Ndërlidhjet

FILMI KOSOVAR DHE ITALIAN FITUAN ÇMIMET E PARA


Alma Çupi

Në festivalin ndërkombëtar të filmit me metrazh të shkurtër u shpallën dy filmat më të mirë, filmi i regjizores nga Kosova Burbuqe Berisha “ Kosova Eleven" dhe filmi italian “Pistoleta” ku luante aktori i njohur Franko Nero.
“Kosova Eleven” ishte filmi që u pëlqye edhe nga kritika, pasi sillte një këndvështrim krejt tjetër, për ngjarjet e 11 shtatorit të ndodhura në Amerikë. Filmi përshkohej nga grotesku dhe një humor fin.
Ngjarjet e filmit zhvillohen në një fshat në Kosovë,fshat i cili pasi dëgjon për sulmet e 11 shtatorit vendos t’i dalë në krahë Amerikës. Dhe në fund të filmit vjen batuta e një vogëlushi që thotë se pa Amerikën ne nuk do të ishim gjallë.
Regjizorja dhe skenarisja Burbuqe Berisha thotë për Evropën e Lirë, se ky çmim e gëzon jashtë mase."Unë e bëra këtë gjetje, ky film është bërë enkas për festivalin 9/11 që është mbajtur në Prishtinë. Aty ka marrë çmimin e jurisë. Dua të theksoj se është produksion i një shtëpie filmike që është në Prishtinë, Prishtina e Filmit, që ka qenë edhe organizator i festivalit. Unë kam menduar që kjo gjetja ime mos ta rëndojë atë tragjedi, por ta kthejë në një humor, i cili është i natyrës sonë kosovare. Këtë çmim nuk e kam fituar unë, e ka fituar kriza e madhe e filmit në Kosovë. Mbas këtij çmimi i dëshiroj Kosovës shumë filma të tjerë, pasi është një motivim jo vetëm për mua, por për të gjithë krijuesit e rinj dhe ata të vjetrit që të krijohet filmi në Kosovë, pasi i mungon Kosovës", thotë regjizorja Berisha.
Filmi tjetër që fitoi çmimin si filmi më i mirë i filmave me metrazh të shkurtër, ishte edhe filmi "Pistoleta" ku luante aktori i madh italian Franko Nero. Aktori italian u shpreh mjaft i kënaqur që filmi ku ai mori pjesë për të ndihmuar një nga regjizorët e rinj, mori
një çmim.
"Gjithmonë më ka pëlqyer të ndihmoj regjizorët e rinj. Madje edhe në Itali do të më japin një çmim për ndihmën që u kam dhënë regjizorëve të rinj, sepse ne kemi shumë nevojë për talente të reja. Natyrisht unë nuk e dija që filmi ku unë do të luaja për të ndihmuar këtë
regjizor do të merrte çmimin e parë dhe për këtë më vjen mjaft mirë."
Në festivalin ndërkombëtar të filmit me metrazh të shkurtër, i cili për herë të parë organizohet në Tiranë, morën pjesë 82 filma nga 30 shtete të botës. Ky festival u mbështet edhe nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Tiranë dhe nga Ministria e Kulturës.

XS
SM
MD
LG