Ndërlidhjet

Përleshje në veri të Mitrovicës


Mitrovicë, 17 mars 2008
Mitrovicë, 17 mars 2008

Dyzet e dy policë të Kombeve të Bashkuara dhe njëzet e dy pjesëtarë të KFOR-it janë plagosur nga një shpërthim, gjatë përplasjeve të sotme midis protestuesve serbë dhe forcave ndërkombëtare të rendit, në veri të Mitrovicës. Kundër misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Kosovë, KFOR, që udhëhiqet nga NATO-ja, është hapur zjarr nga armët automatike, gjatë trazirave të serbëve në veri të Mitrovicës, i ka thënë agjencisë Reuters, një zëdhënës i KFOR-it francez. Mjetet serbe të informimit njoftojnë se janë lënduar 50 protestues serbë, të cilët janë trajtuar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës.


Dyzet e dy pjesëtarë të Policisë së UNMIK-ut dhe njëzet e dy ushtarë të KFOR-it janë plagosur nga një shpërthim, gjatë përplasjeve të sotme midis protestuesve serbë dhe forcave ndërkombëtare të rendit, në veri të Mitrovicës.

Kundër misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Kosovë, KFOR, që udhëhiqet nga NATO-ja, është hapur zjarr nga armët automatike gjatë trazirave. Autoritetet e rendit, në fakt, kanë thënë se janë shfrytëzuar mjete të ndryshme shpërthyese nga protestuesit serbë, gjë që ka nxitur edhe tërheqjen e policisë së Kombeve të Bashkuara nga veriu i Mitrovicës.

Aleksandar Ivanko, zëdhënës i Policisë së UNMIK-ut, thotë se 42 policë janë lënduar, ku 4 prej tyre me lëndime të rënda.

“Ne kemi 42 pjesëtarë të policisë ndërkombëtare, të cilët janë lënduar. Katër prej tyre janë në gjendje më të rëndë, njëri prej të cilëve tashmë është operuar në spitalin ushtarak të KFOR-it”, tha Ivanko.

Ai ka shtuar se shumca e policëve, të cilët janë lënduar sot, kanë marrë lëndime nga granatat që janë hedhur nga protestuesit.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i KFOR-it, Jean Luc Cotard, thotë se bilanci i ushtarëve, të cilët janë plagosur, ka arritur në 22 persona.

“Janë të lënduar 22 ushtarë nga radhët e KFOR-it, të cilët janë të plagosur nga granatat e dorës. Për momentin, gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën dhe ata po mjekohen në spitalin e KFOR-it”, tha Cotard.

Pas sulmeve me mjete shpërthyese, që dyshohet të jenë granata dore dhe armë zjarri, Policia e UNMIK-ut është urdhëruar që të tërhiqet nga veriu i Mitrovicës, që situatën ta ketë nën kontroll KFOR-i. Tërheqja e tyre u bë për shkak të sigurisë, njoftojnë autoritetet e rendit .

Ndryshe, mjetet serbe të informimit njoftojnë se deri më tash janë lënduar një numër i konsiderueshëm i protestuesve serbë, të cilët janë trajtuar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës, dy prej të cilëve thuhet se janë në gjendje më të rëndë.

Përplasjet e sotme kanë nisur pas ndërhyrjes së policisë së Kombeve të Bashkuara dhe forcave paqeruajtëse në Kosovë, për të ritkhyer kontrollin mbi ndërtesën e Gjykatës së Qarkut dhe Gjykatës Komunale në veri të Mitrovicës. Kjo ndërtesë është okupuar, të premten që shkoi, nga disa protestues serbë, akt ky të cilin autoritetet vendore dhe ndërkombëtare e kanë cilësuar si vandalizëm.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Serb në Mitrovicë, Nebojsha Joviq, ka kërkuar nga Beogradi “që të ushtrojë presion tek UNMIK-u dhe të qartësojë nëse Kosova, siç thuhet, është pjesë e Serbisë". Sipas tij, komuniteti serb nuk e ka dashur dhunën e sotme, por sot është arrestuar drejtësia nga, siç ka thënë, kriminelët dhe ata që ushtrojnë dhunë. Ai i quan zhvillimet e sotme një skenar që për synim, sipas tij, kanë krijimin e kaosit, por në të cilin nuk guxon të ketë të lënduar apo viktima.

"Në momentin që do të ketë viktima, do të jetë një pikë prej së cilës nuk do të ketë më kthim mbrapa", ka thënë Joviq.

Ai u ka bërë thirrje autoriteteve në Beograd që të jetësojnë planin e tyre aksional, duke thënë se me heshtje Beogradi rrënon preambulën e Kushtetutës së Serbisë, në të cilën thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë.

Por, perfaqësuesi rajonal i administratës ndërkombëtare në Mitrovicë, Gerard Galuci, përmes zëdhënësit të tij, Gorgi Kakuk, u ka kërkuar protestuesve serbë që të tërhiqen nga protesta, në mënyrë që situata të mos përkeqësohet.

"Secili duhet ta kuptojë se të gjithë duhet të tërhiqen. Secili duhet të tërhiqet tash, në mënyrë që të evitojmë eskalimin më serioz të situates”, tha Gorgi Kakuk.

Tridhjetë e dy personat që ishin arrestuar lidhur me okupimin e ndërtesës së Gjykatës së Qarkut dhe asaj Komunale, pasi që janë intervistuar, u janë marrë shenjat e gishtërinjve dhe janë fotografuar rreth orës 16:45 dhe të gjithë ata janë liruar në procedurë të rregullt.
Në Mitrovicë, sot, ka qëndruar edhe ministri serb për Kosovën, Slobodan Samarxhiq, i cili ka bërë thirrje për protesta paqësore, por, megjithatë, ka kritikuar UNMIK-un për trazirat e sotme në Mitrovicë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG