Ndërlidhjet

Haradinaj: Zgjedhjet të mbahen 9 muaj pas fazës tranzitore


Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një takim me gazetarët, ka kritikuar punën e deritashme të Qeverisë së Kosovës, pikërisht për mungesë të programit qeveritar. Haradinaj tha se lidhur me zgjedhjet duhet të respektohet pakoja e Ahtisaarit.


Pas rikthimit në skenën politike, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se si parti opozitare do të fillojë punën me gjëra konkrete. Në një takim me gazetarët, ish-kryeministri i Kosovës ka kritikuar punën e deritanishme të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se puna e kësaj qeverie nuk është lajm i mirë.

"Sipas bindjes sime, nuk është lajm i mirë për cilësinë e qeverisjes në Kosovë puna e deritashme e kësaj qeverie", tha zoti Haradinaj.

Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës edhe për mungesë të programit qeveritar. Sipas Haradinajt, nuk është arsyetim që për shkak të statusit, qeveria të punojë pa program qeveritar.

"Kur thotë kryetari i Qeverisë se për shkak të statusit nuk kemi bërë program, mendoj se është ofendim për njerëzit. Dhe, po e shpjegoj pse. Në rast se statusi është moment i rëndësishëm për njerëzit e një vendi dhe në rast se dita një është e rëndësishme, ka vlerë për ata njerëz e ndoshta ndodh ajo vetëm një herë, atëherë statusi është vetëm motiv më shumë që mos të niset dita e parë e punës pa program qeveritar. Pra, unë mendoj se është e kundërta, është si t'u thuhet njerëzve që nuk po shihni diçka, nuk duhet të shkohet kështu", tha Haradinaj.

Duke folur ndërkaq për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme, të cilat parashihen edhe me pakon e Martti Ahtisaarit, ish-kryeministri i Kosovës ka thënë se kjo pako duhet të respektohet dhe zgjedhjet duhet të mbahen në orarin e paraparë.

"Janë ligjore se kanë marrë fuqi ligjore, por janë edhe morale ashtu siç kemi rënë dakord me pakon e Ahtisaarit, sikur që kemi rënë dakord edhe që simbolet të jenë këto që janë, që edhe Kushtetuta të jetë kjo që është, që zonat e mbrojtjes të jenë këto. Kemi rënë dakord edhe për shpalljen e zgjedhjeve 9 muaj pas kalimit të fazës tranzitore 120 ditëshe", tha Haradinaj.

Në takimin e sotëm me gazetarët, të parin që zoti Haradinaj ka mbajtur që prej kthimit nga Tribunali i Hagës, ai ka folur edhe për zhvillimet e fundit në veri të Kosovë, të cilat i ka cilësuar si veprime të manipuluara nga Serbia.

"Është një agjendë e Serbisë, e cila dëshiron t'i bëjë bojkot agjendës së pari dhe të vetmit instrument i ka qytetarët serbë të Kosovës. Vazhdon t'i shfrytëzojë ata, duke i manipuluar në mënyrë jo të mirë nervore. Në fakt, jo të dobishme për ta. Mirëpo, ata kanë filluar të shohin më shumë shpresë në krijimin e një gjendjeje de facto reale në Kosovë", tha Ramush Haradinaj.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka premtuar se kontributi i tij politik e shtetëror, në mbështetje të ndërtimit të një jete funksionale, do të jetë i orientuar njësoj për të gjithë qytetarët e Kosovës. Zoti Haradinaj është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës më 3 prill të këtij viti, më shumë se tre vjet që prej ngritjes së aktpadisë kundër tij, pas së cilës ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit më 8 mars të vitit 2005.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG