Ndërlidhjet

"Qeverinë serbe e rrëzoi 17 shkurti"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Kriza dhe rrëmuja, të planifikuara t’i shkaktohen Kosovës dhe Perëndimit, u kthyen prapa, në Beograd, tek autorët dhe planifikuesit e saj, të cilët, në masë të madhe, lidhen me Vojisllav Koshtunicën, kryeministrin e Serbisë. Tashmë u bë publike që Serbia ka hyrë në një periudhë shumë të rëndë, edhe më të ndërlikuar se deri tash, e cila do të ketë si epilog të vetin mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në majin e këtij viti. Është shumë e qartë, për të gjithë ata që sado pak marrin vesh në politikë, që Kosova, gjegjësisht, bërja dhe njohja e shtetit të Kosovës, ka pasur pasoja evidente në tronditjet e fundit politike në Serbi, dhe që, ashtu siç edhe ishte paraparë, Qeveria e Serbisë e kryeministrit Koshtunica nuk ka mundur të mbijetojë gjatë pas pavarësimit të Kosovës...

KOHA DITORE
Pavarësisht se OKB-ja nuk ka marrë ende ndonjë veprim për përfundimin e misionit të vet në Kosovë, kosovarët presin që transferimi i kompetencave nga UNMIK-u të bëhet brenda 120 ditësh. Qëndrim të njëjtë për këtë kanë si përfaqësues të pozitës, ashtu edhe përfaqësues të opozitës në Kosovë. Zyrtarët ndërkombëtarë, ndërkaq, kanë shprehur qëndrime të kundërta, ditëve të fundit, rreth kësaj çështjeje. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, plani për largimin e UNMIK-ut nga Kosova dhe vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian është komplikuar, pasi në Kombet e Bashkuara pohojnë se nuk ekziston bazë ligjore për zbatimin e këtij plani...

NACIONAL
Pavarësia e Kosovës, shoqërinë serbe përfundimisht e ka futur në një rrugë që ka dy kahe. Ata tani duhet të zgjedhin mes BE-së dhe izolimit. Rastin e parë, serbët e humbën, atëherë kur Kosova ishte ende nën administrimin e OKB-së dhe shpresonin se do të jetë e tyre përsëri. Kjo ishte një ide jorealiste, por që serbët, ose bëheshin sikur nuk po e kuptonin, ose vërtet besonin në fuqinë e Rusisë, se ajo do t’u ndihmojë për ta kthyer përsëri brenda kufijve të vet. Ish-ndërmjetësi amerikan për Ballkanin, Richard Holbrooke, shumë herë ua ka përsëritur serbëve se duhet të zgjedhin mes Kosovës dhe BE-së. Serbët, në shansin e parë, zgjodhën për ta “mbajtur” Kosovën në mendjen e tyre, për të hequr dora nga e ardhmja evropiane, e që në fakt mbetën pa asnjërën...

EPOKA E RE
Duket se shpresat për një demokratizim të Serbisë pas rënies së regjimit të Millosheviqit ishin të kota. Problemi është më i thellë sesa paraqitet në mediat ndërkombëtare dhe sesa manifestohet në raportet ndërmjet partnerëve të koalicionit në Serbi. Burimi i këtij problemi është e kaluara luftënxitëse, e dy decenieve të fundit, kundër katër popujve në Evropën Juglindore. Kjo e kaluar nuk është trajtuar me nivel reflektimi. Në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare janë të njohura pesë principe veprimi, të cilat njihen si pesë D-të e mëdha, nëpërmjet të cilave popujt dhe qeveritë luftënxitëse duhet ta trajtojnë të kaluarën e tyre pushtuese: Denacifikimi, Demilitarizimi, Demokratizimi, Demontimi dhe Decentralizimi...

EXPRESS
Sllobodan Samarxhiq, ministër serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka deklaruar të dielën se vendimi për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Serbi nuk do të ketë ndonjë ndikim negativ në implementimin e politikës shtetërore karshi Kosovës. “Pas vendimit që në Serbi të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe të konstituohet qeveria e re, serbët në Kosovë e Metohi dhe qytetarët tjerë që janë lojalë ndaj Serbisë, nuk duhet të brengosen”, ka thënë Samarxhiq. Ai shtoi se Qeveria e Serbisë do t’i kryejë të gjitha detyrat edhe në Kosovë sikurse deri më tani... Samarxhiq ka thënë se serbët e Kosovës dhe qytetarët tjerë të Kosovës do të marrin pjesë në zgjedhje të organizuara nga Beogradi. “Ky akt demokratik do të ndodhë edhe në Kosovë e Metohi, si një pjesë e Serbisë”, ka thënë ai...

LAJM
Lufta kundër korrupsionit është sfida kryesore me të cilën do të ballafaqohen bartësit e institucioneve në Kosovë, nëse dëshirojnë të ndërtojnë një shtet demokratik. Politika dhe korrupsioni, thuajse janë bërë sinonim të njëra-tjetrës. Të vetëdijshëm për këtë fakt, zyrtarë të lartë ndërkombëtarë që kanë vizituar Kosovën pas 17 shkurtit, insistojnë që bartësit e pushtetit në Kosovë të përqendrohen në luftën kundër korrupsionit. Qeveria zotohet se do të ketë “zero tolerancë” ndaj korrupsionit, ndërkaq opozita premton përkrahje. Për dallim nga UNMIK-u, EULEX-i vlerësohet si “dorë e fortë” për të luftuar korrupsionin...

INFOPRESS
Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të përkrahin teorinë, sipas së cilës, njerëzit përmes votës duhet të kenë mundësi të vendosin për të ardhmen e tyre dhe kjo duhet të zbatohet në mbarë botën. Kështu ka thënë numri dy i komisionit për marrëdhënie me jashtë në Kongresin Amerikan, kongresisti Dana Rohrbacher, në një intervistë për Zërin e Amerikës. Ai tha se përkrah të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe se populli i Kosovës kishte plotësisht të drejtë të vendosë për fatin e tij. “Populli i Kosovës nuk dëshiron të jetë pjesë e Serbisë, sepse Serbia e ka shkatërruar kredibilitetin e vet me krimet masive që kreu para më pak se një dekade”, tha ai...

KOSOVA SOT
Ekonomia kosovare mund të krahasohet me atë të Shqipërisë së viteve ’90. Të dhënat zyrtare tregojnë se të ardhurat për frymë janë vetëm 700 dollarë për frymë, ose e thënë ndryshe 60 për qind më të ulëta se mesatarja e vendeve të rajonit. Vendi vuan nga papunësia e lartë, e cila kalon shifrën e 35 për qind të popullsisë aktive. Propozimi i Martti Ahtisaarit ndonëse ka parashikuar deri në detaje statusin që duhet të ketë Kosova, nuk i ka dhënë përgjigje pyetjes se si do të administrohet ekonomia e një vendi, që sot përballet me dy sfida shumë të mëdha, rimëkëmbjen nga dëmet e luftës dhe tranzicionin drejt ekonomisë së tregut...

BOTA SOT
Kosova për nëntë vjet ka pritur njohjen formale të shtetit të pavarur, por kjo nuk e ka penguar Kosovën që në shumë raste të jetë e përfaqësuar në mekanizma ndërkombëtarë; kuptohet, në shumë raste, pjesëmarrja e Kosovës ka qenë e cilësisë së vëzhguesit e jo në një përfaqësim të denjë shtetëror. Një rrugë drejt përfaqësimit të Kosovës si shtet është shpallur qysh me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj nga shumë shtete anëtare të BE-së dhe shteteve tjera. “Për Qeverinë e Kosovës, anëtarësimi në Unionin Evropian nuk është vetëm politikë qeveritare e Qeverisë së Kosovës, por është politikë nacionale”, mendon zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi...
XS
SM
MD
LG