Ndërlidhjet

MBËSHTETJA PËR BISEDIMET MBI NDARJEN E SERBISË DHE KOSOVËS


FINANCIAL TIMES

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do t'i mbështesin bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat do të mund të ndihmonin në dhënien fund të njërit nga kontestet më të gjata, që e ndjekin stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan.
Diplomatët e kanë shfaqur shpresën se bisedimet eventualisht do mund të çonin në një ndarje paqësore të Serbisë me Kosovën, me kufinj të njohur ndërkombëtarë.
Bisedimet pritet të fillojnë muajin që vjen jashtë rajonit. Kështu u tha në parim në samitin e Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Selanik, në të cilin liderët evropianë gjatë fundjavës e premtuan integrimin e vendeve dhe anëtarësimin e mundshëm të tyre në unionin nën kushte të rrepta.
Udhëheqësit evropianë në veçanti theksuan se rajoni duhet ta luftojë korrupsionin, trafikimin e qenieve njerëzore dhe të drogës, që ka marrë hov në Shqipëri, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci.
Këtyre vendeve u thanë se gjasat që ato më shumë t'i afrohen Evropës varen nga forcimi i pushtetit të ligjit, e sidomos nga bashkëpunimi ndërmjet forcave policore në rajon për t'i luftuar bandat kriminale.
"Këto vende e kanë rrugën e hapur për në Bashkimin Evropian. Ato e dijnë se çka duhet të bëjnë", ka thënë shefi i Politikës së Jashtme të unionit Havier Solana.
Në Samitin e Selanikut, Bashkimi Evropian gjithashtu ka premtuar edhe ndihma finansiare shtesë prej 200 milionë euro.
Por diplomatët thanë se ndryshimi i qëndrimeve në Samitin e pasqyroi konsenzusin në rritje të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, se çfarëdo integrimi stabil dhe afatgjatë i Ballkanit Perëndimor në Evropë nuk do të jetë i mundshëm përderisa nuk zgjidhen të gjitha mosmarrëveshjet territoriale dhe kontestet rreth kufirit.
"Ne tani e mbështesim dialogun", ka thënë kryeministri i Serbisë Zoran Zhivkoviq.
Ai ka insistuar që bisedimet të fillojnë vetëm pasi të largohet kryeadministratori i Kosovës Mihail Shtajner, i cili nga fundi i muajit e përfundon detyrën.
XS
SM
MD
LG