Ndërlidhjet

Në emër të drejtësisë


Protestuesit serbë para gjykatës në Mitrovicë, 14 mars 2008
Protestuesit serbë para gjykatës në Mitrovicë, 14 mars 2008

Që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, disa përfaqësues serbë në Mitrovicë synojnë funksionalizimin e institucioneve të Serbisë dhe jetësimin e ligjeve serbe atje. Në këtë frymë janë edhe protestat e përditshme të ish-punonjësve serbë të gjyqësisë. Ata pohojnë se besojnë vetëm në drejtësinë dhe se nuk i kanë shpallur luftë një sistemi tjetër të drejtësisë.


Rreth 100 ish-punonjës serbë të sistemit të drejtësisë protestojnë për çdo ditë para ndërtesës së Gjykatës së Qarkut dhe asaj Komunale në Mitrovicë, duke kërkuar që të hyjnë brenda kësaj ndërtese. Sipas tyre, ata vetëm kërkojnë që të kthehen në vendet e tyre të punës dhe nuk kërkojnë shfuqizimin e gjykatës, e cila funksionon atje në kuadër të administratës së Kombeve të Bashkuara.

Nebojsha Joviq, kryetar i Këshillit Kombëtar Serb për Mitrovicën, thotë se gjykata e UNMIK-ut është e ligjshme, por ky institucion, tash është institucion i Kosovës së pavarur.

"Në kohën kur u shfaq jolegjitimiteti i këtij institucioni, ne kërkuam që nëpërmjet Rezolutës 1244 t'i lejohet edhe gjykatës sonë që të veprojë në bazë të ligjeve serbe, por duke mos e anashkaluar asnjëherë punën e gjykatës së UNMIK-ut në veri", thotë Joviq.

Sipas fjalëve të tij, kërkesa e serbëve që të kthehen në vendet e tyre të punës nuk nënkupton domosdoshmërish edhe shpalljen e luftës kundër një sistemi tjetër të drejtësisë. Megjithatë, ishin këta punonjës gjyqësie, të cilët duke shfrytëzuar gjashtë autoambulanca dhe duke hedhur mjete të forta metalike drejt forcave të rendit, depërtuan dhunshëm në ndërtesën e gjykatës. Por, Joviq ka tjetër shpjegim për çfarë ka ndodhur ditën që është okupuar ndërtesa.

"T'ju rikujtoj se asnjë zyrë, asnjë letër nuk është shkatërruar nga dokumentacioni i gjykatës shqiptare. Asnjë zyrë nuk është thyer, asnjë letër nuk mungon, asnjë kompjuter nuk mungon", tha Joviq.

Krejt çka ka ndodhur, sipas tij, është se njëri nga qytetarët që kishte arritur të depërojë në ndërtesë, ka hequr flamurin e Kombeve të Bashkuara prej andej për ta pasur si një suvenir.

Megjithatë, këto qëndrime midis punonjësve serbë të sistemit të gjyqësisë dhe realitetit të krijuar në Kosovë, shihen si krejëtsisht të papajtueshme. Analisti për çështje politike, Ramush Tahiri, pohon se punonjësit serbë nuk kërkojnë vetëm kthimin në punë, por edhe kthimin e institucioneve të Serbisë në Kosovë. Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar tashmë është i vendosur që të mos tolerojë më atë që ka toleruar deri më tash, se në Kosovë kanë ekzistuar dy sisteme të drejtësisë.

"Tash, që prej datës së shpalljes së pavarësisë, janë duke u punuar ligjet e Kosovës; do të jetë misioni EULEX si një mision ndihmës dhe mbikëqyrës, i cili ka kompetenca të caktuara mbi policinë dhe gjyqësinë", thotë zoti Tahiri.

Ai pohon se tash, autoritetet ndërkombëtare dhe vendore do të insistojnë që qytetarët serbë, si qytetarë të barabartë të Kosovës, të inkuadrohen në sistemin kosovar të gjyqësisë, duke i shfrytëzuar kësisoj të drejtat që parashihen për ta me pakon e Martti Ahtisaarit. Pikërisht në këtë drejtim, zoti Tahiri e sheh edhe gabimin e protestuesve serbë, të cilët adresë ankimi e kanë UNMIK-un, i cili si mision në tranzicion nuk ka mandat për të ndryshuar gjendjen. Dhe, nëse protestuesit serbë thirren në Rezolutën 1244, zbatimin e së cilës e ka për mandat UNMIK-u, Tahiri pohon se edhe në këtë rrafsh gjërat tash kanë ndryshuar dhe serbët duhet t'i rishikojnë kërkesat e tyre.

"Kjo rezolutë u shpjegua ashtu siç u shpjegua dhe përfundoi me pavarësimin e Kosovës", thotë Ramush Tahiri.

Në administratën e Kombeve të Bashkuara, ndërkaq, e pranojnë faktin se gjykata nuk është duke funksionuar ende. Zëdhënësi i kësaj administrate, Alexander Ivanko, shpjegon:

"E rëndësishme është që gjykata është nën kontrollin e UNMIK-ut, por nuk mund t'ua them kur do të zgjidhet ky problem", tha zoti Ivanko, duke shtuar se kjo çështje mbase do të marrë kohë.

Ndërtesa e gjykatës në Mitrovicë ka qenë edhe vendi i trazirave të 17 marsit të këtij viti, gjatë të cilave u vra një polic ndërkombëtar dhe u lënduan dhjetëra të tjerë.

XS
SM
MD
LG