezolutave të Kombeve të Bashkuara.

Sergei Lavrov, po ashtu, tha se fuqitë botërore duhet të pajtohen në ndaljen e dhunës nëpërmjet dialogut gjithëpërfshirës. (f.b.)