Punëtorët serbë, shërbyes civilë dha ata politikë, të cilët janë pjesë e institucioneve të Kosovës, nuk po paraqiten në vendet e tyre të punës që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Edhe pse kanë kaluar disa javë, atyre nuk u është shqiptuar kurrfarë dënimi, duke pritur që ata të vetëdijesohen dhe të kthehen në vendet e tyre të punës, thonë përfaqësuesit e lartë të Qeverisë.
Ramë Manaj, zëvendëskryeministër, thotë se Qeveria e Kosovës është në bisedime me punonjësit serbë dhe, sipas tij, shumë shpejt pritet kthimi i tyre.
"Ka indikacione, ka sinjale që ata të kthehen dhe të jenë pjesëmarrës në punën e tyre nëpër institucione, edhe si shërbyes civilë, edhe në pjesën politike. Nuk duhet lutur, nuk po i lusim. Por, duhet të pritet. Edhe ky mirëkuptim është aq sa do të ketë nevojë dhe nuk do të zgjatet më shumë. Shumë shpejt do të kthehen edhe në Qeveri, edhe në institucionet e tjera. Ne i kemi të qarta refleksionet, i kemi të qarta reagimet, por është një masë e konsiderueshme e pjekurisë institucionale për të pranuar këtë realitet dhe kthjellimin e tyre dhe kthimin e tyre, në kuptim të riintegrimit dhe të bashkëpunimit të mëtutjeshëm”, tha Manaj.
Ai konsideron se edhe dy ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës, Boban Stankoviq dhe Nenad Rashiq, do të kthehen në punën e tyre dhe ka shtuar se gjithçka sa i përket proceduarave të mëtutjeshme, do të veprohet në bazë të ligjit.
"Janë procedura ligjore që parashihen në ligjin për shërbyesit civilë dhe proceduarat tjera për të vepruar më tutje. Por, nuk do të këtë nevojë për të aplikuar masa ndëshkuese për kthimin e tyre. Është në vullnetin e tyre nëse duan të kthehen ose jo. Por, të gjitha indikacionet dhe sinjalet janë se do të kthehen dhe do të vazhdojnë", tha Manaj.
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, punëtorët serbë nuk janë paraqitur në vendet e tyre të punës, me arsyetimin se nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës.
Vetëm në Shërbimin Policor të Kosovës janë të suspenduar nga puna rreth 300 pjesëtarë serbë, bëjnë të ditur zyrtarët e SHPK-së, pasi që ata kanë refuzuar të punojnë nën urdhrat e institucioneve të Kosovës dhe se duan të punojnë vetëm me urdhrat e administratës ndërkombëtare.