Ndërlidhjet

VAZHDON GREVA E PUNËTORËVE NË QKU


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Punonjësit e qendrës universitare të Prishtinës, të cilët kanë hyrë në ditën e 17-të të grevës, janë të vendosur që të insistojnë në përmbushjen e kërkesave të tyre. Këto kërkesa kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve për trajtimin e pacientëve, por edhe për përmirësimin e kushteve të punës për vetë punonjësit.

Sali Krasniqi, udhëheqës i këshillit grevist, tha se nëse qeveria e Kosovës i përmbush vetëm 7 kërkesa, sikur se ka thënë, greva nuk do të përmbyllet edhe pa përmbushjen e kërkesës së tetë, e cila ka të bëjë me rritjen e pagave për 300 përqind.

Për këtë rritje pagash qeveria e Kosovës ka deklaruar se nuk ka mundësi reale për ta përmbushur.
"Anëtarësia është këmbëngulëse dhe nuk do të lëshojë pe. Sot patëm një mbledhje me punëtorët shëndetësorë në klinikën e kirurgjisë, ku morën pjesë afro 300 vetë, të cilët insistuan që të mos nënshkruhet asgjë pa u marrë vesh me ta", tha zoti Krasniqi.

Deri tani këshilli i sindikatës ka patur takime zyrtare me përfaqësues të qeverisë, thotë zoti Krasniqi. Ata kanë premtuar se 7 kërkesat që kanë të bëjnë me përmirësimin e trajtimit të këtyre pacientëve do të përmbushen.

"Kemi patur 3 takime zyrtare deri tani, i kemi bërë kërkesat gojarisht me ta dhe aty ka qenë një progres, sepse ka filluar të interesohet dhe vetë qeveria. Ditën e katërmbëdhjetë ka filluar dhe qeveria dhe kanë thënë se do t'i realizojnë 7 pikat e para.
Ndërsa sa i përket pikës së fundit për ngritjen e pagave, nuk do të ketë mundësi të realizohet", tha zoti Krasniqi.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 800 mijë euro me qëllim ndërhyrjen emergjente për përmirësimin e gjendjes aktuale në infrastrukturën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, siç është mirëmbajtja e pajisjeve mjekësore. Por kjo shumë të hollash për zotin Krasniqi është e pamjaftueshme.

"Qeveria tha se do të ndajë 800 mijë euro për mirëmbajtjen e pajisjeve. Megjithatë është një shumë minimale për të mbuluar gjithë gjërat që nevojiten të bëhen", tha zoti Krasniqi.
.
Ndryshe, sipas zotit Krasniqi, gjendja në Qendrën Klinike është shumë e rëndë,meqë janë duke u trajtuar vetëm rastet urgjente, megjithë mungesën e barnave thelbësore.

"Trajtimi i pacientëve është vetëm për rastet emergjente, edhe ato me një rrezikshmëri sepse nuk ka kushte fare për t'u trajtuar. Për të mos e pësuar për shkak të ndihmës mjekësore, atëhere ne e trajtojmë. Përndryshe pacientët janë të detyruar t'i blejnë të gjitha sendet, pasi nuk ka kurrgjë në këtë rrugë", tha zoti Krasniqi.

Situata në sistemin e shëndetësisë është diskutuar edhe në një seancë të veçantë të Kuvendit të Kosovës, por deri më tash nuk është gjendur asnjë rrugëdalje.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG