Ndërlidhjet

Mitrovicë: Serbët hyjnë dhunshëm në Gjykatë


Policia para gjykatës në Mitrovicë
Policia para gjykatës në Mitrovicë

Rreth 150 protestues serbë kanë arritur të depërtojnë dhunshëm në ndërtesën e Gjykatës Komunale dhe të Qarkut në Mitrovicë. Njoftohet se protestuesit kanë shfrytëzuar gjashtë autoambulanca për të demoluar dyert në oborrin e kësaj ndërtese, mbi të cilën tash valëvitet flamuri i Serbisë.


Rreth 150 protestues serbë kanë arritur sot në mëngjes të depërtojnë dhunshëm në ndërtesën e Gjykatës Komunale dhe të Qarkut në Mitrovicë. Njoftohet se protestuesit kanë shfrytëzuar gjashtë autoambulanca për të demoluar dyert në oborrin e kësaj ndërtese.

Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se protestuesit janë përplasur fillimisht me njësitet speciale të policisë, por në vijën e parë të turmës, sipas zotit Hoti, protestuesit kanë vënë kryesisht gratë.

“Një grup protestuesish me pjesëmarrje prej 150 personash, kanë arritur që me forcë të demolojnë dy porta të rrethojave dhe më pas të futen në objektet e Gjykatës së Qarkut dhe asaj Komunale në Mitrovicë. Protestuesit e mbështetur nga punëtorët e qendrës spitalore, me së paku gjashtë vetura ambulantore, kanë arritur që fillimisht të demolojnë portën hyrëse, që shpie në drejtim të rrugës për në oborrin e këtyre gjykatave. Njësitet e specializuara të policisë së UNMIK-ut kanë bërë përpjekjet e tyre maksimale për t’i ndaluar protestuesit e rebeluar, të cilët në linjë të parë kishin inkuadruar kryesisht gra dhe nga prapavija vazhdimisht po sulmonin forcat policore me mjete të forta të metalit dhe gurë”, bëri të ditur Hoti.

Zëdhënësi Besim Hoti ka sqaruar më tej se ish-punonjësit serbë të gjykatave, fillimisht e kanë larguar flamurin e Kombeve të Bashkuara nga ndërtesa, për ta vendosur atë serb.

Nga ana tjetër, Miodrag Raliq, përfaqësues i protestuesve në Mitrovicë, thotë se punëtorët serbë të gjykatave nuk kanë pasur kurrfarë kushtesh. Ata madje, sipas tij, janë përzënë dhe nuk kanë mundur të marrin asnjë lëndë deri më tash, për dallim nga shqiptarët, të cilëve, siç tha zoti Raliq, UNMIK-u dhe komuniteti ndërkombëtar, në mënyrë të paligjshme, ua ka mundësuar të punojnë gjatë gjithë kohës.

“Ne do të mbetemi këtu dhe do të presim që arkiva e kësaj gjykate të bartet në jug të qytetit dhe punonjësit serbë të jenë në gjendje të vazhdojnë punën e tyre”, tha Raliq.

Ndryshe, përfaqësuesi rajonal i misionit ndërkombëtar, Gerard Galuci, ka pasur një takim me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Serb, ku, sipas zëdhënësit të UNMIK-ut për Mitrovicën, Gorgi Kaku, Galuci u ka thënë atyre se nuk e pranon këtë mënyrë të komunikimit dhe se veprimet e tilla janë të patolerueshme.

Zëdhënësi i SHPK-së, Besim Hoti, thotë se në orët e pasdites, situata vazhdon të jetë e ngjashme. Ai tha se protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë në oborrin e gjykatës dhe, sipas tij, policia e UNMIK-ut është duke bërë plane të veprimit, në mënyrë që situata të kthehet në gjendjen paraprake.

“Aktualisht në oborrin e Gjykatës së Qarkut dhe asaj Komunale, në veri të Mitrovicës, vazhdon të qëndrojë një numër i protestuesve, që konsiderohen të jenë rreth 200 persona. Ndërsa, në brendësi të objektit të gjykatës konsiderohet të kenë hyrë 4 deri në 5 persona, të cilët paraprakisht kishin zhvendosur flamurin e Kombeve të Bashkuara, i cili është vendosur aty që nga fillimi i misionit të UNMIK-ut në Kosovë. Ndërsa, pak çaste më vonë, flamuri është rikthyer përsëri. Policia e UNMIK-ut, strukturat komanduese në Mitrovicë janë duke bërë përgatitjet e duhura konform urdhrit, i cili është lëshuar nga vetë përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë”, tha Hoti.

Ndërsa, eksperti për çështje sigurie, Nuredin Ibishi, thotë se kjo situatë ka qenë e pritshme, duke shtuar se me këto veprime, banorët serbë të pjesës veriore të Mitrovicës duan të tregojnë se i kundërshtojnë autoritet e Kosovës dhe ata të Bashkësisë Evropiane.

“Ajo veç është pritur, ndërhyrja në gjykata e ekstremistëve serbë, për arsye se ata kanë tentuar me divizione të ndryshme, me automjete të hyjnë. Kjo vetëm e ka finalizuar tentativën e tyre të mëhershme. Definitivisht, me këtë ata duan të tregojnë se nuk duan absolutisht kurrfarë mundësie të lejimit të krejt asaj që lidhet me një autoritet të institucioneve të Kosovës apo edhe të Bashkësisë Evropiane”, tha Ibishi.

Zoti Ibishi ka kritikuar administratën ndërkombëtare në Mitrovicë si dhe institucionet e Kosovës, që, sipas tij, janë treguar neglizhentë.

“Kjo, mendoj se në dorë të parë është lëshim i autoritetit të UNMIK-ut, që jashtëzakonisht kanë qenë neglizhentë dhe jo veprues, jo vetëm në kohën e fundit, por edhe më herët, dhe normal edhe institucionet e Kosovës, prej Qeverisë, e edhe SHPK-ja”, u shpreh Ibishi.

Ndërsa, në një takim të përbashkët në mes presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiut dhe kryeministrit Hashim Thaçi, u diskutua situata në Mitrovicë, pas ndërhyrjes së dhunshme të disa personave në ndërtesën e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë dhe heqjes së flamurit të OKB-së nga ky objekt.

Ishte kërkesë e përbashkët për PSSP-në, zotin Joachim Ruecker, që forcat e sigurisë të Policisë së UNMIK-ut dhe të KFOR-it të reagojnë urgjentisht për nxjerrjen e huliganëve jashtë objektit dhe mbrojtjen e tij të vazhdueshme, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Presidenca e Kosovës.

Po ashtu, ma anë të një komunikate për media, Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara, zoti Ruecker, e ka dënuar fuqishëm sulmin e sotëm mbi Gjykatën e Qarkut të UNMIK-ut në Mitrovicë.

Në komunikatë, mes tjerash, thuhet:

"Një bandë e madhe ka shfrytëzuar forcën kundër Policisë së UNMIK-ut për të hyrë në ndërtesë. Ata, të cilët i janë kthyer dhunës në Mitrovicën e veriut, e kanë kaluar vijën e kuqe të UNMIK-ut", ka thënë zoti Ruecker, duke e cilësuar këtë akt si tërësisht të papranueshëm.

Shefi i UNMIK-ut e ka udhëzuar Policinë e UNMIK-ut që të rivendosë rendin dhe ligjin në veri dhe të sigurojë kontrollin e serishëm të Kombeve të Bashkuara mbi gjykatën.

Në komunikatë gjithashtu thuhet se “UNMIK-u do të mbrojë mandatin e tij në tërë territorin e Kosovës, pa asnjë përjashtim”.
XS
SM
MD
LG