Ndërlidhjet

5 VJET PAS- LULE PËR NATO-N


Bekim Bislimi, Prishtinë

Sfidat e pasluftës akoma mbeten të mëdha dhe në përballje me sfidat e tilla, përkrahja e NATO-s mbetet faktori vendimtar, ka thënë kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, në tubimin e qytetarëve që sot u organizua nga Shoqëria Civile Kosovare, me rastin e 5 vjetorit të fillimit të fushatës ajrore të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë. Ai edhe me këtë rast ka shprehur mirënjohjen e tij për NATO-n dhe të gjitha vendet që kanë dërguar ushtarë në kuadër të KFOR-it.
“Shteteve anëtare të NATO-s dhe familjeve të atyre që kanë rënë në Kosovë në 5 vitet e fundit, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta. Kosovarët do t’i jenë përherë mirënjohës bashkësisë ndërkombëtare dhe NATO-s për ndihmën në çlirimin e Kosovës dhe asnjë nga ne nuk guxon të lejojë që ky falenderim të vihet në pyetje nga çfarëdo veprimi i papërgjegjshëm”.
Në emër të Shoqërisë Civile, Veton Surroi tha se 5 vjetë më parë, 24 marsi ishte momenti i zgjimit për të gjithë ata që mendonin se, siç u shpreh ai, diktatura dhe fashizmi serb mund të ndalet me fjalë.
“Edhe sot, këtu, jemi në një moment zgjimi ku mund të shohim se Kosova nuk mund të ecë më kështu, se Kosova nuk mund të ecë me përkujtim të dhunës, se Kosova nuk mund të ecë me djersitjen e frikës, se Kosova nuk mund të ecë me barkun e thatë të të papunëve”.
Pas përfundimit të fjalimeve zyrtare, qytetarët filluan të shpërndajnë lule për paqeruajtësit në shenjë falendërimi për angazhimin e tyre. Një paqeruajtës britanik, koloneli Uelsh, me lule në duar, tha se ishte shumë i prekur nga ky gjest, por tërhoqi vërrejtjen se “ka ende shumë punë për tu bërë”. Një ushtar tjetër, Gjonatan Henlon, gjithashtu me lule në duar, tha se “është ndjenjë e mirë që paqeruajtësit janë të mirëseardhur në punën e tyre për të ndihmuar situatën”.
Lule kishte marrë edhe një polic ndërkombëtar, Val Stjuart.
“Këto lule, për mua janë shenjë e mirënjohjes së popullit në Kosovë për punën e mirë që i tërë shërbimi policor po e bën, qofshin ata pjesëtarë të policisë ndërkombëtare, të Shërbimit Policor të Kosovës ose paqeruajtës”, tha zoti Stjuart.
Ndryshe, dita e sotme në Kosovë njihet si ditë që ka shënuar pikën kthesë në historinë e Kosovës. I të njëjtit mendim është edhe analisti Ylber Hysa, i cili thotë se qytetarët e Kosovës kanë përfituar shumë në këto 5 vitet e fundit.
“Për kosovarët, të cilët 5 vite më parë kanë qenë në një pikëpyetje ekzistenciale, kjo ditë është më shumë se një ditë shprese, është ditë kur historia kthehet për të mirë dhe e hapë procesin, i cili do të mundësojë një lloj ndërtimi të normalitetit me perspektivë për të ardhmen, për të ndërtuar një shoqëri demokratike dhe për të siguruar atë që shumica e qytetarëve e kanë dëshiruar një kohë të gjatë”.
Duke folur për arritjet dhe dështimet gjatë kësaj periudhe, qoftë të autoriteteve ndërkombëtare, qoftë të atyre vendore, ai tha se ato nuk kanë munguar, por i tërë procesi asesi nuk mund të cilësohet si dështim.
XS
SM
MD
LG