Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

NDEROHET USHTARI SHQIPTAR I VRARË NË IRAK


Alma Çupi, Tiranë

Djali nga Shqipëria Ervin Dervishi që u vra më 24 janar në Irak si efektiv i forcave amerikane në misionin paqeruajtës, u nderua sot me homazhe të veçanta.
Trupat komando në Shqipëri zhvilluan një ceremoni përkujtimore në nder të Dervishit, që është shpallur "Martir i Kombit".
Ministri shqiptar i Mbrojtjes Pandeli Majko dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, James Jeffrey morën pjesë në nderim të ushtarit shqiptar, i cili humbi jetën gjatë një atentati të forcave guerile bërë automjetit ku ai ndodhej.
Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, James Jeffrey tha se Ervini ishte shqiptari që vdiq me flamurin amerikan në krahun e tij dhe flamurin shqiptar në zemrën e tij.
"Ishte një ushtar i Shteteve të Bashkuara dhe ishte një ushtar i Republikës së Shqipërisë. Ishte një ushtar për një Irak më të mirë dhe për një botë më të paqme. Ai mbante një flamur amerikan në krahun e tij dhe mbante një flamur shqiptar në zemrën e tij."
Pas këtyre fjalëve të ambasadorit të SHBA-së në Tiranë foli Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, ku tha se Ervin Dervishi u jep kurajo forcave paqeruajtëse që të luftojnë terrorizmin.
"Ne jemi sot të gjithë bashkë sepse Ervin Dervishi na bën të ndihemi më dinjitozë në vendosmërinë tonë për të qenë pjesëtarë të koalicionit të madh të NATO-s që vepron në Irak, aty ku luftojnë edhe djemtë tanë nën flamurin e përbashkët të shpresës për një botë më të sigurtë, për një paqe më të qëndrueshme kudo në botë".
Gjithashtu trupat amerikane kanë zhvilluar sot një ceremoni në Bagdad, për të nderuar kujtimin e Ervin Dervishit, i cili ishte pjesëtar i Divizionit të katërt të Këmbësorisë amerikane. Ushtarët dhe komandantët e Dervishit vlerësuan shpirtin e tij luftarak dhe vullnetin për të marrë pjesë në çdo mision, pavarësisht rreziqeve.
Edhe Prishtina e përkujtoi sot Ervin Dervishin me ndezjen e qindra qirinjve.
21 vjeçari Dervishi emigroi pesë vjet më parë në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen etij. Në muajin mars të këtij viti ai do të mbaronte ushtrinë për t'u kthyer pranë familjes.

XS
SM
MD
LG