Ndërlidhjet

LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT PRIORITET MBI PRIORITETE


Ibrahim Rexhepi

Ndonëse puna e hetuesve italianë po bëhet larg nga opinioni, megjithatë nga ata pritet shumë. Së pari ata duhet të verifikojnë se sa është respektuar sllogani i ish-administratorit Steiner për të qenë jo tolerantë ndaj kontrabandës dhe korrupsionit. Ndërkaq ai kishte arsye pse e kërkonte këtë gjë. Atëhere por edhe tani Kosova gjendet para rrezikut që gjithshka të ndalohet për shkak të korrupsionit. Madje të rrezikohet edhe një stauts politik më i avancuar që ajo mund ta ketë. Me këtë situatë Kosova nuk ka institucione të veta që mund ta luftojnë krimin dhe korrupsionin. Ato nuk kanë forcë as guxim por mund të ndodhë që pikërisht institucionet që duhet të bëjnë këtë punë vetë të jenë të zhytura në korrupsion. E vërteta është se para organeve të drejtësisë për korrupsion nuk është përgjigjur asnjë individ apo person përgjegjës në ndonjë institucion. Kjo nuk do të thotë se Kosova është larg nga krimi korrupsioni apo propaganda. Por në fakt atë nuk ka se kush ta luftojë. Është ironike kur thuhet se Guardia di Finanzia duhet të largohet nga Kosova për shkak se nuk ka mundësi për financimin e saj. Në kohën kur megjithatë duhet bërë një prerje e bilancit financiar, largimi i këtyre hetuesve do të thotë mbyllje e hetimeve. Ndërkaq nga ditët e para të pasluftës Kosova ka përfituar ndihmë të madhe financiare kryesisht përmes donacioneve. Nga ana tjetër efektet e tyre janë shumë të vogla. Ku shkuan këto miliarda? Këtë duhet ta gjejnë hetuesit, në këtë rast ata të Guardia di Finanzia. Ka gjasa se hetimet rreth tenderave për të cilat janë shpenzuar shumë miliarë do të dërgohen deri tek establishmenti i lartë politik kosovar apo ndërkombëtar. Në opinion mbretëron bindja se pikërisht këtu është arsyeja pse duhet të largohen nga Kosova hetuesit italianë. Nëse tani flitet për emra të politikanëve që janë të zhytur në kontrabandë dhe korrupsion, atëhere mund të dëmtohet procesi politik. Por nëse lejohet që në emër të saj të marrë hov krimi, atëhere procesi politik sërisht do të korruptohet dhe do të kompromentohet. Prandaj mbyllja e hetimeve për këtë çështje do të ishte dëmi më i madh që mund t'i bëhet Kosovës. Duhet lejuar që të gjurmuar e vërteta pa marrë parasysh çfarë është ajo, përndryshe edhe më tej Kosova do të trajtohet si vrimë e zezë në tërë rajonin, si burim i krimit dhe i kontrabandës. Vërtet ajo nuk është e tillë por shumëkush përmes saj do të gjente mbulesë për të zezat e veta. Pikërisht për këtë arsye hetuesit nga Guardia di Finanzia duhet të qëndrojnë në Kosovë, pa marrë parasysh kërkesat financiare të tyre. Hetimet e sinqerta do të bëjnë që të identifikohen shumë bashta të kontrabandës dhe korrupsionit. Atëhere edhe luftimi i kësaj dukurie do të ishte më i lehtë, kurse përfitimet do të ishin shumë herë më të mëdha sesa shpenzimet që do të bënin ata. Në të kundërt largimi i tyre nga Kosova nuk mund të kuptohet ndryshe përveçse si dëshirë e UNMIK-ut dhe e politikanëve kosovarë që të mbyllen hetimet, që edhe më tej Kosova të jetë e mbështjellë me vellon e misterit.


XS
SM
MD
LG