Ndërlidhjet

Trajkoviq: Pavarësia nxit krijimin e qeverisë paralele serbe


"Serbët e Kosovës duhej të përfshiheshin në bisedime. Shqiptarët e Kosovës kanë menduar ta zgjidhin problemin me bashkësinë ndërkombëtare dhe me Beogradin. Beogradi mendoi ta zgjidhë pa serbët, ndërkombëtarët konsideruan ta zgjidhnin në bazë të parimit etnik. Në Kosovë është gjetur zgjidhja për çështjen shqiptare, por jo për atë kosovare", thotë Momcillo Trajkoviq, kryetar i Lëvizjes së Rezistencës serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Trajkoviq, në javën, që po lëmë pas Kuvendi i Kosovës miratoi kushtetutën e Kosovës, që është cilësuar si një hap tjetër i shtetësisë së Kosovës. Si e vlerësoni ju këtë hap?

MOMÇILLO TRAJKOVIQ
Më duhet të them se me vetë faktin e krijimit të shtetit të pavarur në mënyrë të njëanshme është krijuar një problem thelbësor. Nuk mund të krijohet një shtet normal dhe ligjor duke bërë një shkelje të tillë ligjore.

Për mua paraqet problem thelbësor fakti që nuk u gjet një kompromis me Beogradin, me palën serbe dhe me komunitetin ndërkombëtar rreth statusit të Kosovës, por patëm një shpallje të njëanshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Sidoqoftë, Kosova tashmë është njohur nga rreth 40 shtete, përfshirë këtu edhe vendet e G7-ës. Kur mendoni se serbët do ta njohin Kosovën, si serbët që jetojnë këtu, ashtu edhe serbët në Serbi?

MOMÇILLO TRAJKOVIQ
Mua me vjen keq, që duhet ta them, por njohja vetëm nga 40 shtete, do të thotë se nuk të kanë njohur ende 150 shtete. Kjo për mua paraqet fakt fundamental. Serbët nuk mund të marrin pjesë në një shtet që nuk e kanë njohur as vendet e Këshillit të Sigurimit, apo shumica e shteteve.

Do të jetë e vështirë dhe frikësohem se nga një sjellje e tillë e elitës politike në Kosovë dhe e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare do të krijohen kushte, për diçka që mund të jetë e rrezikshme: kushte për krijimin e qeverisë paralele në vetë territorin e Kosovës.

Kjo me kujton kohën e '89-ës kur Millosheviqi ka pasur probleme të ngjashme. Millosheviqi ka pasur një situatë të tillë në '98-ën, kur gjysmën e Kosovës e ka kontrolluar UÇK-ja. Ai ka pasur dilemën se çfarë të bëjë, të vështrojë apo reagojë.

Shqiptarët atëbotë, kanë refuzuar dialogun. Sot kemi situaten, kur qeveria e Kosovës dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, qe e ka njohur Kosovën, kanë dilemën se çfarë të bëjnë: të vëzhgojnë se si po krijohet shteti paralel serb apo të reagojnë.

Unë gati e kam përfunduar librin tim në të cilin kam shkruar se për Kosovën nuk ekziston zgjidhje, por ekziston procesi. Për këtë arsye më vjen keq, që pati një vendim të njëanshëm. Unë mendoj se ky është problemi thelbësor, që do të nxisë problem të ri dhe krizë të re.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë folët për jetën paralele, ndërkohë që një nga ngjarjet kryesore politike, që pritet në Serbi e që lidhet edhe me serbët e Kosovës, janë zgjedhjet e 11 majit.
Mendoni se pas kësaj do të ketë ndryshim raportesh mes Kosovës e Serbisë, apo do të vazhdojë si deri tash?

MOMÇILLO TRAJKOVIQ
Frikësohem se do të jetë njësoj përveç se do të ketë një pozicion të ri, që do të shkaktojë bisedime të tjera. Unë nuk shoh të ketë zgjidhje me vendim të njëanshem dhe unë nuk pajtohem me një pozitë çfarë është sot Kosova.

Konsideroj se duhet të ulemi dhe të kërkojmë kompromis. Për fat të keq nuk do të jetë kështu dhe më duket se do të ketë edhe më tej paralelizëm.

Nëse në Serbi fitojnë forcat radikale ky paralelizëm do të forcohet në Kosovë, gjë që nuk më bën të lumtur, veçse më frikëson se mund të shkaktohet ndonjë konflikt, i cili mund të hapë proces të gjerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë përmendët bisedimet, a e kanë ditur serbët gjatë negociatave se një nga opcionet është edhe pavarësia e Kosovës?

MOMÇILLO TRAJKOVIQ
Po, padyshim. Por, fatkeqësisht, serbët nuk kanë marrë pjesë në këto bisedime. Unë kam theksuar se serbët e Kosovës është dashur të jenë të përfshirë në atë proces.

Mund të them se serbët e Kosovës nuk janë subjekt politik dhe duke marrë parasysh këtë fakt, përgjegjesia bartet te tre faktorë: komuniteti ndërkombëtar, shqiptarët dhe Beogradi. Askush nuk i ka marrë parasysh seriozisht serbët e Kosovës. Ata qenë lënë anash.

Shqiptarët e Kosovës kanë menduar se këtë çështje do të mund ta zgjidhin me bashkësinë ndërkombëtare dhe me Beogradin. Beogradi konsideronte se këtë mund ta zgjidhë pa serbët. Komuniteti ndërkombëtar ka konsideruar se këtë mund ta zgjidhë në bazë të parimit etnik.

Në Kosovë ka fituar parimi etnik, është gjetur zgjidhja për çështjen shqiptare, e jo për atë kosovare.

Tani jemi futur në një krizë dhe duhet një maturi shumë e madhe në mënyrë që ajo të kontrollohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni deklaruar më parë se nuk shihni zgjidhje të problemit të Kosovës pa integrime evropiane. E shihni ju Kosovën dhe Serbinë të integrohen ndarazi në BE?

MOMÇILLO TRAJKOVIQ
Nuk e di a të ndara, apo paralelisht, por mendoj se kjo është zgjidhja. Problem mbetet se si do të ndodhë ky anëtarësim.

Më duket se Kosova nuk do të ketë kohë që të konstituohet si shtet normal i pavarur, por do të jetë diçka që do të vijë, përmes një procesi të përshpejtuar, dukë përfshirë këtu edhe angazhimin e BE-së, që do të kërkojë përgjigje në zgjidhjen e problemit.

Nuk e shoh mundësinë se si Kosova të bëhet anëtare e BE-së, si të integrohet në Evropë, përderisa nuk pajtohet me këtë Serbia.

Për këtë arsye konsideroj se elita politike shqiptare duhet të mendohet mirë, dhe të mos injorojë Serbinë, dhe në asnjë rast të mos sillet si triumfuese, sepse nuk ka zgjidhje duke e nënçmuar Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa i përket vetë serbëve të Kosovës, si e shihni hyrjen e tyre në Evropë, përmes Kosovës apo Serbisë?

MOMÇILLO TRAJKOVIQ
Unë jam angazhuar për Kosovën si rajon evropian, për atë që përmes një marrëveshje, Serbia ta sjell Kosovën në BE e më pas, Kosova të vazhdojë ta ndërtojë ardhmërinë e saj.

Por, as në Serbi, as te pala shqiptare e as te komuniteti ndërkombetar, për fat të keq, nuk ka pasur mirëkuptim për këtë strategji.

Nganjëherë si në Serbi si këtu, me rëndësi ka qenë çështja psikologjike dhe ky është problem psikologjik.

Kosova është jashtë Serbisë prej 9 apo 10 vjetësh. Për fat të keq, shpallja e pavarësisë së Kosovës në mënyrë armiqësore kundër Serbisë, i merr argumentin Serbisë që ta ndihmojë Kosovën që në forma të tjera të ndërtojë identitetin e saj në kuadër të BE-së, ndërsa bashkë me Serbinë të krijojnë strategji të përbashkët.

Kosova si rajon evropian ka qenë shansi ynë. Për fat të keq, kjo u injorua.

XS
SM
MD
LG