Ndërlidhjet

Situata e sigurisë e qetë


Paqeruajtësit e KFOR-it në Kosovë
Paqeruajtësit e KFOR-it në Kosovë

Në Kosovë, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe lokale serbe, situata e sigurisë vlerësohet të jetë e qetë dhe nën kontroll. Përfaqësuesit e KFOR-it dhe të SHPK-së konsiderojnë se nuk ka nevojë për rritjen e forcave të sigurisë.


Veton Elshani, zëdhënës në Shërbimin Policor të Kosovës, thotë se dita e nesërme do të jetë një ditë e zakonshme pune.

"Shërbimi policor nuk është i involvuar në zgjedhjet e Serbisë. Sidoqoftë, ne e dimë që ato do të mbahen në Kosovë dhe do të kemi një kujdes të shtuar, mirëpo gjithënjë në kryerje të detyrës që e kemi për ruajtje të rendit dhe qetësisë publike. Nuk jemi të angazhuar në çfarëdo forme në ruajtjen e vendvotimeve apo diçka të tillë", tha Elshani.

Zoti Elshani ka shtuar se nga analizat, të cilat janë bërë nga njësitet e ndryshme të policisë së UNMIK-ut dhe të SHPK-së, thuhet se nuk ka ndonjë indikacion për përkeqësim të situatës.

Megjithatë, ai pohon se autoritetet e rendit janë në gjendje gatishmërie për çfarëdo situate.

"Nuk do të thotë se ne kemi indikacione se do të ndodhë diçka e tillë. Deri tani nuk kemi pasur indikacione të tilla. Sidoqoftë SHPK-ja është e përgatitur për çfarëdo situate dhe nëse ka nevojë që të reagohet, atëherë një reagim i tillë do të bëhet nga ana jonë", tha Elshani.

Edhe zëdhënësi i KFOR-it, Jan Luc Kotard, thotë se situata e sigurisë në gjithë Kosovën është e qetë dhe stabile.

Ai thotë se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe nuk nënkupton shtim të numrit të forcave të sigurisë.

"Për ne situata e sigurisë është e qetë. Ne po bëjmë punën tonë si edhe çdo ditë tjetër. E kjo do të bëhet edhe nesër", tha Kotard.

Kurse Besim Hoti, zëdhënës i policisë për rajonin e Mitrovicës, thotë se autoritet e rendit që veprojnë në veri te Kosovë, do të bëjnë vëzhgimin e situatës.

"Sa i përket zgjedhjeve, të cilat do të mbahen nesër, kryesisht në veri të Mitrovicës, ne nuk presim asgjë spektakulare të ndodhë në veri, marrë parasysh faktin që policia, SHPK-ja dhe UNMIK-u, nuk do të kenë ndonjë rol aktiv në këtë proces. E tëra çka ne do të bëjmë, është që me një profil të ultë policor, të monitorojmë situatën në përgjithësi dhe t’i kryejmë detyrat e rregullta, të parapara në ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike”, u shpreh Hoti.

Sidoqoftë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, zgjedhjet serbe që do të mbahen nesër në Kosovë, i kanë cilësuar si jolegjitime dhe të papapranueshme.

Por, megjithatë, udhëheqës të administratës së Kombeve të Bashkuara kanë thënë se nuk do t'i pengojnë me forcë ato.
XS
SM
MD
LG