Ndërlidhjet

Intervenimi - kthesë historike


Avioni amerikan F-15E Strike Eagle gjatë nisjes nga baza ajrore Aviano e Italisë.
Avioni amerikan F-15E Strike Eagle gjatë nisjes nga baza ajrore Aviano e Italisë.

Intervenimi ushtarak i NATO-s para nëntë vjetësh ishte një kthesë historike, e cila i dha liri popullit të Kosovës dhe nuk lejoi përsëritjen e Srebrenicës, thonë përfaqësues politikë të Kosovës. Liderë të institucioneve të Kosovës kanë falënderuar edhe në këtë nëntëvjetor Aleancën ushtarake të NATO-s, përderisa kanë premtuar se do të justifikojnë këtë përkrahje të aleancës, duke respektuar të drejtat e njeriut, veçanërisht duke mbrojtur komunitetet pakicë në Kosovë.


Në nëntëvjetorin e intervenimit ushtarak të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe, kosovarët shprehin mirënjohjet më të thella për aleancën veri-atlantike dhe për të gjitha shtetet që përkrahën vendimin për çlirimin e popullit të Kosovës nga regjimi serb.

“Më 24 mars 1999, Aleanca më e fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit, e nisur nga ideja humane për shpëtimin e popullit të Kosovës, kur këtij i kanosej gjenocidi dhe zhbërja fizike, filloi sulmet ajrore kundër forcave serbe në Kosovë dhe në Serbi. Sivjet, kjo datë e gjen vendin tonë me ëndrrën e përmbushur të shumë e shumë brezave - me Republikën e pavarur e sovrane të Kosovës”, thuhet në mesazhin e presidentit Fatmir Sejdiu, drejtuar qytetarëve të Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi kujton se "lufta e drejtë e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bëri që aleanca ushtarake më e fuqishme në botë të vihet në mbështetje të mbrojtjes së vlerave më të larta të civilizimit perëndimor në Kosovë, lirisë, paqes dhe demokracisë".

“Pas nëntë vjetësh, Kosova është e lirë, ka ndërtuar shtetin e saj të pavarur dhe ka përkushtim të veçantë për t'i mbrojtur minoritetet dhe për t’u integruar në BE dhe në NATO”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Hashim Thaçi.

Në anën tjetër, pjesëmarrësit e Konferencës së Rambujesë, dështimi i së cilës çoi në intervenimin ushtarak të NATO-s, cilësojnë se veprimi i NATO-s shënoi kthesë historike dhe nuk lejoi përsëritjen e Srebrenicës në Kosovë. Njëri nga anëtarët e delegacionit kosovar, Hydajet Hyseni, thotë se veprimi i NATO-s ishte i justifikueshëm, meqë regjimi serb i Millosheviqit nuk kuptonte gjuhën e dialogut.

“U dëshmua edhe njëherë se diplomacia preventive është mënyra më e mirë për të penguar pasojat, por kur kjo nuk bën në kohën e duhur, edhe ndërhyrja ushtarake në funksion të parandalimit të eskalimit të dhunës është, megjithatë, e justifikueshme. Ndërhyrja ushtarake në Kosovë, e NATO-s dhe e botës demokratike, është ndër storiet më të suksesshme dhe më humane të intervenimit ndërkombëtar në zonat e konfliktit. Kosova do të jetë gjithnjë mirënjohëse e unë jam i bindur se do ta justifikojë këtë përkrahje duke ndërtuar një realitet vërtet të ri, demokratik, pajtues”, tha Hyseni.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Ramë Manaj thotë se intervenimi i NATO-s në Kosovë ka qenë i paevitueshëm.

“Ishte në fakt një domosdoshmëri, që bashkësia ndërkombëtare, në të vërtetë NATO-ja, pranoi se nuk kishte zgjidhje tjetër, pas dështimit të të gjitha atyre përpjekjeve paqësore, pas të gjitha atyre bisedave, pas të gjitha atyre lutjeve që i bëheshin regjimit të atëhershëm të Sllobodan Millosheviqit për tërheqje nga Kosova, për zgjidhje paqësore të problemit”, tha Manaj.

Sidoqoftë, edhe pse nëntë vjet pas këtij intervenimi, Kosova është e pavarur, sipas Hydajet Hysenit, sfidat përpara janë shumë të mëdha dhe serioze, meqë duke marrë parasysh politikën zyrtare të Beogradit, rrezik potencial mbetet bosnjëzimi i Kosovës. Hyseni thotë se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të lejojë një gjë të tillë, nëse duan që Kosova të mbetet storie e suksesshme.

“Për fat të keq, ajo që nuk qe nxjerrë si mësim në kohën e duhur, prirja për të toleruar, ledhatuar e lëshuar pe orekseve shoviniste të Beogradit, gjen terren edhe në momentet e sotme dhe mund të jetë rrezik i madh jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë Serbinë dhe paqen e stabilitetin në rajon. Besoj se bota demokratike nuk do të lejojë që të përsërisë gabimet që janë bërë në të kaluarën. Kosova po ashtu nuk duhet të lejojë që t'i nënçmojë rreziqet që vijnë nga jashtë Kosovës, nga përpjekjet për të bosnjëzuar Kosovën”, tha Hyseni.

Në anën tjetër, serbët e Kosovës, edhe sot pas 9 vjetësh, e shohin intervenimin e NATO-s si një hap të gabuar, edhe pse pranojnë se popullatës shqiptare po u shkeleshin të drejtat në mënyrë drastike nga regjimi millosheviqian.

“Shikuar nga perspektiva e sotme, pas nëntë vjetësh, te populli serb në Kosovë dhe Serbi është krijuar perceptimi se fushata e NATO-s mbi Serbinë ka pasur për qëllim krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës dhe kjo fatkeqësisht u tregua me njohjen e njëanshme si shtet i pavarur. Natyrisht është dëm i madh ajo që ka ndodhur atëherë, pasi nuk ka pasur arsye që të shkatërrohen objektet, infrastruktura apo të humbin jetë njerëzish, pa marrë parasysh se gjendja në Kosovë ka qenë katastrofike dhe se kemi pasur shkelje të të drejtave të njeriut, të shqiptarëve nga ana e qeverisë”, thotë Goran Bogdanoviq, përfaqësues në Kosovë i Partisë Demokratike të presidentit serb, Boris Tadiq.

Sidoqoftë, nëtë vjet pas, shqiptarët janë të përkushtuar që ta përmbushin atë parim, për të cilin NATO-ja kishte intervenuar ne Kosovë - t’u mundësojnë të gjithë kosovarëve, pa dallim etnie, një jetë të lirë.

“Kosova tash është shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht. Kosova ka aspiruar gjatë lirinë e saj, Kosova e respekton lirinë e popullit të saj dhe të gjithë popujve tjerë. Kosova dhe populli i Kosovës nuk do të lejojnë hapësirë të diskriminimit për asnjë individ ose grupacion brenda kufijve të saj, sot dhe gjithmonë në të ardhmen, sepse liria ishte ëndrra e saj, liria ishte çmimi i saj i paguar shumë gjatë”, u shpreh Ramë Manaj.

Atë që komuniteti ndërkombëtar nuk kishte arritur ta bënte përmes bisedimeve - ta bindte liderin serb, Sllobodan Millosheviq, që të ndalte represionin mbi popullatën shqiptare - e bëri përmes intervenimit ushtarak. Në mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1999, NATO-ja hodhi bombat e para mbi caqet serbe, për të vazhduar më pas me fushatën 78 ditëshe, derisa në qershor u arrit marrëveshja për largimin e makinerisë ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.


Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG