Ndërlidhjet

E.PETROVCI:"FILMI - LODER (SHUME) E SHTRENJTE PER KOSOVEN"


ENVER PETROVCI, aktor


Shkas për bashkëbisedim me aktorin Enver Petrovci është oferta që atij tashmë i është bërë nga regjisori Mevlan Shanaj nga Tirana për pjesëmarrjen në realizimin e një filmi artistik.
“Kam biseduar dy herë me regjisorin Mevlan Shanaj dhe tashmë jemi marë vesh që në filmin e tij të luaj një nga rolet kryesore. Sipas të gjitha gjasave xhirimet do të fillojnë në shkurt në rrethin e Gjirokastrës”, sqaron fillimisht aktori Enver Petrovci dhe më tutje shton:
“Besoj se ky film do të jetë i nivelit të lartë artistik. Më ka pëlqyer skenari. T’ju tregoj sinqerisht nuk kam qenë i shumë disponuar të shkoj në Shqipëri dhe të luaj, për arsye se mendoj që kam patur këtu punë shumë të rëndësishme dhe arsyet pse unë kam patur dilemë nuk kanë qënë skenari dhe filmi, por arsyeja kryesore ka qenë se kam punë shumë të rëndësishme këtu dhe thjesht koha nuk ma ka lejuar që të shkojë një muaj ditë pa u kthyer në Kosovë. Ajo ka qenë arsyeja kryesore. Pastaj pas këtij filmi më pret edhe një film tjetër sigurisht edhe një muaj larg Kosoves. Kështu që më bëhet një kohë bukur e gjatë që unë nuk do të jem në Kosovë. Ajo ka qenë arsyeja kryesore”, thotë aktori i mirënjohur.
Më tutje Enver Petrovci sqaron se tashmë ai ka konfirmuar angazhimin e tij në realizimin e një filmi tjetër në Slloveni, xhirimi i të cilit fillon në maj të këtij viti.
“Ajo është një komedi ballkanike. Është koha pas Luftës së Dytë Botërore, ku dy sllovenë i zënë dy ushtarë gjermanë rob dhe i dërgojnë në një ujdhesë. Atje takojnë familje të ikura nga lufta, familje bullgare, greke, shqiptare, nga të gjitha kombet e Ballkanit, që kanë ikur atje dhe secila flet gjuhën e vet. Ata organizojnë olimpiadën në atë ujdhesë, olimpiadën ballkanike. Është një komedi e shkëlqyer, madje skenari, edhe të gjithë e flasin gjuhën e vet.Unë jam prindi i një familjeje shqiptare që ka ikur në atë ujdhesë. E ndiej veten shumë të lumtur që do të luaj unë në atë film, në të cilin për çudi do të flas në gjuhën shqipe”, thotë aktori Petrovci.
Duke folur për angazhimin e tij disavjeçar në teatrin dhe kinematografinë shqiptare, Enver Petrovci thekson:
“Një prej arsyeve të mëdha pse jam në Prishtinë është se kam dashur të lë dokumente dhe zërin tim në gjuhën shqipe. Mos harroni që 98% e punës sime nuk është në gjuhën shqipe. Me ardhjen time këtu i kam mundësuar vetes që të lë dokumente sepse druhem që një ditë do të më thonë që s’jam me prejardhje shqiptare”, thotë Enver Petrovci.
Jo pa emocione ai rikujton një nga momentet e shkëlqimit të tij skenik me shfaqjen “ Idioti” të Dostojevskit në festivalin mbarëkombëtar teatror në Tiranë, në të cilin u nderua me çmimin Aleksandër Moisiu për rolin më të mirë.
“Një prej gëzimeve të mia më të mëdha ka qënë ajo natë kur pas shfaqjes nuk më lejuan të shkoj dhe të zhvesh kostumin. Isha i djersitur, ishte shumë nxehtë në Tiranë. Kisha kostum mjaft të trashë, një uniformë oficeri dhe më kujtohet kur u ngriten në skenë shikuesit, artistët. Ajo ka qenë ndoshta nata më e bukur në jetën time, puthje përqafime, kamera mbi kokë, hypnin njerëzit në karrige të më shikonin. Nuk e di as vetë si mund ta përshkruaj. Më kujtohen vetëm duart, puthjet, përqafimet, dhe shumë, shumë fytyra të tjera, të cilat shkonin para fytyrës sime dhe mbrapa kokës sime. Një natë e papërshkrueshme. Ndoshta njeriu jeton edhe njëmijë vjet dhe nuk mund të perjetoi diçka të tillë. Sado që mendohet se unë kam luajtur mirë, po e zëmë se edhe kam luajtur siç po thoni ju që kam shkëlqyer, unë mendoj se megjithatë atë natë publiku ka shkëlqyer se ka ditur të vlerësojë diçka që unë nuk e kam pritur, të paktën në Shqipëri që të më vlerësojnë.
E njëjta shfaqje në Kosovë gjithashtu ka qenë me kritika të mira, mirëpo publiku nuk ka ditur dhe sot e kësaj dite nuk di ta vlerësojë”, thotë ai
Në fund të bashkëbisedimit, i pyetur se si i shihte për momentin mundësitë e zhvillimit të artit të shtatë në Kosovë,, Enver Petrovci tha:
“Të jemi të sinqertë filmi kosovar nuk egziston që nga momenti që është shkatërruar Kosovafilmi. E vetmja mënyrë që filmi të ringjallet në Kosovë, është që shteti ta marë në dorë institucionin që quhet film dhe ta financojë e ta organizojë atë. Përndryshe të gjitha të tjerat do të jenë thjesht improvizime, kaseta të dobëta, ose të shkëlqyeshme, por përsëri mbeten videofilma, ose telefilma apo teledrama. Edhe pse mund të jenë të nivelit të lartë ato filma nuk janë dhe nuk mund t’i quajmë ashtu. Duhet eventualisht, kur të rregullohet parlamenti, ministritë, që të investohet dhe në film. Por unë prap jam skeptik që për një periudhë të shkurtër një apo dy vjet, do të mund të bëhet diçka në lidhje me këtë problem. Thjesht nuk u besoj njerëzve të cilët merren me kulturë apo film. Nuk shikoj shpresë momentalisht, përveç njerëzve që improvizojnë dhe njëri prej tyre jam edhe unë, improvizator, se nuk kam mundësi të tjera. Unë nuk jam shtet, jam një njeri individualist dhe nuk i kam të hollat e shtetit dhe jo vetëm unë por edhe plot njerëz të shkëlqyeshëm, që nuk mund ta financojnë një film. Filmi megjithatë është lodër e shtrenjtë”, përfundon aktori i mirënjohur Enver Petrovci.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG