Ndërlidhjet

Petrovci: Qeveria do ballafaqohet me revoltën e popullit


Enver Petrovci
Enver Petrovci

"Politikanët nuk do kenë drojë nga populli, derisa populli nuk çohet të përmbysë të gjitha korrupsionet e të padrejtat që po ndodhin me decenie", thotë aktori Enver Petrovci.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Petrovci, pas 17 shkurtit, statusi i Kosovës ka ndryshuar dhe Kosova tashmë është e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht nga rreth 40 shtete. A mendoni se ka filluar të ndryshojë edhe kultura politike dhe mënyra e qasjes së politikanëve kosovarë ndaj problemeve në Kosovë?

ENVER PETROVCI
Sigurisht se ka ndryshuar, por ndryshimi më i madh nuk është në praktikë, për arsye se nuk varet vetëm nga qasja, nga dëshira, por nga ajo që ekziston.

Çka ka ndryshuar më së tepërmi, është ndjenja se gjërat janë në duart tuaja dhe ti mund të vendosësh.

Kjo mendoj se është një ndjenjë gjithë popullore, një ndjenjë se gjërat i kemi ne dhe shkurt do të thosha - liri që të bëjmë atë që ne dëshirojmë e jo atë që kanë dëshiruar të tjerët.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, a ka ndonjë ndryshim nga vitet e kaluara, në aspektin e përgjegjësisë së politikanëve të zgjedhur ndaj popullatës? A prisni ndryshime dhe a ka shenja se mund të realizohen premtimet e dhëna gjatë fushatave parazgjedhore?

ENVER PETROVCI
Mendoj se ndryshime të mëdha nuk ka. Nuk pres ndonjë ndryshim të madh me këtë qeveri dhe me qeveritë që do të vijnë në të ardhmen.

Mendoj se ndryshim i madh do të ndodhë atëherë kur do të ngritët populli ta shprehë pakënaqësinë e vet.

Mendoj se politikanët nuk do të kenë drojë kurrë nga populli, derisa populli nuk çohet dhe të përmbysë, jo këtë qeveri, por të gjitha korrupsionet, të padrejtat që po ndodhin me decenie.

Ju e dini atë logjikë, njëherë largohet armiku i jashtëm, pastaj armiku i brendshëm. Mjerisht kjo dukuri do të ndodhë edhe tek ne.

Unë atë e pres ose eventualisht populli nuk do të çohet në këmbë vetëm nëse investohet shumë shpejt para e madhe në ekonominë e Kosovës, në punësimin e njerëzve dhe në të gjitha sferat tjera.

Ky është popull shumë i mençur, popull që di të durojë, popull që di të dëgjojë, por mendoj se ka ardhur koha e fundit që s'jam i bindur se populli do të dëgjojë më, por kërkon punë, rregull e drejtësi.

E këtë, politikanët nuk do ta kuptojnë derisa të ndodhin ngjarje të mëdha.

RADIO EVROPA E LIRË
Në zgjedhjet e fundit në Kosovë, ndryshe nga ato paraprake, një numër i njerëzve të artit është kyçur në politikë. Një prej tyre keni qenë edhe ju. A mendoni se njerëzit e artit mund të sjellin ndryshime në politikë, por edhe përgjithësisht?

ENVER PETROVCI
Po, është e njohur në historinë e artistëve që kanë ndryshuar botën, jo vetëm në art, por edhe në politikë.

Unë, personalisht, jam kyçur me ftesën e Partisë Ora.

Ne, artistët, gjithmonë flasim mes vete, duke thënë se nuk dua të merrem me politikë, artisti nuk duhet të merret me politikë.

Një prej tyre jam edhe unë që nuk duhet të merrem me politikë. Por, kolegët me të cilët kam biseduar, më kanë thënë se duhet të kyçesh, duhet të hysh e të na nxjerrësh nga kjo situatë, aq sa ata kanë menduar se unë mundem.

Kjo ka qenë ambicia pse kam hyrë në politikë, në mënyrë të pasuksesshme, siç e dini, por nuk prish punë që edhe të tjerët të kyçen, por me një kusht - unë mendoj që kur artisti kyçet në politikë, nuk duhet të merret më me art.

Kjo ka qenë qasja ime dhe vërtet nuk do të isha marrë me art. A ka ndodhur më mirë kështu siç është apo siç do bëhej, nuk e di, por kjo është e vërteta.

RADIO EVROPA E LIRË
Viteve të fundit, jo rrallë, pjesëtarë të komunitetit të artistëve kanë thënë se më së miri do të ishte që Ministrinë e Kulturës ta drejtojë një pjesëtar i këtij komuniteti. Një gjë e tillë po ndodh tash, me ardhjen e Valton Beqirit në krye të kësaj ministrie. A prisni ndryshime në fushën e kulturës si dhe në politikat kulturore?

ENVER PETROVCI
Po, unë jam gëzuar që ka ardhur njeriu i kulturës. Unë mendoj se ai i njeh të gjitha rrethanat, për dallim prej të tjerëve, rrethanat se në çfarë gjendjeje është kultura në përgjithësi në Kosovë.

Mendoj se Valton Beqiri është njeri i informuar, është edhe njeri i biznesit, që di t'i organizojë gjërat.

Mendoj se është zgjedhje e mirë, por si do t'ia bëjë, nuk do varet shumë prej tij, do varet prej buxhetit.

Valtonit do t'i propozoja se nuk ka kuptim të jetë në atë vend, nëse do t'ia dedikojnë buxhetin e vogël, për arsye se do të ketë shumë probleme me njerëz.

Por, megjithatë, mendoj se Valtoni do të bëjë çmos që niveli i kulturës të bëhet më i mirëfilltë se ç'ka qenë më herët.

RADIO EVROPA E LIRË
Një kohë të gjatë, ju keni punuar si artist në Beograd. Sipas jush, a mund të komunikojnë në mes vete dy komunitetet e artistëve, të Kosovës dhe Serbisë, dhe kur prisni një përmirësim të marrëdhënieve të përgjithshme në mes të këtyre dy shteteve?

ENVER PETROVCI
Jo vetëm artistët, por edhe sportistët, mendoj se janë dy elemente kryesore që pas gjaqeve, duhet të hyjnë të parët në marrëdhënie të mira, në marrëdhënie pozitive.

Arti, përndryshe, ka edhe këtë detyrë, që të pajtojë, të përmirësojë gjendjen etj.

Mendoj se shumë lehtë artistët do të merreshin vesh në mes vete nëse pak politika do t'i kishte ndihmuar, do t'u kishte dhënë krah.

Mendoj se edhe artistët nga Serbia, edhe ata nga Kosova, do të kishin hyrë shumë shpejt në kontakt të mirësjelljes dhe të punës, por për këtë moment, mendoj se nuk do të bëhet kjo punë derisa statusi i Kosovës do të jetë në pikëpyetje nga ana e Qeverisë së Serbisë.

Mendoj se me pranimin e realitetit, shumë shpejt, jo vetëm artistët, por edhe sportistët, edhe biznesmenët, do të hynin në marrëdhënie pozitive mes dy shteteve.

RADIO EVROPA E LIRË

Kur prisni se mund të ndodhë kjo?

ENVER PETROVCI
Unë, me sa di, me sa njoh qytetarë të Beogradit, jo të Serbisë, por të Beogradit, shumica e tyre janë që Kosova të jetë e pavarur. Po flas nga mendimi i popullit.

Arsyet janë të mëdha dhe shumë konkrete, për arsye se nëse e pranojmë njëri-tjetrin, atëherë shumë lehtë do të komunikojmë dhe do të hyjmë në Evropë.

Kur hyhet në Evropë, kufijtë nuk janë më të rëndësishëm aspak, por është me rëndësi jetesa dhe marrëdhëniet e mira.

Mendoj se kjo do të varet shumë edhe nga Evropa. Kur ne si të tillë, së bashku apo një nga një, do të hyjmë në Bashkimin Evropian, atëherë do të çlirohet tensioni mes dy popujve, sidomos tensioni të cilin ia kanë imponuar me decenie politikanët serbë popullit serb, për shkak të votave.

Mendoj se në momentin kur do të hyjmë në BE, atëherë do të funksionojë çdo gjë shumë më shpejt dhe në të mirë të të dy popujve.
XS
SM
MD
LG