Ndërlidhjet

Veprime urgjente përballë krizës në ushqim


Gjatë një takimi në Zvicër, liderët janë pajtuar që të formojnë një grup punues, në krye të të cilit është vënë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon. Në samit u është bërë thirrje vendeve që të mos e kufizojnë eksportin e ushqimit.


Çmimet gjithnjë e në rritje të ushqimit kanë shkaktuar shqetësime në muajt e fundit.

Megjithatë, kjo krizë tash ka marrë përmasa të tjera, me trazirat që kanë shpërthyer në vendet e varfra.

Samiti dyditësh, në Bern të Zvicrës, midis agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe Bankës Botërore, ka përfunduar me krijimin e një grupi punues, në krye të të cilit është vënë Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon, dhe në të cilin janë përfshirë edhe shefat e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Zoti Ban ka thënë se prioriteti i parë është që të ushqehen të uriturit, të cilët nuk kanë mundësi më të blejnë ushqim.
Ban Ki-Moon, nga takimi në Zvicër, 29 prill 2008.


Ai ka ftuar vendet donatore që t'i dhurojnë Programit Botëror për Ushqim edhe 755 milionë dollarë, për të përmbushur kërkesat që pasuan rritjen e çmimeve.

"Pa përmbushjen e këtyre kërkesave emergjente, rrezikojmë sërish të jemi në qendër të një urie përmasash të mëdha dhe trazirave sociale në një shkallë të pashembullt deri më tash", ka thënë Ban Ki Moon.

Në kuadër të masave të tjera që për synim kanë zbutjen e krizës, Banka Botërore ka konfirmuar se do të dyfishojë gjatë vitit të ardhshëm huadhënien deri në 800 milionë dollarë për bujqësinë në Afrikë.

Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellick, u ka bërë thirrje vendeve që të mos e ndalojnë eksportin e ushqimit, sikur që disa kanë bërë në përpjekje për të siguruar tregun për prodhimin vendor.

"Ftojmë të gjitha vendet që mos t’i përdorin ndalesat e eksportit. Masat e këtilla ngrenë edhe më shumë çmimet dhe dëmtojnë njerëzit më të varfër kudo në botë, të cilët për çdo ditë përballen me betejën e të ushqyerit", ka thënë zoti Zoellick.

Sipas tij, javët e ardhshme do të jenë kritike për të adresuar çështjen e krizës në ushqim.

Në të kundërtën, kriza e këtij viti rrezikon të shndërrohet "në një fakt jetësor".
XS
SM
MD
LG