"Do të mundohem ta prezantoj Kosovën nëpërmjet një kampanje për përmirësimin e imazhit të saj në shkëmbimin e përvojave në fushën e kulturës, ekonomisë, turizmit", ka thënë Stan Dragoti, pas takimeve me liderët e institucioneve të Kosovës.
Nga ana tjetër, Fadil Hysa, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, thotë se zoti Dragoti ka shprehur gatishmërinë e tij për ta ndihmuar Kosovën në ketë aspekt. Por, sipas tij, kjo nismë është fillimisht një ide.
"Është në nivel të idesë që ka të bëjë me promovimin e Kosovës në mediat botërore. Është një njeri që konsiderohet mbret i reklamave në Amerikë, njeriu që e ka ndryshuar imazhin e Nju Jorkut në vitet e 70-ta. Ka një fuqi të jashtëzakonshme edhe në komunikime me mediat më të fuqishme të botës dhe ndikimi i tij në të gjitha ato rrjete të fuqishme televizive është shumë i madh. Në këtë plan, ai dëshiron t'i ndihmojë Kosovës që të ketë një promovim shumë më të mirë, sesa që ka pasur deri tash", tha Hysa.
Dragoti ka thënë se ka pasur takime interesante me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe ka shprehur kënaqësinë që ndodhet në Kosovën e lirë.
"Unë do të bëj çdo gjë që është në dorën time që kjo që biseduam sot, të realizohet", tha Dragoti.
Përmes një kampanje televizive, Dragoti ka thënë se do të përpiqet ta prezantojë Kosovën në mënyrë sa më interesante edhe në fusha të ndryshnme në botë .
"Ne do të mundohemi që të bëjmë një kampanjë. Do të jetë një mundësi e mirë komunikimi në aspekte të ndryshme, për t'i prezantuar botës se kush jemi ne", tha Dragoti.
Stan Dragotin, të martën, qyteti i Prizrenit do ta shpallë qytetar nderi, ndërsa në mbrëmje për të do të jepet një shfaqje në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.