Ndërlidhjet

Ridolfo: Në Irak është bërë progres


Kathleen Ridolfo
Kathleen Ridolfo

”Nuk e di nëse lufta është afër fundit, por jam e sigurt se epilogu do të jetë pozitiv. Megjithatë, është e vështirë të thuhet se kur do të shohim paqe dhe stabilitet në Irak”, thotë Kathleen Ridolfo, analiste e Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Pesë vjet pas invadimit të Shteteve të Bashkuara, irakianët janë më optimistë për të ardhmen e vendit të tyre... Disa hulumtime tregojnë se sulmet ndaj forcave amerikane dhe aleatëve gjatë tetë muajve të fundit kanë shënuar rënie nga 180 në 60 brenda një dite. A sinjalizon kjo progresin e realizuar në Irak?

KATHLEEN RIDOLFO
Dhuna përfundimisht ka shënuar rënie. Janë dy arsye të rënies së dhunës – fillimisht shtimi i forcave amerikane në terren dhe, së dyti, ujdia e realizuar brenda Irakut në mes të rrymave të ndryshme për të goditur veçanërisht Al-Kaedën.

Së paku 8 ose 9 krahina të Irakut kanë formuar këshillat për të luftuar Al Kaedën dhe për të ruajtur sigurinë në vend. Pa këtë element, përparimet në planin e sigurisë, me gjithë shtimin e forcave amerikane, do të kërkonin më shumë kohë. Pra, dhuna është në rënie dhe mund të jemi optimistë të matur në vlerësimin se progresi në Irak është bërë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhuna sektariane dhe gjithashtu terrorizmi që është i ndërlidhur me Al Kaedën kanë rënë, por nuk janë eliminuar. A pajtoheni më këtë vlerësim?

KATHLEEN RIDOLFO
Dhuna nuk është eliminuar krejtësisht dhe më duhet të them se nuk është vetëm Al Kaeda grupacioni që shkakton dhunën në Irak. Ka dhunë që shkaktohet nga rivaliteti sektarian ndërmjet sunitëve dhe shiitëve.

Sunitët kanë grupacionet e veta nacionaliste kryengritëse, që në shikim të parë janë islamike, por, në fakt, janë grupacione nacionaliste që kryesisht sulmojnë trupat amerikane dhe irakiane dhe jo vetëm popullatën civile. Por, ka grupacione edhe në pjesën e kurdëve, që kanë shkaktuar dhunë përmasash të jashtëzakonshme ndaj popullatës.

RADIO EVROPA E LIRË
Analistët janë unikë në një çështje – invadimi i Shteteve të Bashkuara në Irak ka qenë plotësisht i suksesshëm sa i përket përmbysjes së Sadam Huseinit, por disa thonë se Iraku sot mund të jetë në gjysmë të rrugës dhe mbase në fillim të një cikli të ndryshimeve gjeopolitike...?

KATHLEEN RIDOLFO
Është vështirë të thuhet nëse lufta është në mesin e fazës që do të kushtëzonte ndryshime gjeopolitike. Por, ajo që është e sigurt, është se situata pas luftës është përmirësuar.

Irakianët tash janë më të lumtur sesa që ishin në kohën e Sadam Huseinit, me gjithë vështirësitë me të cilat ballafaqohen. Iraku duhet të bëjë ende rrugë të gjatë, por popullatat atje, e di se tash është në situatë më të mirë se para 5 vjetësh.

RADIO EVROPA E LIRË
Përvjetori i invadimit në Irak ka provokuar debate të ashpra ndërmjet tre kandidatëve presidencialë në Shtetet e Bashkuara, duke ilustruar kështu dallimet e mëdha rreth zhvillimeve të mëtejme, me gjithë rënien e dhunës... Si i komentoni ju ato?

KATHLEEN RIDOLFO
Është e vështirë për kandidatët të thonë se do t'i japin fund luftës dhe se do të tërheqin trupat, sepse në ditën që do të marrin postin, do ta shohin se ky është një proces më i komplikuar.

Mendoj se interesat strategjike amerikane konsistojnë në mbetjen në rajon për një kohë dhe pa hyrë në komentimin e deklarimit të kandidatëve presidencialë, më duhet të them se për Irakun do të duhet pak më shumë kohë.

Nëse duam të jemi realistë, Irakut duhet dhënë më shumë kohë, sepse nëse dëshirojmë të sjellim demokracinë në këtë vend, atëherë atje duhet investuar me trupa, mjete materiale ose teknologjike. Nëse e dëshirojmë një epilog të tillë, duhet të mbajmë praninë tonë atje.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, pyetja e fundit: Gazeta "CSM" dje ka publikuar një artikull me këtë titull – Si do të përfundojë lufta në Irak? A mendoni se dikush e di përgjigjen në këtë pyetje?

KATHLEEN RIDOLFO
Kjo është një pyetje me vlerë 1 milion dollarë. Nuk jam e sigurt se dikush e di këtë përgjigje, por ajo që do të them është se populli i Irakut ka treguar vullnet të jashtëzakonshëm për të ecur përpara në kushte shumë të vështira.

Lufta do të përfundojë, sepse të gjitha luftërat përfundojnë në një çast ose ndryshojnë duke sjellë stabilitet. Nuk e di nëse lufta është afër fundit, por jam e sigurt se epilogu do të jetë pozitiv.

Pas 5 vjetësh, njerëzit janë të lodhur dhe shpresoj se gjatë vitit të ardhshëm do të shohim edhe më shumë progres, por është shumë e vështirë të thuhet se kur do të shohim paqe dhe stabilitet në Irak.
XS
SM
MD
LG