Ndërlidhjet

Ish-BS: Martesa me ruse, mundësi karriere


Zonjat e para të Azerbajxhanit dhe Rusisë
Zonjat e para të Azerbajxhanit dhe Rusisë

Motivet pas martesave me gra ruse në ish-republikat sovjetike lidhen me përpjekjet për të ngjitur shkallët e karrierës. Moska e ka mbështetur këtë politikë. Në ish-republikat sovjetike, Ukrainë dhe Gjeorgji, vende me orientim pro-perëndimor, zonjat e para janë amerikane dhe holandeze. Nuk mund të thuhet ende me siguri a është rastësi.

Spekullimet e fundit në media rreth marrëdhënieve jashtëmartesore të presidentit rus Vladimir Putin dhe divorcit të mundshëm të tij pas largimit nga posti i presidentit ka hapur një tjetër debat. Atë të rolit të zonjave të para në hapësirën e ish Bashkimit Sovjetik.

Analistët dhe historianët theksojnë faktin se ndonëse qëndrojnë në hije gratë e presidentëve në ish republikat sovjetike kanë luajtur rol kyç në karrierat politike të bashkëshortëve. Kjo bëhet edhe më e vërtetë nëse gratë e presidentëve të vendeve të dala nga Bashkimi Sovjetik janë ruse. Kjo i ka ndihmuar bashkëshortët e tyre për raporte të mira me Moskën.

Uzbekistani, vend i Azisë Qëndrore i dalë nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, ka pasur një president që nga pavarësimi, gratë e të cilit kanë qenë të gjitha ruse.
E njëjta gjë vlen dhe për politikanë të niveleve më të ulëta. Martesa me ruse është parë si mundësi karriere.
Edhe Moska e ka parë me sy të mirë një gjë të tillë.

Abdullah Ogli, analist i pavarur në Uzbekistan thotë se "motivet pas martesave me gra ruse lidhen me përpjekjet për të ngjitur shkallët e karrierës. Nëse hedh vështrimin në kohë, e sheh se zyrtarët e emëruar nga Moska kanë pasur gra ruse. Përveç kësaj Moska është përpjekur që dhe udhëheqësit e ish republikave sovjetike të ishin etnikisht të përzier".

Tradita për tu martuar me gra ruse nuk u zbeh edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, por aktualisht nuk shihet si kusht i domosdoshëm për karrierë.

Sa i takon politikës, presidentëve dhe bashkëshorteve të tyre në ish republikat sovjetike le t'i hedhim një sy Ukrainës dhe Gjeorgjisë.
Në të dyja vendet gjatë viteve të fundit kemi pasur revolucionet e portokallta dhe të purpurta, të cilat çuan në vendosjen e pushteteve pro perëndimore.

Bashkëshortja e presidentit ukrainas, Viktor Jushçenko është amerikane, kurse Zonja e Parë e Gjeorgjisë është hollandeze.
Ende nuk dihet nëse zgjedhja e bashkëshorteve nga Jushçenko dhe Saakashvili ishte rastësi apo zgjedhje e menduar.

XS
SM
MD
LG