Ndërlidhjet

Serbia kontrollon hekurudhat në veri


Treni në qarkullim Prishtinë-Fushë Kosovë
Treni në qarkullim Prishtinë-Fushë Kosovë

Hekurudhat në pjesën veriore të Kosovës nuk janë duke u kontrolluar nga Hekurudhat e Kosovës, por nga ato të Serbisë. Kjo pohohet nga vetë drejtori i Hekurudhave të Kosovës, Xhevat Ramosaj, si dhe nga zyratrët serbë. Ndërkaq, UNMIK-u e mohon një gjë të tillë.


Hekurudhave të Kosovës u është ndaluar qasja në hekurudhat në veri të Kosovës dhe, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë, ato tashmë kontrollohen nga qeveria e tyre.

Ndalimin e qasjes në veri e ka pohuar edhe vetë drejtori i Hekurudhave të Kosovës, Xhevat Ramosaj.

“Për fat të keq, hekurudhat në veri nuk janë duke u kontrolluar nga Hekurudhat e Kosovës dhe ne presim veprime të mëtutjeshme të UNMIK-ut, në mënyrë që këto hekurudha të kontrollohen prapë nga Hekurudhat e Kosovës dhe të shikojmë se si të veprojmë me operime të trenave”, i tha Radios Evropa e Lirë, Xhevat Ramosaj.

E tëra ka ndodhur pas protestës së ish-punonjësve serbë të hekurudhave, të cilët në Zveçan kanë ndaluar trenin, i cili po qarkullonte në drejtimin Fushë Kosovë-Leshak dhe me këtë edhe kanë ndaluar qasjen e Hekurudhave të Kosovës në veri.

Në veri të Mitrovicës, kreu i Bordit Ekzekutiv të Hekurudhave të Serbisë, Branislav Ristivojeviq, ka deklaruar se është marrë kontrolli mbi infrastrukturën hekurudhore, përkatësisht linjën Leshak-Leposaviq-Sllatinë e Ibrit-Zveçan.

“Sot, ndërmarrja publike Hekurudhat e Serbisë e ka marrë kontrollin mbi infrastrukturën në veri të Kosovës, pas nëntë vjetësh. Në ditët e ardhshme, presim të sjellim kualitet më të mirë të qarkullimit hekurudhor, pasi që për nëntë vjet nuk kemi pasur kontroll mbi hekurudhat tona dhe ato janë në gjendje të keqe”, ka thënë Ristivojeviq.

Pas kësaj, rreth 40 punëtorë serbë të hekurudhave nuk kanë përfillur urdhrat e drejtorisë së Hekurudhave të Kosovës dhe, sipas drejtorit Xhevat Ramosaj, kanë deklaruar se do të braktisin punën.

“Gati të gjithë punonjësit serbë që kanë punuar për hekurudhat e Kosovës, në mënyrë jozyrtare, na kanë informuar se nuk do të punojnë më për Hekurudhat e Kosovës, sepse që nga sot ata do të jenë punonjës të Hekurudhave të Serbisë. Unë, në mënyrë të menjëhershme, i kam informuar autoritetet e UNMIK-ut, duke kërkuar nga ata që të kërkojnë nga KFOR-i, SHPK-ja dhe Policia e UNMIK-ut që të intervenojnë dhe t’i marrin nën mbrojtje stacionet hekurudhore, që ndodhen nga Mitrovica deri në Leshak”, tha Ramosaj.

Por, zyrtarët e UNMIK-ut mohojnë se kontrollin mbi hekurudhat në veri të Kosovës janë duke e ushtruar Hekurudhat e Serbisë.

“Situata është e tillë, që këtë mëngjes treni i lëvizjes së lirë nuk është lejuar që të shkojë në Zveçan, meqë protestuesi serbë kanë bllokuar hekurudhën dhe për shkak të sigurisë, treni i pasdites është anuluar. Sa i përket të ardhmes, Shtylla e Katërt dhe Hekurudhat e Kosovës do të vendosin nëse do të jetë e sigurt që trenat të qarkullojnë në linjën e zakonshme Fushë Kosovë-Leshak. Unë nuk e di nëse treni që vjen nga Serbia ka kaluar stacionin në Leshak, kështu që UNMIK-u dhe Hekurudhat e Kosovës ende kanë kontroll në hekurudhat në veri”, thotë zëdhënësja e Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Mehtild Henneke.

Por, treni serb, sipas Ramosajt, ka kaluar stacionin e Leshakut, edhe pse këtë gjë e kishte të ndaluar.

“Unë kam kërkuar nga stacioni hekurudhor i Leshakut që të mos i lejohet hyrja në Leshak trenit që vjen nga Serbia. (Në bazë të orarit të trenave, kemi trenin që çdo ditë vjen nga Serbia deri në stacionin e Leshakut dhe në stacionin e Leshakut shkon treni ynë nga Kosova dhe aty bëhet transferimi i udhëtarëve nga njëri në trenin tjetër). Por, për fat të keq, përkundër kësaj kërkese, treni nga Serbia ka hyrë në Leshak, ndërsa treni ynë, që do të duhej të shkonte deri në stacionin hekurudhor të Leshakut, nuk është lejuar që të qarkullojë atje”, tha Ramosaj.

Ndryshe, Zoran Bogavac, koordinator për kryqëzimin e hekurudhave në Fushë Kosovë, ka thënë se aksioni i sotëm ka synim që t’i kthejë në punë 460 serbë, që nuk punojnë në hekurudhë që nga viti 1999.

“Në perspektivë mendojmë që të fusim trena më të shpejtë, në relacionet Mitrovicë-Beograd, në mënyrë që qarkullimi të jetë më i shpejtë dhe më i mirë”, thotë Bogavac.

Marrja e hekurudhave në kontroll në veri të Kosovës është një ndër veprimet e shumta që serbët e Kosovës po i bëjnë në bashkëpunim me Qeverinë serbe, që pas shpalljes së pavarësisë.

Qeveria e Serbisë me vizitat e përditshme të ministrave të saj në Kosovë është duke synuar që t’i forcojë strukturat e saj paralele në pjesët e banuara me shumicë serbe.
XS
SM
MD
LG