Ndërlidhjet

NË KOSOVË PËRSHËNDETET LIRIMI I FATMIR LIMAJT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Qytetarët e Prishtinës e kanë festuar vendimin për lirimin e Fatmir Limajt, vetëm pak minuta pasi Gjykata Ndërkombëtare në Hagë ka kumtuar pafajësinë e tij nga akuzat me të cilat qe përballur gjatë më se një viti të procesit gjyqësor.
Disa mijëra njerëz edhe në këto orë po festojnë nëpër rrugët e Prishtinës, por edhe të qyteteve të tjera të Kosovës, për atë që qytetarët e kanë quajtur fitore të drejtësisë ndërkombëtare.
Më të emocionuarit ishin vetë familjarët e Fatmir Limajt. Vëllai i tij, Demir Limaj, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës, në një bisedë nga Haga për Radion Evropa e Lirë, tha se familja gjatë gjithë kohës ka qenë e bindur për pafajësinë e Fatmir Limajt:
"Ne si familje kemi qene të bindur që tre vjet që Fatmiri është i pafajshëm dhe konsideroj se është e nevojshme të përmendet edhe sllogani i tij se “jam i pastër si loti”. Dhe, më në fund drejtësia ndërkombëtare e vërtetoi pafajësinë e tij të sinqertë dhe të pastër si loti."
Duke komentuar reagimin e qytetarëve të Kosovës për këtë vendim të Gjykatës së Hagës, Demir Limaj e quajti këtë gëzim të arsyeshëm, pasi sipas tij, vetë qytetarët kanë qënë ata që kanë bërë më së shumti për lirimin e Fatmir Limajt:
"Kontributin më të madh në këtë proces që e kanë dhënë për lirimin e Fatmirit janë vetë qytetarët e Kosovës dhe ju uroj të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe jua uroj fitoren e UÇK-së për pavarësi. Është gëzim i madh dhe me thënë të drejtën ata asgjë më tepër, por edhe sonte po e japin një kontribut për fitoren e këtij procesi shumë të rëndësishëm, sidomos kur kemi parasysh rrethanat dhe zhvillimet politike në të cilat gjendet Kosova sot."
Fatmir Limaj atëbotë, deputet në legjislacionin e parë të Kuvendit të Kosovës dhe shef i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, qe arrestuar nga Tribunali i Hagës në shkurt të vitit 2003 nën akuzat për krime lufte të kryera kundër civilëve shqiptarë dhe atyre serbë gjatë verës së vitit 1998, akuza të cilat Gjykata sot i cilësoi si të pabaza.
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova përmes një deklarate me shkrim e ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës së Hagës që shpalli të pafajshëm luftëtarin e UÇK-së dhe politikanin e njohur të pasluftës, z. Fatmir Limajn, si dhe pafajësinë e luftëtarit tjetër, Isak Musliut.
Presidenti Rugova shpreh besimin se vendimi i sotëm nuk i shteron mundësitë ligjore të Haradin Balajt në betejën e tij ligjore për t’u mbrojtur nga akuzat për krime të luftës.
Gjykimi i sotëm vërteton drejtësinë e luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës kundër okupimit serb, drejtësinë e luftës për liri dhe pavarësi të vendit tonë, si dhe besueshmërinë në drejtësinë ndërkombëtare dhe në Tribunalin e Hagës, thuhet në deklaratën e presidentit Rugova, ndërkohë që kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi ka thënë se vendimi i sotëm është edhe një dëshmi se Fatmiri dhe bashkëluftëtarët e tij kanë pasur vetëm një qëllim në jetë: luftën për lirinë e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës, anëtar i të cilës është Fatmir Limaj, në një komunikatë ka thënë se më në fund fitoi drejtësia ndërkombëtare, ndaj së cilës kurrë nuk e kemi humbur besimin tonë ndaj saj, ashtu siç e kishte respektuar atë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se ky është një lajm shumë i mirë dhe ngjarje e rëndësishme për Kosovën dhe uron kthimin e zotit Limaj në shoqërinë dhe politikën kosovare.



XS
SM
MD
LG