Ndërlidhjet

MOORE:"BISEDIME PËR ÇËSHTJE PRAKTIKE PO, PËR STATUSIN FINAL BEOGRADIT ASNJË ROL"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, Javier Solana tha në Prishtinë se disa zyrtarë të Kosovës do ta shoqërojnë Michael Steinerin në Samitin e Bashkimit Evropian në Selanik. Çfarë do të thotë kjo?

PATRIK MOORE
Është e vërtetë që Solana e tha këtë, dhe para tij e kishte thënë edhe Steiner. Të dyja deklaratat kishin të përbashkët atë që ishin shumë të paqarta dhe shumë të mjegullta. Nuk specifikonin kush, nuk specifikonin pse - nuk po jepnin asnjë detaj. Kjo më kujton mënyrën sesi i trajtojnë prindërit fëmijët para ditëlindjes së tyre, ose para se t'u bëhet ndonjë surprizë e pakëndshme si për shembull një vizitë tek dentisti. Nuk u besoj atmosferave të fshehtësisë, nuk janë të shëndetshme dhe mendoj se nëse çdo gjë do ishte krejtësisht e sinqertë, duhet të specifikoheshin gjërat, të përmendeshin emrat që do merreshin, të nënvizoheshin dhe ndaheshin detyrat në publik.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, ka thirje për zhvillim të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit në Selanik për çështje praktike. Çfarë do të thotë kjo për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon?

PATRIK MOORE
Kur banon ngjitur me tjetrin, ka disa gjëra praktike që duhen diskutuar, si përshembull për kufijtë mes pronave, pasi është një gardh që duhet rregulluar, etj. Dhe kjo është diçka që Kosova duhet të diskutojë me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Shqipërinë, do të duhet të diskutojë strukturën e vendkalimeve kufitare. Kjo është absolutisht normale dhe e qartë si çëshje.
Problemi qëndron se disa njerëz nga të dyja anët e Atllantikut kanë ngritur çështjen e tyre të vjetër që Beogradit duhet t'i jepet një rol në çështjen e statusit final të Kosovës. Kjo siç e kam thënë më parë është helm.
Së pari për serbët në Kosovë, pasi i inkurajon që të shikojnë nga Beogradi për të patur përgjigje për problemet e tyre. Atyre i'u bë e qartë nga Gjinxhiçi dhjetorin e kaluar që e ardhmja e Kosovës do të vendoset në Kosovë dhe jo në Dedinje dhe që do të duhet të shikojnë nga Kosova si burim të zgjidhjes së çështjes së tyre.
Çdo përpjekje për të përfshirë Beogradin, thjesht krijon një iluzion për serbët në Kosovë që qendra e tyre politike vazhdon të mbetet në Beograd. Për serbët e Serbisë ky problem është gjithashtu i rrezikshëm, pasi ata kanë mjaft probleme me të cilat u duhet të përballen, si krimi i organizuar, korrupsioni, mafia, situata jo e qëndrueshme politike. Nuk u nevojitet dhe ngritja e një çështjeje nacionaliste në Kosovë.
Ajo që po them është kjo: çështjet praktike me të gjithë fqinjët janë diçka normale. Por Beogradi e humbi luftën për Kosovën dhe të gjithë ata që humbin luftëra duhet të pranojnë që humbin edhe territore dhe kjo është ajo që po ndodh. Procesi i dekolonizimit dhe i shpërbërjes së Jugosllavisë po vazhdon dhe Beogradit nuk i duhet dhënë asnjë rol në bisedimet për statusin final të Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, në Prishtinë disa shqiptarë të Kosovës mendojnë se Bashkimi Evropian do t'u bëjë presion për t'i futur në një lloj asociimi me Serbinë dhe Malin e Zi....

PATRIK MOORE
Po, kjo lidhet edhe me pyetjen tuaj të parë, kur po diskutonim çështjen e fshehtësisë.
Unë lexova një intervistë që Steiner dha për një gazetar gjerman para disa ditësh. Ishte një intervistë e gjatë dhe u befasova nga gjuha shumë e mjegullt që ishte përdorur. Është diçka e re për Steinerin pasi zakonisht është më direkt në thëniet e tij, dhe është e qartë për mua se një lloj befasie e pakëndshme po përgatitet në kuzhinat e Brukselit për popullin e Kosovës. Nëse kjo do të jetë një provë tjetër e përpjekjeve të BE-së për ndërtimin e shteteve, siç ishte ai i Serbi- Mali i Zi, i cili mesa duket nuk dëshirohet as nga serbët as nga malazezët, atëhere dyshoj se ky do të jetë një shembull tjetër në të cilin fuqia e madhe e Evropës kontinentale vjen në Ballkan për t'i trajtuar njerëzit si fëmijë dhe për t'u thënë atyre se çfarë duhet të bëjnë. Jam person me orientim demokratik dhe nga kjo nuk shikoj asgjë të këndshme.
Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG