Ndërlidhjet

Çfarë do të ndodhë me policinë e UNMIK-ut?


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë
Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Ende nuk dihet se çka do të ndodhë me policinë e UNMIK-ut pas përfundimit të transferimit të kompetencave nga autoritetet ndërkombëtare tek vendorët.


Përfaqësuesit e administratës ndërkombëtare në Kosovë nuk duan të flasin se çfarë në fakt do të ndodhë me policinë e UNMIK-ut, duke u arsyetuar me atë se ende nuk dihet se cili do të jetë roli i këtij misioni pas 15 qershorit.

Edhe Veton Elshani, nga zyra për informim e Shërbimit Policor të Kosovës, thotë se kjo është çështje politike dhe, sipas tij, cilido mision që do të jetë në Kosovë, SHPK-ja do të bashkëpunojë ngushtë me të.

"Shërbimi Policor i Kosovës konsideron se ajo është çështje politike, që do të vendoset nga politikanët se çka do të bëhet me policinë e UNMIK-ut apo të EULEX-it. SHPK-ja, deri më tash, ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me policinë e UNMIK-ut. Me siguri që do të këtë edhe në të ardhmen edhe me policinë e EULEX-it, apo në vazhdimësi me policinë e UNMIK-ut derisa të zëvendësohet", tha Veton Elshani.

Ai konsideron se SHPK-ja është e gatshme për transferim të kompetencave, duke përjashtuar çështjet e rënda, që, sipas tij, vazhdojnë t'i takojnë policisë ndërkombëtare.

"Ne jemi të gatshëm për transferim. Mbi 85% e kompetencave tashmë kanë kaluar nga policia e UNMIK-ut te SHPK-ja dhe jemi të gatshëm të përballemi me sfidat e reja. Për ne është sfidë si UNMIK-u, si EULEX-i. Për ne paraqet një bashkëpunim të mirë edhe policia e UNMIK-ut, edhe policia e BE-së. Kështu që mbetet të shohim se çka do të ndodhë tash e tutje”, u shpreh Elshani

Nga ana tjetër, eksperti për siguri, Nuredin Ibishi, konsideron se policia e UNMIK-ut, pas kalimit të kompetencave tek autoritetet vendore, duhet të largohet nga Kosova, pasi që, sipas tij, nuk është e mundur të ketë dualizëm misionesh ndërkombëtare në Kosovë.

“Mendoj se duhet të largohet. Përfundimisht duhet të largohet. Jam i mendimit se për policinë e re në kuadër të EULEX-it, duhet të ridefinohet çështja e saj, për arsye se në pjesën veriore, sidomos, duhet të ketë edhe disa kompetenca ekzekutive, jo sikur që janë përshkruar me planin e Ahtisaarit, sepse atje ka probleme të theksuara që në një formë duhet të ketë edhe anë ekzekutive policia e EULEX-it", tha Ibishi.

Zoti Ibishi thotë se sektori i policisë së EULEX-it, përveç qytetit të Mitrovicës ku parasheh që problemet do të vazhdojnë, në pjesët tjera të Kosovës, punën e SHPK-së duhet vetëm ta vëzhgojë.

“Policia në përgjithësi do të kalojë në monitorim. Por, sido që të jetë, mendoj se në pjesën veriore duhet të jetë jo polica e UNMIK-ut, por policia e EULEX-it. Dhe, tjetra është se në pjesën veriore do të këtë probleme edhe më tej dhe mendoj se kjo do të duhej të ridefinohej si çështje", tha Ibishi.

Ekspertët e sigurisë thonë se nëse në Kosovë do të vazhdojë të qëndrojë policia e UNMIK-ut, do të jetë shumë e vështirë mënyra e funksionimit të dy misioneve sa i përket sigurisë dhe përgjegjësive tjera.
XS
SM
MD
LG