Ndërlidhjet

Freizer: Zgjedhjet serbe në Kosovë - plotësisht të papranueshme


Sabine Freizer
Sabine Freizer

"UNMIK-u i ka bërë të qartë Beogradit se nuk është e drejtë mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë. Zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe mund të mbahen në një datë të mëvonshme, bazuar edhe në planin e Ahtisaarit", thotë Sabine Freizer, drejtore për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Freizer, Kosova prej dy muajsh është e pavarur. Cili është vlerësimi juaj për këtë periudhë?

SABINE FREIZER
Po, Kosova prej dy muajsh është e pavarur dhe në vija të përgjithshme ka qenë një periudhë pozitive.

Deri tani, nuk kemi parë ndonjë shpërthim dhune në shkallë të gjerë, siç kishin parashikuar disa, dhe nuk kemi pasur zhvendosje të popullsive.

Kemi parë nga ana tjetër deklarata dhe hapa pozitivë të zyrtarëve kosovarë ndaj pakicave, veçanërisht asaj serbe.

Në planin ndërkombëtar, numri i vendeve që e kanë njohur shtetin e Kosovës ka qenë në rritje dhe Bashkimi Evropian ka vendosur praninë e vet në Kosovë.

Në disa drejtime situata ka qenë pozitive. Kemi pasur zhvillime negative në veri të Kosovës. Do kujtoja ngjarjet e 17 marsit në Mitrovicë dhe ngjarjet para tyre në kufirin verior.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri tani, rreth 40 vende e kanë pranuar shtetin e Kosovës. Gjatë javëve të fundit ka pasur rënie në intensitetin e njohjes së Kosovës. A duhet të shqetësohemi?

SABINE FREIZER
Nuk mendoj se ka vend për shqetësim. E kuptoj se do marrë kohë ky proces, veçanërisht për vendet që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me Kosovën dhe Ballkanin.

Problem mbetet Rusia që po udhëheq politikën e nxitjes së vendeve të ndryshme që të mos njohin Kosovën. Një politikë e tillë është për të ardhur keq dhe natyrisht nuk ndihmon.

RADIO EVROPA E LIRË

Ministri i Jashtëm i Rusisë tha se vendi i tij është treguar i suksesshëm në pengimin e procesit të njohjes së Kosovës. A mund të flitet për sukses të Moskës apo kemi të bëjmë me propagandë?

SABINE FREIZER
Mendoj se ata kanë qenë të suksesshëm në disa drejtime. Rusia i ka trembur disa vende që të mos njohin Kosovën. Rusia veçanërisht po e pengon procesin në mesin e vendeve që kanë probleme të brendshme me lëvizjet për pavarësi apo me pakica që kërkojnë më shumë të drejta. Rusia po i tremb këto vende.

Padyshim, kjo është problematikë dhe e pandershme nga ana e Rusisë, pasi Kosova është rast unik. Në këtë kuptim, nuk ka asnjë bazë të krahasohet situata në Kosovë, le të themi me atë në Spanjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Natyrisht një tjetër vend që kundërshton me veprime konkrete pavarësinë e Kosovës, është Serbia. Së fundi ka vendosur të mbajë zgjedhjet lokale në Kosovë. Qeveria e Kosovës e ka kundërshtuar këtë vendim të Serbisë, por kundërshtimi ka mbetur në nivel deklaratash, çfarë ka hasur në kritika. Sipas jush, cila është rruga më e mirë që duhet të ndjekë Qeveria e Kosovës?

SABINE FREIZER
Mendoj se në këtë fazë Qeveria e Kosovës ka zgjedhur qasjen e duhur, pra atë të kundërshtimit të qartë rreth mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në territorin e Kosovës, pa një marrëveshje paraprake.
Zgjedhjet në Kosovë mund të mbahen vetëm me miratimin e Qeverisë së Kosovës dhe të Kombeve të Bashkuara.


Është e qartë se zgjedhjet në Kosovë mund të mbahen vetëm me miratimin e Qeverisë së Kosovës dhe Kombeve të Bashkuara. Në këtë fazë, e dimë se vetëm UNMIK-u është në pozitë për të marrë vendime. UNMIK-u gjithashtu i ka bërë të qartë Beogradit se nuk është e drejtë mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë më 11 maj. Zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe mund të mbahen në një datë të mëvonshme, bazuar dhe në planin e Ahtisaarit.

Është plotësisht e papranueshme që Serbia të mbajë zgjedhjet në Kosovë më 11 maj.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, politika e kundërshtimit të Beogradit vetëm me deklarata, si nga Prishtina, ashtu dhe nga ndërkombëtarët, ka krijuar gjendjen aktuale në veriun e Kosovës. A mendoni se politika e deklaratave është e mjaftueshme?

SABINE FREIZER
Është një pyetje shumë e vështirë, pasi ajo që nuk dëshirojmë të shohim, është shpërthimi i dhunës në veri të Kosovës. Është e rëndësishme për bashkësinë ndërkombëtare që të mbetet e fuqishme në këtë pjesë dhe kjo vlen dhe për Kombet e Bashkuara dhe NATO-n. Eventualisht pritet edhe një rol i rëndësishëm i BE-së në veri.

Momentalisht, është shumë shpejt për mua të them se si OKB-ja dhe NATO-ja duhet të veprojnë, nëse Serbia vazhdon me planet e saj dhe organizon zgjedhjet në Kosovë.

Ajo që mund të them është se bashkësia ndërkombëtare mbetet unike në kundërshtimin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në veri të Kosovës.

Çfarë mund të shkojë përtej deklaratave, është ende herët ta them.

RADIO EVROPA E LIRË
Ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht udhëheqës i opozitës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Qeveria në Prishtinë duhet të ketë një ofertë konkrete për pakicën serbe, e cila duhet t'u ofrojë atyre më shumë se çfarë u ofron Beogradi, përfshirë këtu edhe favore ekonomike. A i shihni këto propozime si zgjidhje për integrimin real të veriut në territorin e Kosovës?

SABINE FREIZER
Ajo që e mendoj si shumë të rëndësishme është fillimi i dialogut mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Siç e thashë dhe më sipër, është shumë inkurajues fakti që Qeveria e Kosovës ka bërë deklarata për integrimin e serbëve si qytetarë të barabartë në shtetin e ri. Mendoj se Prishtina mund të bëjë më shumë në këtë drejtim.

Një mënyrë për ta bërë këtë është përmes rrugëve ekonomike, duke mbështetur me fonde komunat me shumicë serbe. Kjo duhet shoqëruar me deklarata politike dhe me një përfshirje më të prekshme të serbëve që jetojnë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova përballet edhe me problemin e Kombeve të Bashkuara, që nuk kanë një qëndrim lidhur me pavarësinë. Kjo ka bërë që të kemi një pushtet trepolar në terren, Qeverinë e Kosovës, UNMIK-un dhe praninë evropiane. A ka gjasa që të shohim fundin e pushtetit trepolar së shpejti?

SABINE FREIZER
Padyshim, është problem kyç mënyra se si do të veprojë bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, veçanërisht 120 ditë pas shpalljes së pavarësisë.

Në këtë moment, bisedimet vazhdojnë, ashtu siç mbetet e vështirë për Kombet e Bashkuara të marrin një pozicion të qartë, për shkak të kundërshtimit nga disa vende anëtare të Këshillit të Sigurimit, veçanërisht Rusisë.

Kjo nuk e ndihmon situatën dhe është e qartë se prania e Kombeve të Bashkuara duhet të zvogëlohet dhe t'ia kalojë përgjegjësitë Bashkimit Evropian.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka bërë disa deklarata, ku thuhet se e kupton situatën dhe se duhet të bëhet kalimi i
Për hir të paqes dhe stabilitetit në Kosovë, Rusia duhet t'i moderojë qëndrimet e saj dhe të lejojë tranzicionin nga UNMIK-u te BE.
përgjegjësive dhe duhet të fillojë periudha e tranzicionit. Pozita e tij mbetet e dobët pasi nuk ka mbështetjen e Rusisë.

Për hir të paqes dhe stabilitetit në Kosovë, Rusia duhet t'i moderojë qëndrimet e saj dhe të lejojë trazicionin nga UNMIK-u tek Bashkimi Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka gjasa që Rusia t'i moderojë qëndrimet? A ndihmon ardhja në pushtet e Medvedevit?

SABINE FREIZER
Padyshim që do kërkojë shtysa të mëdha nga miqtë e Kosovës, që të shohim ndryshimin e pozicionit të Rusisë. Shpresoj që të jetë e mundur, por është shumë e vështirë në këtë fazë.

Ardhja në pushtet e Medvedevit ka gjasa që të ndihmojë. Por, duhet thënë se po duket gjithnjë e më shumë se presidenti Putin do vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në politikën e jashtme ruse. Në këtë kuptim ende nuk dihet se sa do jetë në gjendje Medvedevi të bëjë ndryshime në politikën e jashtme ruse.
XS
SM
MD
LG