Ndërlidhjet

BAJRAM REXHEPI: NE JEMI PËR DIALOGU - POR NË KOHËN E DUHUR…


Zijadin Gashi, Prishtinë Ndërkohë që qeveria pret deklarimin e Kuvendit, kryesia e këtij institucioni është takuar dhe ka përcaktuar rendin e ditës, por aty nuk është përcaktuar që në rend të ditës të jetë edhe platforma për dialogun me Beogradin.

"Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk do të fillojë së shpejti dhe kjo çështje do të shqyrtohet edhe njëherë nga institucionet e përkohshme vendore", ka thënë kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi. Qeveria e Kosovës nuk e ka formuar as delegacionin e vet për këto bisedime, ndërkohë që nga kabienti i zotit Rexhepi është thënë se qeveria pret që paraprakisht t'i marrë kompetencat e pastaj të filloj bisedimet, në mënyrë që pala kosovare të jetë e barabartë në këtë dialog eventual, i cili është paraparë që të zhvillohet për disa çështje teknike. Kryeministri Rexhepi tha se subjektet relevante në Prishtinë ende nuk kanë një qëndrim të caktuar dhe shtoi se ai nuk e sheh si çështje të ngutshme hapjen e bisedimeve me qeverinë e Serbisë.

- Nuk ka ende qëndrim…për këtë do të bëhen përgatitjet e duhura. Unë nuk shoh kurrfarë urgjence për këtë dialog, - tha kryeministri Rexhepi.

Ai theksoi se para se të hapet ky dialog eventual, qeveria e tij ka nevojë edhe për mbështetjen nga Kuvendi si institucioni më i lartë vendor.

- Do të bëhen përgatitje të mira… të shohim ku është interesi i Kosovës, a është për këtë dialog, të kemi konfirmimin po ashtu nga parlamenti dhe të mos shkojmë në dialog sa për simbolikë, por të shohim nëse ka interesa të përbashkëta. Ne jemi pro dialogut por në kohën e duhur, me përgatitjet e duhura, - tha Bajram Rexhepi.

Kryeministri Rexhepi ka shtuar në vazhdim që gjatë kësaj jave nuk ka kurrfarë gjasësh që ky dialog të filloj. Ndërkaq, burime të tjera nga qeveria kanë thënë se ky institucion së pari do t'i caktojë disa çështje të tjera përveç atyre që ka caktuar zoti Shtajner për këto bisedime, siç është çështja e bisedimeve me Beogradin për personat e zhdukur gjatë luftës dhe hapja e dialogut për dëmet e luftës që Serbia i ka shkaktuar Kosovës. Mirëpo ndërkohë që qeveria pret deklarimin e Kuvendit, kryesia e këtij institucioni është takuar dhe ka përcaktuar rendin e ditës, por aty nuk është përcaktuar që në rend të ditës të jetë edhe platforma për dialogun me Beogradin. Mbështetja e vetme që qeveria ka sa i përket këtij dialogu, qëndron te deklarata e liderëve kosovarë, e nënshkuar në njëvjetorin e marrëveshjes për koalicionin e gjerë qeveritar, përmes së cilës liderët vendorë i inkurajuan institucionet vendore, siç thuhet në deklaratë, që t'i bashkohen UNMIKut në bisedimet me vendet e tjera.
XS
SM
MD
LG