Ndërlidhjet

(Mos)sukseset në luftën kundër korrupsionit


Përfaqësuesit e Agjencisë Anti-korrupsion thonë se që nga themelimi i agjencisë, kanë arritur suksese të ndryshme në luftën kundër korrupsionit. Ndërsa, prokurorët publikë thonë se agjencia duhet të angazhohet edhe më shumë për ta luftuar korrupsionin në institucionet e Kosovës.


Mosbashkëpunimi i institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës me Agjencinë Anti-korrupsion ka bërë që korrupsioni të jetë prezent në shumë institucione të Kosovës, thonë zyrtarë të Agjencisë Anti-korrupsion dhe ekspertët ekonomikë.

Ata thonë se për ta luftuar korrupsionin duhet një përkrahje më e madhe e institucioneve. Mentor Borofci, shef i Departamentit për Hetime Administrative, thotë se vetëm gjatë vitit 2007 kanë hetuar 124 raste. Sipas tij, këto janë disa nga sukseset më të mëdha të arritura deri më tash

“Agjencia vetëm gjatë vitit 2007 ka hetuar diku 124 raste, prej tyre 47 raste tash janë përcjellë në prokurorinë e tyre kompetente; varësisht nga kompetencat e tyre, edhe në organet policore. Tash ne shpresojmë që prokuroria do ta kryejë punën e vet. Dihet që korrupsioni nuk mund të luftohet nga një institucion, pavarësisht për cilin institucion bëhet fjalë“, tha Borofci.

Ai ka kritikuar prokuroritë e Kosovës për mosshqyrtimin e lëndëve, të cilat ata i kanë paraqitur. Ai vlerëson se deri më tani nuk kanë parë ndonjë indikacion që ka treguar se rastet, të cilat ata i kanë dorëzuar në prokurori për korrupsion, të jenë kryer. Sipas Borofcit, veprimet e tilla tregojnë se nuk ka një bashkëpunim të duhur dhe ka shtuar:

“Ne ende shpresojmë se ky mostrajtim i këtyre rasteve, ndoshta mund të jetë bërë si pasojë e mbingarkesës që e kanë prokuroritë edhe me rastet e tjera. Mirëpo, në këto rastet që i kemi dërguar, kemi bërë një punë jashtëzakonisht të madhe në to. Kemi bashkëngjitur prova dhe dëshmi, që kemi arritur t’i mbledhim dhe besojmë e shpresojmë se ato do të merren në konsideratë në mënyrën e duhur”, tha Borofci.

Por, prokurori Besim Kelmendi thotë se punonjësit e Agjencisë Anti-korrupsion ende nuk dinë se cilat raste janë për prokurori.

“Agjencia nuk ka njerëz të mjaftueshëm. Edhe ata që i ka, ende nuk i ka të përgatitur që të dinë saktësisht se cili rast të dërgohet në prokurori, si rast i dyshuar për korrupsion”, tha Kelmendi.

Më tej, Kelmendi, i cili është kryetar i Këshillit të Agjencisë Anti-korrupsion dhe prokuror publik, thotë se suksesi më i madh në luftën kundër korrupsionit në Kosovë është vetë formimi i agjencisë. Por, sipas tij, agjencia duhet të angazhohet edhe më shumë.

“Agjencia ka të arriturat e veta, por kjo është vetëm faza fillestare e punës së agjencisë. Nëse agjencia nuk tregohet më agresive në rastet që kanë të bëjnë me korrupsion, puna e agjencisë nuk do të jetë me rezultate pozitive”, tha Kelmendi.

Kurse Musa Limani, udhëheqës i Institutit Ekonomik të Kosovës, thekson se është e rëndësishme që në shumë institucione të Kosovës është zbuluar që ka korrupsion.
Zoti Limani thotë se lufta kundër korrupsionit në Kosovë do të jetë e vështirë, kur kihet parasysh se vetë institucionet që do të duhej ta bëjnë luftën, sipas tij, janë të përfshira në korrupsion.

“Të gjitha institucionet, sipas asaj që ne dimë nga jashtë, janë të korruptuara; bile edhe ata që duhet të marrin masa, duke filluar nga gjyqësori dhe institucionet përkatëse në kuadër të qeverisë, sipas të gjitha gjasave, janë të futura në këtë lojë dhe nuk mund të evitohen”, tha Limani.

Sido që të jetë, zyrtarë të Agjencisë Anti-korrupsion kanë thënë se shuma e buxhetit të propozuar nga agjencia është aprovuar nga Qeveria e Kosovës dhe, sipas tyre, është premtuar një përkrahje më e madhe sesa ajo që ka qenë deri më tash për ta luftuar korrupsionin në Kosovë.

XS
SM
MD
LG