Ndërlidhjet

Maqedoni: Shlyerja e borxheve, masë populiste e Qeverisë


Ilustrim
Ilustrim

Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë për shlyerjen e borxheve për disa kategori të qytetarëve, ka hasur në jehonë të madhe në mesin e atyre që për shkaqe të ndryshme nuk kanë mundur të paguajnë faturat e energjisë elektrike, të ujit, apo të shlyejnë obligimet kreditore ndaj bankave.

Afati i paraqitjes së kërkesave ka skaduar të hënën, ndërsa sipas të dhënave të para, mbi 45 mijë qytetarë kanë aplikuar për të përfituar nga vendimi i Qeverisë, i cili nga njohësit e çështjeve ekonomike është vlerësuar më tepër si masë populiste, se sa si angazhim i saj për t'u dalë në ndihmë familjeve me gjendje të rëndë sociale.

Qytetarët thonë se papunësia dhe të ardhurat e ulëta mujore, kanë bërë që të mos jenë në gjendje t'i paguajnë faturat për vite me radhë.

“Me çfarë ta paguajmë? Tash 30 vjet kërkoj punë, po s'ka. Jam vetë i shtati në familje“, thotë Zymer Ferati, nga Shkupi.

Ndërsa, një tjetër banor thotë se e ka të vështirë t'i shlyejë detyrimet pasi jeton me ndihmë sociale:

“Jetojmë me ndihmë sociale, si do të paguajmë rrymë, ujë, tatime e gjëra të tjera. Punë kërkojmë po s'ka“.

Unë marr pension minimal prej 7 mijë denarësh apo 110 euro, me të cilat mund të paguaj vetëm faturat nëse i paguaj rregullisht. Për ushqim nuk mbetet asnjë denar, nuk kemi zgjidhje tjetër pos të heqim dorë nga pagesa e faturave, jo që duam ta bëjmë këtë, por jemi të detyruar", thotë Zorica, një grua e moshuar.

“Shpresoj se do të na e shlyejnë borxhin, jam i papunë, marr një ndihmë sociale që nuk del as për kafshatën e gojës“, thotë një tjetër qytetar.

Osmani, një tjetër banor i Shkupit, thotë se gati 40 vjet vazhdimisht ka trokitur në dyert e Entit për Punësim, por asnjëherë nuk ka arritur të gjejë punë dhe tani ka ardhur në situatë të aplikojë për faljen e borxhit nga ana e shtetit.

“Në Entin për Punësim kërkoj punë nga viti 1969, por asnjëherë nuk e ka parë të udhës të më gjejë një punë. Jam vetë i 11-ti në shtëpi", tregon Osmani.

Kërkesat e paraqitura nga ana e qytetarëve nuk do të thotë se edhe do të pranohen. Ato do t'i nënshtrohen një komisioni të posaçëm, i cili do të vlerësojë nëse ata i plotësojnë kushtet, e të cilat janë të shumta, nga ç'gjë, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, nuk përjashtohet mundësia e refuzimit të tyre.

Ata thonë se masa e Qeverisë më tepër mund të vlerësohet si populiste se sa si brengosje e saj për fatin e kësaj kategorie të qytetarëve.

Ilija Acevski, profesor në Universitetin e Shkupit thotë se numri prej mbi 45 mijë kërkesave tregon gjendjen e rëndë, në të cilën ndodhet shoqëria në Maqedoni.

“Kjo flet se një kategori e caktuar e popullatës në Maqedoni përballet me mungesën e kushteve më elementare për jetë. Ata nuk mund t'i paguajnë faturat e rrymës dhe ujit. Kjo është një pasqyrë, vërtet, e dhimbshme“, vlerëson Acevski.

Ai madje konsideron se masa e Qeverisë së Maqedonisë nuk i zgjidh problemet e tyre, por ajo do të jetë vetëm në shërbim të partive në pushtet, të cilat i fituan zgjedhjet me premtime të ndryshme, përfshirë edhe këtë për shlyerjen e borxheve.

XS
SM
MD
LG