Ndërlidhjet

Programet opozitare premtojnë zhvillim ekonomik


Ilustrim
Ilustrim
Kosova mund të ketë zhvillim të përgjithshëm ekonomik, konsiderojnë përfaqësues të subjekteve opozitare në vend, nëse ulet shkalla e korrupsionit, fuqizohet sundimi i ligjit dhe investohet në projekte kapitale, të cilat gjenerojnë vende të reja të punës.

Programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parasheh heqjen e barrierave për investuesit vendorë e ndërkombëtarë dhe transformim të ekonomisë duke zëvendësuar produktet e huaja më ato vendore, thotë Hykmete Bajrami, nga kjo parti, njëherësh anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës.

Objektiv tjetër i kësaj partie, sipas saj, është zhvillimi i sektorit privat, që është dinamik për punësimin e numrit të madh të të rinjve që hyjnë në tregun e punës.

“Qëllimi kryesor është që të sigurohet një rritje ekonomike e qëndrueshme, që të kemi stabilitet buxhetor. Në program ne kemi edhe politikat për nxitjen e ndërmarrjeve për pjesëmarrje në tregun botëror dhe evropian".

"Zhvillimin e sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe sektorit privat, në përgjithësi, sepse ne mendojmë se vetëm rritja që vjen nga ky sektor, është një rritje stabile, nga e cila përfitojnë të gjithë”, thotë Bajrami për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka alternativë qeverisëse për ringjalljen e ekonomisë së vendit. Programi i kësaj partie përbëhet nga tri shtylla: nga shteti zhvillimor, shteti i së drejtës dhe shteti social, thotë Dardan Sejdiu nga kjo lëvizje, duke shtuar se programi ekonomik i Vetëvendosjes, është diametralisht i kundërt me modelin aktual ekonomik.

Mbrojtja dhe zhvillimi i prodhimit vendor është hapi i parë që Vetëvendosja konsideron se do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend.
Hapi i parë është krijimi i politikave, të cilat mbrojnë prodhuesin vendor dhe i mundësojnë atij që të rritet dhe në këtë mënyrë, krijojmë vende të reja pune.

“Hapi i parë është krijimi i politikave, të cilat mbrojnë prodhuesin vendor dhe i mundësojnë atij që të rritet dhe në këtë mënyrë, krijojmë vende të reja të punës".

"Kemi parasysh se ne kemi deficitin tregtar tani 12 me 1. Do të thotë 12 herë më shumë importojmë sesa eksportojmë. Shumicën e këtyre importeve i kemi gjëra ushqimore. Prandaj, ne mendojmë dhe besojmë se Kosova ka kapacitete t'i zëvendësojë këto, po qe se kemi politika të mirëfillta ekonomike në vend"
, shprehet Sejdiu.

Donika Kada-Bujupi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh deputete në Kuvend, konsideron se Kosova duhet të kthehet nga të qenët problem ekonomik, në një vend të mundësive. Sipas saj, Kosova ka resurse të mëdha natyrore dhe humane të pashfrytëzuara.

Sektori i potencial që Aleanca konsideron si fushë që ndikon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, është prodhimi i energjisë elektrike.

Ndërsa, për mjetet e nevojshme materiale për të investuar në këto projekte, Kada-Bujupi, vlerëson se për prodhimin e energjisë, janë të interesuar edhe investitorët e huaj.

“Flasim për tonelatat e mëdha, me të cilat Kosova identifikohet e që është thëngjilli. Mund të prodhohet energji elektrike dhe Kosovën ta bëjë faktor në rajon. E dimë që energjia është një 'mall', i cili në vazhdimësi është kërkesë në rritje, ndërsa në pesë vitet e fundit edhe projektet e mbetura dhe të hartuara nga ish-Qeveria e AAK-së, në fakt janë degraduar dhe zhvlerësuar”, thekson Kadaj-Bujupi.

Sidoqoftë, përfaqësues të ekzekutivit tashmë sa herë kanë deklaruar se viteve të fundit ka pasur zhvillim të përgjithshëm ekonomik.
XS
SM
MD
LG