E shtunë, gusht 23, 2014 Kosova 09:29

Kronika

Serbët në jug të lumit Ibër, jeta në vetizolim

Mitrovicë
Mitrovicë

Artikujt e ndërlidhur

Shansi për serbët në komunën e re

Komuna e Graçanicës do të konstituohet të martën. Kryetari i saj, Bojan Stojanoviq, premton ndryshime në të mirë të qytezës. Pritjet e qytetarëve janë të mëdha. Graçanica është njëra nga tri komunat e reja me shumicë serbe.
Të margjinalizuar dhe të vetizoluar! Kështu e përshkruajnë serbët që jetojnë në jug të lumit Ibrit veten dhe jetën e tyre, në Kosovën e pavarur. Ankohen se gjendja ekonomike i ka bërë që të mendojnë vetëm se si të mbijetojnë, e jo që të kenë një jetë normale.

Shtatëdhjetë vjeçi Dimitrije Gjorgjeviq, nga Gushterica e Epërme, thotë se mbi 40 vjet ka punuar në minierën e Kishnicës dhe se tani ka mbetur në mëshirë të Zotit. Sqaron se asnjëri nga anëtarët e familjes së tij nuk punojnë dhe të vetmet të ardhura i ka nga ndihma sociale.

Dimitrije thotë se ka pak dallim se si jetojnë serbët në Kosovë, qofshin ata në jug, apo veri të lumit Ibër, që ka ndarë bashkësinë serbe në dysh.

“Kurrqysh! Nuk është mirë, për Zotin. Djalin e kam të papunë, unë nuk po marr më ndihmë sociale, pensionin nuk po ma japin. Nuk është hiq mirë. Nuk kemi asnjë të ardhur. Ndihma sociale po vonohet, s’kemi gjë. Nuk janë aq 100 euro, apo 11.000 dinarë. Përpara kam punuar në minierë, në flotacionin e minierës - 40 vjet punë, kurse nuk kam pension”, thotë Gjorgjeviq.

Graçanica, si një prej vendbanimeve më të mëdha në Kosovë me shumicë serbe, merret shpesh si shembull i suksesit për akomodimin e kërkesave të komunitetit. Mirëpo, përveç se kanë autonomi në vendimmarrje, udhëheqësit e saj nuk duan ta shohin komunën jashtë kontekstit të mungesës së një perspektive të përgjithshme në Kosovë.

Bojan Stojanoviq, që drejton këtë komunë prej themelimit të saj, thotë se përgjithësisht në Kosovë jetohet në kushte të vështira, kurse serbët me specifikat e tyre, e kanë dhe më vështirë.

Stojanoviq thotë se problemi i serbëve nuk mund të ndahet nga problemi që kanë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe insiston që kjo duhet të shihet në përgjithësi si problem që ka Kosova, e pastaj specifika të caktuara aty të kërkohen për serbët e Kosovës.

“Është fakt se serbët e Kosovës, megjithatë jetojnë në margjina të shoqërisë. Dhe, kur e them këtë, s’e them për të kritikuar njeri, por për t’u bërë thirrje të gjithë neve bashkë, sepse edhe serbët marrin pjesë në Qeveri, që ta shikojmë më mirë këtë situatë, sepse nuk do të mund njëri komb të ecën drejt Evropës, kurse tjetri të ngecë prapa në Kosovë. Të dy popujt po ndajmë të njëjtin fat, i cili nga aspekti i tashëm nuk duket shumë i mirë”, shprehet Stojanoviq.

Me 25,000 banorë, sa ka në komunën që drejton, Stojanoviq thekson se pothuajse të gjithë janë të margjinalizuar. Për ta argumentuar qëndrimin e tij, nis e numëron shembuj:

“Sa serbë punojnë tani në kompani të Prishtinës, a mund të jetë një serb kamerier në një kafeteri të Prishtinës? Një shembull shumë i thjeshtë, nuk po flasim për institucionet, sepse aty ekzistojnë klishetë...sepse në fund të fundit, ndoshta kjo gjë edhe do të përmbushet. Por, nuk është qëllimi këtu. Por, po pyes se nga po shkojmë, nëse ka ardhur puna që serbi nuk mund të punojë as në një autolarje në Prishtinë?! E të mos flasim për zona tjera të Kosovës”.

Stojanoviq insiston që edhe pse momentalisht nuk ka incidente ndëretnike, dhe se siguria është përmirësuar, kjo nuk do të thotë se ka perspektivë për serbët e Kosovës, siç thuhet nga politikanët.

Ndërkaq, ai thekson se serbët kanë bërë bllokada dhe izolime ndaj vetes dhe bën thirrje që ata të shkarkohen nga kjo, por potencon se procesi i kthimit në rrjedha normale të jetës për serbët e Kosovës, nuk do të jetë aspak i lehtë dhe do të marrë kohë.

“Nuk po flas kështu për të kritikuar këdo. Unë po i kritikoj të gjithë. Pra, secili prej nesh duhet të punojë çdo ditë për të përmirësuar mënyrën tonë të jetës. Ne duhet, pavarësisht çështjes së statusit, të bëhemi pika referente për gjithë botën. Pse dikush të mos na kujtojë për të mirë, por gjithmonë, kur ta ndez televizorin, të shohë incidentet e Kosovës?”, thekson Stojanoviq.

Por, jo të gjithë pajtohen me kryetarin e komunës së Graçanicës. Slavica Simiq thotë se ka hapësirë për kritikë, por të cilat nuk duhet drejtuar kah serbët e Kosovës, por më shumë kah Serbia.

“Unë, personalisht mendoj dhe jam bindur në terren, se të gjithë serbët e Kosovës jetojnë mirë. Shumë më mirë sesa serbët në Serbi. Kanë të ardhura, kanë donacione, dhe kanë institucionet e Kosovës. Dhe, gjithmonë ka diçka për serbët e Kosovës, kurse askush nuk kujdeset se çka po ndodh me serbët e Serbisë!”, shprehet Simiq.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum