Ndërlidhjet

Siguria dhe zgjedhjet serbe në Kosovë


SHPK
SHPK

Autoritetet e rendit në Kosovë thonë se nuk kanë ndonjë plan të veçantë veprimi në rast të mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe parlamentare serbe në Kosovë. Ata shprehen se janë të gatshme për çfarëdo situate të mundshme. Kurse, ekspertët e sigurisë thonë se Shërbimi Policor i Kosovës duhet të bëjë plane të ndryshme veprimi, në rast të mbajtjes së zgjedhjeve edhe në Kosovë.


Shërbimi Policor i Kosovës dhe KFOR-i thonë se do të jenë të gatshëm për të reaguar në kohën e duhur për çfarëdo situate të mundshme dhe se nuk kanë kurrfarë shqetësimi nëse zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare serbe mbahen në Kosovë.

Veton Elshani, zëdhënës i policisë, thotë se ata do të jenë në gjendje gatishmërie për të ruajtur rendin dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve.

"Nuk do ta kisha quajtur shqetësim. Mirëpo, çfarëdo ngjarje që mund të ofrohet dhe të zhvillohet në Kosovë, normalisht që ne na bën të jemi më të kujdesshëm dhe marrim masa që të mos ndodhë ndonjë problem", tha Elshani.

Ai ka shtuar se pjesëtaret e Shërbimit Policor të Kosovës nuk kanë bërë asnjëherë sigurimin e mbajtjeve të zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.

“Ne, asnjëherë deri më tash, nuk e kemi bërë sigurimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Por, sidoqoftë, nëse ato mbahen, ne do jemi në dijeni të tyre dhe do marrim masa që të mos ketë prishje të rendit dhe të qetësisë publike”, tha Elshani.

Edhe zëdhënësi i KFOR-it, Herve Cozette, thotë se nuk kanë ndonjë plan veprimi të veçantë për sa i përket mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe parlamentare serbe në Kosovë.

“KFOR-i nuk ka ndonjë plan specifik për të vepruar në rast të mbajtjes së zgjedhjeve. Ne, edhe më tej, jemi gati për të reaguar dhe për ta siguruar Kosovën në çdo kohë", tha Cozette.

Kurse eksperti për siguri, Nuredin Ibishi, vlerëson se autoritetet e rendit duhet të kenë plane të ndryshme veprimi, duke pasur për bazë njoftimet që vijnë nga Beogradi për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Policia duhet përherë të jetë e gatshme që t’i bëjë planet operative, në kuptim të asaj që të përgjigjet. Zakonisht, ato çka po parashtrojnë, po i realizojnë në Kosovë pa kurrfarë problemi. Autoriteti Policor, SHPK-ja duhet të jenë të gatshme çdoherë që t’i bëjnë planet me kohë, t’u përgjigjen kërcënimeve për siguri”, thotë Ibishi.

“Pa marrë parasysh se çfarë do të jetë epilogu i bisedimeve për moslejimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, e sidomos atyre lokale, në Kosovë, mendoj se policia përherë duhet të jetë e gatshme me plane gjegjëse, sidomos me plane operative të veprimit, në mënyrë që të mos kalojë gjendja e sigurisë në atë kohë", u shpreh Ibishi.

Ibishi rekomandon se organet e rendit në rast të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, duhet të rrisin masat e sigurisë. Sipas tij, kjo duhet të bëhet veçanërisht në vendet e banuara me shumicë serbe. Ai madje thotë se nëse mbahen zgjedhjet, mund të ketë edhe ekstremistë që mund të shkaktojnë probleme.

“Së pari, policia duhet të jetë e përqendruar në ato vende, për arsye se edhe brenda serbëve lokalë të këtyre zgjedhjeve do të ketë ekstremistë, në kuptim të asaj që partitë ultra-nacionaliste mund të tentojnë që në Kosovë të fitojnë vota, ndoshta në një formë mund ta provokojnë gjendjen, jo vetëm në enklava, por edhe në ato vende ku janë transit", tha Ibishi.

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi ka vendosur për hapjen e 297 vendvotimeve në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të këtij shteti.

Ndryshe, qëndrimi i administratës së Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve vendore mbetet se zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë do të jenë të paligjshme dhe shkelje e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.
XS
SM
MD
LG