Ndërlidhjet

Vazhdon status quo-ja në Mitrovicë


Paqeruajtësit italianë të KFOR-it në Mitrovicë
Paqeruajtësit italianë të KFOR-it në Mitrovicë

Gjendja e status quo-s në Mitrovicë po vazhdon, përderisa institucionet nuk kanë strategji afatshkurtër se si ta kthejnë funksionalitetin atje. Që nga shpallja e pavarësisë, në pjesën veriore të Kosovës nuk funksionojnë institucionet vitale. Vetëm siguria mbetet nën kontrollin e KFOR-it.


Dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, institucionet nuk kanë arritur të shtrijnë kontrollin në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, përderisa edhe ato pak institucione që administroheshin nga UNMIK-u deri më 17 shkurt, tanimë gjenden jashtë këtij kontrolli.

Gjykatat e vendosura në veri nuk po funksionojnë tash dy muaj, ndërsa pikat doganore të djegura në shenjë revolte ndaj shpalljes së pavarësisë, nuk janë hapur më fare. Autoriteti i vetëm ndërkombëtar që ka situatën nën kontroll, si para, si pas pavarësisë, mbetet KFOR-i. Ky fakt është pozitiv sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, pavarësisht se, sipas tij, institucionet vitale janë jashtë funksionit në veri.

"Aktualisht, ne kemi vështirësi për ta realizuar funksionin e plotë të policisë tonë atje. Pjesëtarët serbë të SHPK-së janë ende nën telashe të funksionimit, nën presion të madh për t'u larguar nga SHPK-ja, por ata ende janë pjesë e policisë, bashkëpunojnë me UNMIK-un, por ka telashe në funksionimin e doganave dhe ka telashe në funksionimin e gjykatave, si rezultat i ngjarjeve të kaluara, që tashmë dihen", tha Pajaziti.

Më 19 shkurt, në shenjë revolte ndaj shpalljes së pavarësisë, serbët dogjën dy pika doganore në Leposaviq dhe Zubin Potok. Që atëherë, doganat nuk funksionojnë, përderisa duke mos mundur të shtrijnë sërish kontrollin, sipas zëdhënësit Adriatik Stavileci, doganat kanë kërkuar rrugë alternative.

"Ajo që kemi bërë kohëve të fundit, është që kemi shtuar patrullimin e njësive anti-kontrabandë në rrugët që vijnë nga pjesa veriore. Këto njësi kontrollojnë dërgesat që futen përmes këtyre pikave ku nuk ka kontroll doganor, por vetëm të KFOR-it", tha Stavileci.

Hekurudhat e Kosovës nuk kanë mundur të shtrijnë kontrollin mbi segmentet hekurudhore që gjenden në veri, që nga 3 marsi, kohë kjo Hekurudhat e Serbisë deklaruan se tani ato ushtrojnë kontrollin në veri. Sipas drejtorit të Hekurudhave të Kosovës, Xhevat Ramosaj, asnjë hap konkret për të rimarrë kontrollin nuk është bërë deri tani.

"Nuk e kemi kontrollin mbi hekurudhën, përndryshe ne presim që do ta kemi kontrollin mbi hekurudhën. Mbetet obligim i UNMIK-ut", thotë Ramosaj.

Por, çfarë është duke u bërë për të tejkaluar këtë status-quo? Zyrtarë të UNMIK-ut thonë se kthimi i kontrollit mbi institucionet, si në gjykata apo dogana, do marrë kohë për shkaqe sigurie.

"Pas humbjes së kontrollit, ne tani po e rimarrim atë si në gjykata, apo dogana. Por, duhet të kemi kujdes sa i përket sigurisë. Sidooqftë, në një nivel minimal, këto institucione funksionojnë. Ne do mundohemi që të kthejmë kontrollin e plotë, sa më shpejt që të jetë e mundur", thotë Lindholm.

Qeveria Thaçi nuk ka ndonjë cak kohor se kur do të nisë të shtrijë kontrollin në veri, në të cilin që nga 99-ta përkrah administratës ndëkrombëtare kanë funksionuar strukturat paralele të Qeverisë serbe. Qeveria nuk jep ndonjë afat kohor, as për zbatimin në praktikë të premtimeve për përmirësimin e jetës së komunitetit serb, gjë për të cilën Zenun Pajaziti mendon se do të jetë çelësi i integrimit të serbëve në institucione.

"Qeveria dhe vetë zoti Thaçi nuk janë bazuar asnjëherë në data dhe në afate kohore. Është me rëndësi që kjo qeveri i ka dhënë prioritet projekteve në atë pjesë të Kosovës dhe kjo është shumë më e rëndësishme. Kjo do të thotë se do të ketë progres në afate më të shkurtra kohore", tha Pajaziti.

Por, mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në komunat e banuara me shumicë serbe, në mesin e vëzhguesve shton frikën se institucionet e Kosovës nuk do të mund të shtrijnë kontrollin atje dhe se do të instalohen përfundimisht dy pushtete paralele.
XS
SM
MD
LG