Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Serbisë rifillojnë bisedimet për personat e pagjetur. Grupi punues teknik i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur nga Kosova dhe ai nga Serbia, nën udhëheqjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, do të mbajnë takimin e radhës më 23 prill 2008, në Beograd. Grupi Punues i Kosovës kryesohet nga prof.dr. Pajazit Nushi. Të dyja grupet do të bisedojnë lidhur me zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
"Bisedimet për gjetjen e individëve të zhdukur vazhdojnë në mes të delegacionit të Kosovës dhe delegacionit të Serbisë. Ketë radhë do ta mbajmë mbledhjen në Beograd, nën përkujdesjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Do të trajtohen ato çështje, të cilat janë më afër zgjidhjes së tyre, e ato kanë të bëjnë me disa probleme mjeko-ligjore, që kapin më tepër identifikimin e eshtrave, të cilat janë të vendosura në institucionet profesionale të Prishtinës, Beogradit dhe të vendeve të tjera. Pas identifikimit, do të jemi në gjendje t'ua dorëzojmë familjarëve atë që do të jetë e mundur t'ua dorëzojmë", tha Nushi.
Nga ana tjetër, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, thotë se grupi punues nga Prishtina do të tregojë gatishmërinë për bashkëpunim dhe, sipas tij, një gjë e tillë duhet të ndodhë edhe nga ana e delegacionit të Beogradit.
"Kërkesa e veçantë është që të vazhdohet patjetër me këmbëngulje, të dimë për fatin e të pagjeturve edhe në bazë të konventës ndërkombëtare për çështjen e të pagjeturve. Në këtë drejtim, ne do të punojmë dhe do të ofrojmë materiale, dokumente, informata, që i kemi përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe Zyrës mjeko-ligjore", tha Gjetaj.
Zoti Gjetaj ka konsideruar se vazhdimi i bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit është më se i rëndësishëm. Ai thotë se ekzistojnë të dhëna që në Serbi mund të japin informacione për personat e zhdukur kosovarë.
"Jo vetëm që dyshojmë, por, në bazë të të dhënave të deritashme, njerëzit në varrezat masive janë zhgroposur, janë dërguar në Serbi dhe një pjesë e tyre janë gjetur. Do të thotë, dyshimet vazhdojnë që edhe të tjera gjenden diku në Serbi. Serbia ka pasur sistem të organizuar të armatës, prandaj edhe mund të ketë informacione, mund të kete dijeni", tha zoti Gjetaj.
Po ashtu, sipas tij, familjarët e të zhdukurve posedojnë informata për të afërmit e tyre, por ata nuk i bëjnë publike për arsye të ndryshme.
"Shumë familjarë të të pagjeturve mbajnë informata dhe kanë informata prej individëve, por ato mbahen për çështje të konspirativitetit sekrete, se ende ka persona të gjallë, megjithëse është pak e besueshme, sepse kanë kaluar 9 vjet. Por, derisa nuk vërtetohet e kundërta, mbase edhe ekziston mundësia për të besuar", thotë Gjetaj.
Gjetaj gjithashtu është zotuar se Komisioni Qeveritar do të punojë dhe do të jetë në gjendje t'i marrë parasysh të gjitha kërkesat e familjarëve të personave të pagjetur.
Ndryshe, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, persona të zhdukur konsiderohen rreth 2 mijë veta.