Ndërlidhjet

Numri i njerëzve që trafikohen - në rritje?


Stop trafikimit
Stop trafikimit

Lufta kundër trafikimit të njerëzve në Kosovë është duke u zhvilluar me një intensitet të duhur, thonë zyrtarët e SHPK-së. Ata vlerësojnë se në krahasim me vitet e mëparshme, fillimi i vitit 2008 ka shënuar ulje të kësaj dukurie. Kurse, përfaqësues të organizatave joqeveritare, që merren me rehabilitimin e viktimave të trafikuara, thonë se numri i njerëzve që trafikohen është në rritje.


Parandalimi i trafikimit me njerëz, gjatë periudhës së parë të vitit 2008, ka shënuar përparime të dukshme në krahasim me vitet e mëparshme. Kështu thonë zyrtarë të Shërbimit Policor të Kosovës. Veton Elshani, zëdhënësi i SHPK-së, konsideron se trafikimi i njerëzve dhe krimi i organizuar është duke u luftuar me një intensitet të shtuar nga policia.

"Shërbimi Policor i Kosovës e ka njësitin e vet që vepron në kuadër të komandës kryesore të policisë, e mandej edhe ndaras nëpër regjione në Kosovë dhe që synim e kanë luftimin e krimit të organizuar, pikërisht trafikimin kundër qënieve njerëzore. Në vitin 2008, ne kemi pasur disa operacione të suksesshme, duke arritur në 16 numri i të arrestuarve", thotë Elshani.

Nga ana tjetër, Teuta Abrashi, nga Qendra për mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e trafikimit të njerëzve, thotë se numri i viktimave që shfrytëzohen për qëllime seksuale, është rritur dukshëm, në krahasim me nëntë vjetët e kaluar. Ajo thotë se prej vitit 2001 e deri më tani, kjo qendër ka asistuar dhe ka kthyer në vendet prej nga kanë ardhur ato 552 viktima ndërkombëtare.

"Problemi qëndron në fushën e integrimit; aty nuk është punuar, duhet të punohet. Kërkohet që të hapim një qendër rehabilitimi, me ç'rast do të mundësohet riintegrimi i viktimave të trafikuara dhe i familjeve të tyre", thotë zonja Abrashi.

Ndryshe, zëvendësdrejtoresha e USAID-it, Susan Fritz, konsideron se dukuria e trafikimit të njerëzve në Kosovë, vazhdon të jetë një nga probelemet me të cilat po vazhdojnë të përballen institucionet. Megjithatë, sipas saj, situata ka ndryshuar në të mirë që nga viti 2001.

"USAID-i do të vazhdojë t'i përkrahë dhe t'i ndihmojë institucionet e Kosovës në luftën kundër trafikimit", tha zonja Fritz.

Ndryshe, sot, në një konferencë të organizuar nga USAID-i, Qendra Juridike e Kosovës dhe Shërbimi Katolik për Ndihmë, u tha se Kosova, në vitet e fundit, ka qenë vend tranzit dhe vend destinimi për viktimat e trafikimit. Por, sipas Haki Demollit, drejtor i Qendrës Juridike të Kosovës, sot Kosova është bërë vend i origjinës së trafikimit me njerëz.

"Flitet për një numër prej 20-22 rasteve në vit që zbulohen, kurse në të vërtetë, numri real është shumë më i madh. Sa i përket Kosovës, edhe njëherë duhet theksuar ajo se për fat të keq, përveç që është vend destinimi për viktimat e trafikimit, e që në një kohë ka qenë edhe vend tranzit, tash është shndërruar edhe në vend të origjinës së viktimave të trafikimit", tha Demolli.

Në një raport të planit të veprimit në luftën kundër trafikimit të njerëzve, të cilin e ka publikuar Qendra Juridike e Kosovës, rekomandohet që Qeveria e Kosovës në të ardhmen të hartojë një strategji nacionale për luftën kundër trafikimit të njerëzve.
XS
SM
MD
LG