Ndërlidhjet

HASHIM THAÇI: PËR KOSOVËN DO TË VENDOS PRISHTINA DHE NDËRKOMBËTARËT


Intervistë me Hashim THAÇIN, kyetar i Partisë Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, kryeministri i Serbisë, Gjingjiq ka thënë së fundi se Kosova po e ndërton një shtet të pavarur dhe ka kërkuar pengimin e pavarësimit të Kosovës përmes fillimit të menjëhershëm të bisedimeve. Në të vërtetë, si i vlerësoni ju këto qëndrime të kryeministrit Gjingjiq?

HASHIM THAÇI
Angazhimet e spektrit politik, të institucioneve të Kosovës, por edhe të faktorit ndërkombëtar që është i instaluar në Kosovë janë në drejtim të ndërtimit të institucioneve dhe të shoqërisë demokratike dhe ndërtimit të një vendi me të vërtetë me elemente dhe standarde perëndimore dhe këto angazhime do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, do ta thellojmë këtë bashkëpunim me ndërkombëtarët. Por, në kuadër të kësaj do t’i kushtojmë jë rëndësi të veçantë edhe bashkëpunimit me fqinjët, ndërtimit të raporteve të fqinjësisë së mirë dhe ndërtimit të realiteteve demokratike në rajon, si parakusht për integrim në strukturat politike dhe ekonomike evropiane dhe në kuadër të kësaj, mendoj se përcaktimi i qytetarëve të Kosovës për statusin politik është i qartë – pavarësia e Kosovës. Por, në të njëjtën kohë, jemi duke punuar shumë seriozisht për demokratizimin e plotë të vendit dhe të shoqërisë kosovare, kështu që ky përcaktim i kosovarëve dhe ndërkombëtarëve nuk duhet ta pengojë askë dhe nuk është në të keqen e askujt.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a mendoni ju zoti Thaçi se fillimi i menjëhershëm i bisedimeve do ta pengonte pavarësimin e Kosovës, siç ka thënë zoti Gjingjiq?

HASHIM THAÇI
Shtrohet pyetja se për çka duhet biseduar, me kë duhet biseduar dhe cila është adresa për të bsieduar kosovarët. Mendoj se kosovarët duhet të bisedojnë seriozisht rrteth harmonizimit të prioriteteve të përbashkëta vendore me ato ndërkombëtare në Kosovë dhe rajon dhe në kuadër të kësaj edhe të ndërtimit të raporteve konstruktive me fqinjët. Por, ne duhet të ndërtojmë realitetin e shtetësisë së Kosovës, pastaj që edhe bota të njohë këtë realitet.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kaudër cili, sipas jush, do të ishte modeli për t’i hyrë përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës?

HASHIM THAÇI
Po, ka shumë mundësi për të realizuar pavarësinë e Kosovës, por unë mendoj se duhet patjetër që ne t’i kryejmë obligimet tona si vendorë, të bindim botën se pavarësia e Kosovës është në të mirën e regjionit, në të mirë të angazhimit të perëndimit në rajon dhe natyrisht edhe në të mirë të fqinjëve. Duhet të garantojmë se në Kosovë do të jenë të lirë dhe do të gëzojnë të drejta të barabarta të gjithë qytetarët e vendit, të ndërtojmë një shtet të pavarur, të lirë dhe demokratik për të gjithë qytetarët dhe të ngadhënjejë demokracia qytetare. Kështu, që ne duhet të ndërtojmë realitetin demokratik dhe bota të njohë këtë realitet, por çështja e statusit politik duyhet kuptuar se nuk vetëm çështje e kosovarëve, por edhe e ndërkombëtarëve, ashtu si edhe standardet që janë çështje të ndërkombëtarëve, por edhe prioritete tonat. Pra, procesi është i ndërlidhur ndërlidhur ndërmjet faktorëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë, duke mos i përjashtuar as fqinjët, por për Kosovën do të vendosë Prishtina dhe ndërkombëtarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, kryeadministratori Steiner pati përcaktuar disa standarde që duhen përmbushur. Në mesin e këtyre është edhe kthimi i serbëve të zhvendosur, që është përcaktuar si prioritet për këtë vit. Çfarë në të vërtetë mund të bëjnë liderët shqiptarë në këtë kuptim?

HASHIM THAÇI
Standardet e përcaktuara nga shefi i UNMIK-ut nuk janë vetëm standarde të tij, por janë tandarde dhe kritere që kanë përcaktuar edhe liderët kosovarë dhe shoqëria t’i realizojnë në praktikë dhe mendoj se janë bërë hapa të mirë në drejtim të implementimit të këtyre çështjeve. Ka hapësirë për punë, kemi edhe përgjegjësi për një debat të hapur mes institucioneve vendore dhe administratës ndërkombëtare për të gjitha çështjet e diskutuara që kohët e fundit kanë marrë edhe një kah të kundërthënieve ndërmjet ndërkombëtarëve dhe vendorëve, jo se kosovarët nuk duan të implementojnë standardet, por dëshirojnë të diskutojnë për këto standarde, në mënyrë që të kemi një periudhë kohore të implementimit të tyre dhe të hapet perspektiva e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. Kështu, një prej çështjeve më të rëndësishme në të cilën jemi angazhuar edhe konkretisht ne si liderë kosovarë, ka qenë që të parapërgatitet terreni dhe të merret përgjegjësia edhe nga ana kosovare për kthimin e refugjatëve, që janë të zhvendosur jashtë Kosovës të të gjitha komuniteteve dhe PDK ka dalë me propozimin që Parlamenti i Kosovës të nxjerrë rezolutën për kthimin, që është bërë nga Parlamenti. Mendoj se tashmë ky proces është kosovarizuar dhe ka fituar edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, por mendoj se edhe Beogradi duhet të luajë rol më konstruktiv, sepse nuk është as në interesin e Beogradit që të pengojë kthimin e të zhvendosurve në Kosovë dhe pastaj të manipulojë me çështjen e të zhvendosurve.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga standardet zoti Thaçi është edhe çështja e sigurisë. Cili është qëndrimi juaj për situatën e sigurisë. Si e vlerësoni atë dhe raportet ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe pranisë ndërkombëtare?

HASHIM THAÇI
Mendoj se raportet ndërmjet institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare janë të mira, por mund të jenë më efikase në implementimin e prioriteteve tona të përbashkëta. Ndërsa, sa i përket sigurisë, ajo është më e mirë. Kanë ndodhur incidente kohët e fundit, të cilat kanë qenë të diksutueshme nga opinioni, por sido që të jet ne duhet t’u besojmë organeve të hetuesisë, organeve të drejtësisë dhe asnjë politikan apo bartës i institucionit të paragjykojë incidentet që ndodhin në Kosovë. Këto incidente janë të dënuara nga të gjithë ne, mirëpo ne nuk kemi argumente se këto incidente janë të motivuara politikisht, por kemi argumente se këto incidente nga individë të ndryshëm janë instrumentalizuar për të fituar poena politikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër zoti Thaçi, institucionet e Kosovës vazhdimisht janë ankuar për mungesë kompetencash. A kanë institucionet e Kosovës kompetenca të mjaftueshme apo si duhet t’i fitojnë ato?

HASHIM THAÇI
Unë besoj se në këtë fillimviti do të ndodhë një bartje graduale e kompetencave nga UNMIK-u tek autoritetet vendore dhe besoj se në këtë dhjetëditësh do të kemi zhvillime aktive në drejtim të zhvillimit të një debati transparent ndërmjet vendorëve dhe ndërkombëtarëve, në mënyrë që t’i diskutojmë standardet, harmonizimin dhe implementimin sa më të shpejtë të standardeve dhe bartjen e kompetencave te vendorët. Por, në të njëjtën kohë ne duhet të jemi vetëkritikë sa u përket disa angazhimeve të vendorëve dhe institucioneve vendore, në çështje të caktuara institucionale. Vazhdimisht kërkojmë kompetenca dhe është mirë që kërkojmë, pasi jemi të gatshëm t’i implementojmë, por në të njëjtën kohë duhet të jemi edhe të vetëpërgjegjshëm për angazhimet që i bëjmë në kuadër të institucioneve vendore, ta zëmë ne kemi kompetenca të plota të shëndetësi apo arsim, por është e vërtetë se reformat as që kanë filluar në shëndetësi dhe arsim.
Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG