Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

BERISHA:'NANO IK' - LËVIZJE GANDISTE DHE MBARËKOMBËTARE


Sali Berisha, Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, keni paralajmëruar vazhdimin e protestave paqësore, madje pas 20 marsit në formë të përditshme. A jeni optimistë se në këtë formë në një afat jo të largët do të detyroni kryeministrin Nano të japë dorëheqjen?

SALI BERISHA
Kryeministri shqiptar është tërësisht i pashpresë. Nuk ka asnjë dyshim se lëvizja " Nano Ik", si një lëvizje për të larguar këtë qeverisje dhe hapur rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nën një qeveri të përkohshme, është e pandalshme dhe do të përfshijë çdo skaj të Shqipërisë. Jam shumë i bindur se çdo ditë që kalon toka po i rrëshket nën këmbë dhe ai po mbetet gjithnjë e më i izoluar, i rrethuar nga një grusht drejtuesish, të cilët i lidhin vetëm interesat e ekonomisë kriminale që ata menaxhojnë në monopolet e tyre private. Kështu që kjo është një lëvizje siç e keni marrë vesh dhe juve dhe siç e keni konstatuar, e cila mund të them se ka patur një jehonë pozitive botërore. Natyrisht vendosmëria jonë është e palëkundur që ta mbajmë atë në kuadrin e një lëvizjeje të tipit Gandist të nonviolencës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, kryesia e Partisë Socialiste ka miratuar idenë për një pakt të stabilitetit me opozitën për reformat e integrimit të vendit. Si i përgjigjeni ju kësaj oferte?

SALI BERISHA
Mund t'ju them ju se Fatos Nano ka kuptim të kundërt me reformat. Ne nënshkruam një marrëveshje para dy vjetësh pikë për pikë për t'ju përgjigjur reformave. Dhe në përgjigje të kësaj marrëveshjeje, mori e vuri në krye të doganave një kontrabandist të arrestuar dhe të dënuar për kontrabandë cigaresh. Pas dy vjetësh rikthejnë në qeveri dy nga simbolet më të zeza të korrupsionit shqiptar, Anastas Angjelin dhe Bashkim Finon, për të cilët ai përmbysi qeverinë Meta. Unë dua të informoj dëgjuesit e radios suaj se Fatos Nano është tani në krye të përpjekjeve për abuzimin me ligjin, me pushtetin. Po krijon si kërpudha njëra mbas tjetrës ndërmarrjet dhe monopolet e tij duke u bazuar tërësisht në kontrabandën dhe veprimtarinë informale dhe të paligjshme. Kështu që kjo është thjesht një makinacion që ai bën, por lëvizja "Nano Ik" është përgjigja më e vendosur e nismave të tij të dështuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, keni thënë se korrespondenca e presidentit Moisiu me kryeministrin Nano është një fyerje për lëvizjen "Nano Ik". Pse dhe cili është roli e pozicionimi i presidentit Moisiu në zhvillimet e fundit në Shqipëri?

SALI BERISHA
Është një hipokrizi e paskrupullt nga e cila nuk mund të ketë asnjë impresionim. Ai është autori i dhunimit të marrëveshjeve ndërpartiake, ndonëse erdhi vetë me konsensus. Ai është autor i dhunimit të Kodit Zgjedhor, ai bëri interpretimin ligjor në përputhje me interesat e Fatos Nanos për të dhunuar zgjedhjet. Por duke thënë të gjitha këto duhet të theksoj se ai nuk është problemi i vendit. Problemi numër një i vendit është Fatos Nano dhe qeverisja e tij. Ndaj dhe nuk mund të zgjidhet kriza me bizantinizma. Ky është koncepti im dhe ky është qëndrimi im.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, a mendoni se lëvizja "Nano Ik" është mjaft monolite për të qëndruar një kohë më të gjatë në skenën politike, përkatësisht deri në largimin e Fatos Nanos dhe qeverisë së tij?

SALI BERISHA
Unë shoh që ajo po bëhet një lëvizje mbarë kombëtare, po pushton dhe kryeqytetet e vendeve të tjera ku ndodhen shqiptarë në emigracion. Lëvizja ka një konsensus që unë gjatë këtyre 13 vjetëve, nuk mbaj mend një tryezë me një konsensus të tillë. Kam besimin e madh se kjo lëvizje do të realizojë atë që synon. Është një lëvizje shprese dhe unë atë që shoh si gjënë më pozitive, shoh shpresën që po lind dhe po rritet çdo ditë tek shqiptarët dhe kjo është ajo që më impresionon mua më shumë se çdo gjë tjetër në këtë lëvizje.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, si e vlerësoni pozicionimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj lëvizjes " Nano Ik" dhe në përgjithësi ndaj zhvillimeve të fundit në Shqipëri?

SALI BERISHA
Unë kam këtë vlerësim. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar me pozicionimet e tij ka ndihmuar lëvizjen "Nano Ik", mbasi ka bërë të qartë se standardet e protestave janë të pacënueshme në një vend si Shqipëria, ndaj dhe unë për këtë i falenderoj. Natyrisht kam patur një keqardhje për reagimin ndaj datës 7 shkurt, jo për faktin se u dënua dhuna, sepse absolutisht, jam kategorikisht kundër dhunës, por për të gjithë ata që panë ngjarjen e datës 7, çfarë panë? Të parat që u përdorën kundër demonstruesve, të parat fare, nuk ishin as shkopijtë e gomës, as gazi lotsjellës, as pompat e ujit, nuk ishin as mburojat, ishin kallashnikovët mbi kokat e tyre. Regjimi i Fatos Nanos provoi vullnetin për të përgjakur Tiranën. Unë e di që kancelaritë e mëdha e kanë shënuar këtë moment dhe ja kanë përcjellë qeverisë shqiptare, por nga ana tjetër unë jam i bindur se dhuna me datën 7, ishte një gjë e organizuar nga qeveria, në mënyrë që të krijohej gjakderdhja. Natyrisht kam një dialog konstant me faktorin ndërkombëtar, të vazhdueshëm, të pandërprerë, duke paraqitur fakte, dokumenta mbi lëvizjen "Nano Ik" dhe unë shikoj që ky dialog është shumë i frytshëm.

Intervistoi Melazim Koci
XS
SM
MD
LG