Qeveria e Kosovës duhet të bashkëpunojë në tërësi me misionin e ri evropian në Kosovë për të reformuar sistemin e drejtësisë, i cili vazhdon të mbetet jashtëzakonisht i dobët, përkundër përpjkejeve për ta sforcuar atë në dy vjetët e fundit. Kështu thuhet në raportin e fundit të organizatës Human Rights Watch, mbi gjendjen në të cilën është sistemi i drejtësisë në Kosovë.
Në raport thuhet se trazirat e 17 marsit në Mitrovicë kanë nënvizuar edhe një herë domosdoshmërinë që në Kosovë të ndërtohet një sistem i fuqishëm i drejtësisë, në bazë të të cilit do të parandaloheshin, hetoheshin dhe dënoheshin aktet e këtilla të dhunës.
"Sitemi i drejtësisë në Kosovë është i thyer", ka thënë Holly Cartner, drejtore e Human Rights Watch për Evropën dhe Azinë Qendrore. Sipas saj, "rregullimi i këtij sistemi është nevojë urgjente dhe për këtë është i domosdoshëm një përkushtim real i qeverisë dhe Bashkimit Evropian".
Ndërkaq, ekspertët kosovarë për çështje ligjore kanë kundërshtuar vlerësimet e këtij raporti.
Rexhep Haxhimusa, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës dhe i Këshillit Gjyqësor, thotë se nuk pajtohet me vlerësimet e këtij raporti, sepse, sipas tij, ekzistojnë fakte që bien në kundërshtim me vlerësimet e tilla.
“Jo, nuk pajtohem; sa i përket ushtrimit të pushtetit gjyqësor nga ana e vendorëve, janë rezultate që flasin të kundërtën. Nëse mendohet në sistemin e drejtësisë, në tranzicion, ajo është diçka tjetër, e cila ka qenë e rezervuar për segmentin e pushtetit gjyqësor që e kanë ushtruar gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombtarë. Me këtë nuk dua të them se ata nuk i kanë përmbushur të gjitha detyrat dhe nuk i kanë përmbushur të gjitha obligimet”, thotë Haxhimusa.
Pamundësia për t’i zbuluar të gjitha çështjet, të gjithë aktorët e krimeve të ndryshme gjatë konfliktit dhe luftës në Kosovë, sipas zoti Haxhimusa, nuk i jep të drejtë Human Rights Watch-it që të konstatojë se ka dështuar sistemi i drejtësisë në Kosovë. Ai thotë se puna për zbulimin e rasteve të tilla është duke vazhduar dhe nuk është i drejtë vlerësimi që bën kjo organizatë.
“Ata e kanë bërë një ndarje artificiale të gjyqësisë ndërkombëtare dhe gjyqësisë vendore në Kosovë, çka nuk është e drejtë dhe nuk është ai konstatim i bazuar në të gjitha këto shënime që ekzistojnë në mënyrë ekzakte. Egziston edhe një numër sigurisht i madh i rasteve që duhet proceduar në të ardhmen, kur të zbulohen të gjithë aktorët e krimeve të llojeve të ndryshme. Ato mbeten një detyrë prioritare për gjyqësorin e Kosovës, i cili tash po hyn definitivisht në reformë", shprehet Haxhimusa.
Vlerësimet e raportit të Organizatës Human Rights Watch i ka kundërshtuar edhe Riza Smaka, deputet në Parlamentin e Kosovës dhe anëtar i Komisionit parlamentar për ligjet dhe gjyqësorin. Sipas tij, konstatimet në këtë raport nuk janë të qëndrueshme.
“Unë them se konstatimet e tilla nuk qëndrojnë, nuk janë të tilla, nuk kanë mbështetje në të dhënat faktike të verifikuara. Por, kush e di se si i kanë nxjerrë konkluzionet e tilla. Nuk e mohoj faktin që gjyqësori në Kosovë ka probleme dhe telashe të mëdha. Natyrisht, nuk i arsyetojmë. Mirëpo, do të kisha inkorporuar faktorin se ka vështirësi të karakterit objektiv, sepse ka shumë lëndë dhe ka pak gjykatës, ka shumë lëndë e pak prokurorë, sa i përket standardeve që njihen sot për sot në Bashkimin Evropian”, thotë Smaka.
Ndryshe, raporti i Human Rights Watch veçanërisht shpreh shqetësimin për mungesën e mbrojtjes së dëshmitarëve, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për krimin e organizuar, krimet e luftës dhe sulmet kundër pakicave kombëtare. Lidhur me këtë çështje, zoti Smaka thotë:
“Mund të ketë edhe dështime kësisoj, mund të ketë edhe defekte, por ato padyshim janë të karakterit individual, prej rastit në rast. Nuk janë fenomene ato, sepse, fundi i fundit, edhe ne kemi vërejtje serioze në anëtarët e judikaturës me prominencë ndërkombëtare. Por, këto janë raste dhe nuk mund të pranohen si fenomene, si vlerësim i përgjithshëm. Kurrsesi nuk do të ishte korrekte që rastet individuale të gjeneralizohen”, thotë Smaka.
Sidoqoftë, në raportin e organizatës Human Rights Watch janë dhënë edhe rekomandimet konkrete për faktorët kyçë në sistemin e drejtësisë në Kosovë, si për autoritetet vendore, ashtu edhe për ato ndërkombëtare.