Ndërlidhjet

WSJ: "BE nxit votuesit serbë të mbështesin Perëndimin"



"Wall Sreet Journal"

Pak ditë para zgjedhjeve në Serbi, të cilat mund t'i fitojnë nacionalistët radikalë, rreth 17 vende anëtare të Bashkimit Evropian kanë ofruar të heqin dorë nga çmimet e shtrenjta të vizave për qytetarët serbë – një përpjekje indirekte për të bindur votuesit serbë që të zgjedhin të ardhmen me Perëndimin.

Ky gjest i vendeve të Bashkimit Evropian është përpjekja e fundit në kuadër të synimeve për të sforcuar gjasat e partive pro-perëndimore në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Serbi.

Javën e kaluar, Bashkimi Evropian ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Serbinë, që shënon edhe hapin e parë në procesin e gjatë për anëtarësim në bllokun 27 anëtarësh.

Analistët dhe zyrtarë të lartë evropianë i shohin zgjedhjet e së dielës, të cilat u shpallën pas pavarësisë së Kosovës, si votimet më të rëndësishme në Serbi që prej rrënimit të pushtetit të Slobodan Milosheviqit në vitin 2000.

Sondazhet e fundit flasin për një fitore të ngushtë të Partisë ultra-nacionaliste Radikale të Serbisë, e cila mund të formojë një koalicion qeverisës me partitë tjera nacionaliste.

Bratislav Grubaciq, analist nga Beogradi, thotë se veprimet konkrete sikur që janë vizat pa pagesë për qytetarët serbë, të cilët duan të udhëtojnë në Bashkimin Evropian, kanë një ndikim të vërtetë mbi popullatën, por, ai thotë se "këto veprime nuk do të përcaktojnë zgjedhjet".

Ditëve të fundit, fushata parazgjedhore është acaruar edhe më shumë. Liderët nacionalistë kanë thënë se ata që nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit kanë hequr dorë nga Kosova.

Shumica e serbëve e konsiderojnë ende Kosovën si folenë e tyre kombëtare dhe fetare dhe të gjitha partitë e mëdha politike në Serbi janë shprehur kundër pavarësisë së Kosovës.

Në këtë kuadër, edhe Bashkimi Evropian ka mjaft për të humbur.

Luftërat jugosllave të viteve të 90-ta shihen si dështime strategjike për bllokun evropian.

Si kundërpërgjigje, ky bllok ka nisur përpjekjet e para për të ndërtuar një politikë të jashtme të përbashkët dhe për të zhvilluar një strategji, që për synim ka tërheqjen e ish-vendeve jugosllave në Bashkimin Evropian, për të pamundësuar kësisoj nxitjen e sërishme të një lufte nga pasionet nacionaliste në Ballkan.

Megjithatë, nga të dhënat e fundit të sondazheve, Partia Radikale e Tomislav Nikoliqit do të fitojë 36 për qind të votave, kurse Partia Demokratike e Boris Tadiqit dhe e partnerëve aleatë 35 për qind.
XS
SM
MD
LG