Ndërlidhjet

SHBA-të dhe Britania kundërshtojnë zgjedhjet serbe në Kosovë


Këshilli i Sigurimit i OKB-së
Këshilli i Sigurimit i OKB-së

Në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesit e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe kundërshtuan kërkesën e presidentit serb që zgjedhjet serbe të mbahen edhe në territorin e Kosovës.


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka shqyrtuar, të hënën, raportin e shefit të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, për situatën në Kosovë.

Në mbledhjen e mbyllur, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka kërkuar që zgjedhjet e 11 majit në Serbi të mbahen edhe në Kosovë, por propozimi ka hasur në kundërshtimin e ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe, Zalmay Khalilzad dhe John Sawers.

"Ne nuk po bëjmë dhunë në Kosovë. Ne bëjmë gjithçka që mundemi për t'i mbrojtur jo vetëm serbët, por edhe njerëzit tjerë që jetojnë në Kosovë. Dhe, në këtë pikëpamje, ne e mbrojmë të drejtën ndërkombëtare. Por, duhet të them se pas shpalljes së pavarësisë, e cila ishte një akt ilegal, ne kemi kaq shumë probleme në mbarë botën. Të gjithë separatistët në botë po përpiqen të ndërmarrin veprimin e njëjtë", tha Tadiq.

Ambasadori britanik Sawers tha pas takimit se në raportin e tij, shefi i UNMIK-ut ka kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe lokale në Kosovë.

"Gjykimi i tij është se zgjedhjet, sidomos ato në baza etnike, do të ishin përçarëse dhe të padobishme. Ne presim që Serbia ta tërheqë vendimin e saj për t'i mbajtur këto zgjedhje mbi baza etnike brenda territorit të Kosovës", tha Sawers.
Zalmay Khalilzad

Ambasadori amerikan Khalilzad u tha gazetarëve se zgjedhjet lokale do të ishin "të padobishme" dhe "ilegale". "Kjo është e papranueshme", i tha Këshillit ambasadori amerikan.

"Përpjekjet e presidentit Tadiq për t'i mbajtur këto zgjedhje lokale janë provokim dhe unë bëj thirrje që të mos vazhdohet me to", tha Khalilzad.

I dërguar amerikan tha se i kishte thënë Këshillit se është i inkurajuar nga progresi i bërë në Kosovë me ndihmën e misionit të Kombeve të Bashkuara. Por, Khalilzad i theksoi disa incidente të dhunshme që pasuan shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Por, ambasadori i Rusisë, Vitaliy Churkin, ka mbështetur kërkesën e Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë.

"Ne besojmë se serbët kanë çdo të drejtë që t'i mbajnë zgjedhjet e tyre parlamentare dhe lokale atje ku ata mendojnë se duhen mbajtur", u tha Churkin gazetarëve pas takimit të Këshillit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjithashtu i është drejtuar Këshillit në seancën e mbyllur. Pas takimit, Thaçi tha se i ka paraqitur "sukseset e institucioneve dhe popullit të Kosovës" pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt. Ai gjithashtu i quajti "jolegjitime" zgjedhjet serbe në Kosovë dhe u zotua se Qeveria e Kosovës do t'i përfshijë si shqiptarët, ashtu edhe serbët.

"Mendoj se pas zgjedhjeve të 11 majit, Beogradi do të fillojë t'i rishikojë marrëdhëniet me Prishtinën. Dhe, pse jo, të njohë edhe pavarësinë e Kosovës! Sepse, përderisa Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ata kurrë nuk mund të jenë pjesë e NATO-s dhe e BE-së", tha Thaçi.

Tadiq gjithashtu u ka bërë thirrje vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta rishikojnë vendimin e tyre dhe i tha Këshillit të Sigurimit se serbët nuk u besojnë autoriteteve në Prishtinë dhe as që do të bashkëpunojnë me misionin e Bashkimit Evropian, EULEX, i cili pritet të zëvendësojë UNMIK-un.
Por, deklarata e presidentit serb ka hasur në reagim të rreptë të ambasadorit amerikan Khalilzad.

"Ne gjithashtu jemi të shqetësuar nga veprimet e Beogradit për t'u bërë shtypje serbëve të Kosovës që të mos bashkëpunojnë me autoritetet në Prishtinë apo të mos bashkëveprojnë me fqinjët e tyre shqiptarë", tha Khalilzad.

"Është e qartë se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen me njëra-tjetrën për çështjet me interes të përbashkët, por të minosh pavarësinë, është e padobishme për Serbinë. Pozicioni i Beogradit shkon në kundërshtim me parimin e shumetnicitetit, të cilin Kombet e Bashkuara synojnë ta vënë në jetë në Kosovë", tha ambasadori amerikan.

John Sawers
Ambasadori britanik u tha gazetarëve se Thaçi është i përkushtuar për t'i bashkuar të gjithë kosovarët, përfshirë dhe pakicat.

"Këto janë përkushtime shumë të rëndësishme", tha ambasadori britanik në Këshillin e Sigurimit, John Sawers.

"Mbetet e qartë se Serbia dhe Rusia refuzojnë ta pranojnë realitetin në Kosovë. Kuptohet, shumë vende tjera, përfshirë vendin tim, tash e kanë pranuar dhe njohur plotësisht Kosovën si shtet të pavarur. Por, ne duhet të ecim përpara në njohjen e perspektivës dhe për t'u siguruar që në Kosovë të mbizotërojë stabiliteti, paqja dhe qeverisja e mirë", tha Sawers.
XS
SM
MD
LG