Ndërlidhjet

Moore: Kosova rrezikon reprizën e Berlinit të viteve të '70-a


Patrick Moore
Patrick Moore

"Në vitet e 70-a burokratët kishin gjetur një formulë politike për Berlinin, që interpretohej ashtu siç u pëlqente palëve. Nëse Qeverinë serbe e formojnë radikalët e Koshtunica, në një të ardhme të afërt në Kosovë mund të kemi një zgjidhje burokratike të ngjashme me atë të Berlinit të viteve të 70-a", thotë analisti i radios Evropa e Lirë, Patrick Moore.


RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë, Rusia e ka cilësuar vendosjen e misionit EULEX në Kosovë si "ilegal". Përse Moska kundërshton EULEX-in?

PATRICK MOORE
Kjo nuk është diç e re dhe reflekton qëndrimin e Rusisë një kohë më të gjatë, që pohon se pavarësia e Kosovës është jolegale.

Për faktin që EULEX-i ishte miratuar pa pëlqimin e Këshillit të Sigurimit, Rusia pohon se ai nuk ka bazë ligjore. Ky është qëndrimi zyrtar.

Por, shkakun e vërtetë të këtij reagimi të Rusisë duhet kërkuar te tentimi i Rusisë që përmes Kosovës të sigurojë avantazhe tjera, duke bërë obstruksione dhe duke tentuar të përçajë vendet perëndimore rreth çështjeve të Ballkanit.

Ky është një truk i vjetër sovjetik, duke synuar përfitime përmes krijimit të amullisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia, Kina dhe India kanë kërkuar fillim të raundit të ri të bisedimeve për statusin e Kosovës. Duke pasur këtë parasysh, a ka rrezik që Kosova të shndërrohet në një "konflikt të ngrirë"?

PATRICK MOORE
Edhe ky qëndrim i Rusisë nuk është i ri. Rusia ka ftuar për bisedime edhe në çastin kur Kosova kishte shpallur pavarësinë. Dhe, nuk është befasi që tash merr mbështetje të Kinës dhe Indisë.

Rusia dëshiron të tregojë se e ka ndërmend të vazhdojë me politikën obstruksioniste në Ballkan. Por, cilat janë konfliktet e ngrira? Ato përfshijnë dy rajone në Gjeorgji dhe një në Moldavi dhe Karabkun, si kontest ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Rrjedhimisht, "konfliktet e ngrira" nuk kanë të bëjnë me Kosovën. Dallimi ndërmjet këtyre konflikteve dhe Kosovës është se ato janë afër kufijve të Rusisë dhe në territoret e ish-Bashkimit Sovjetik. Rrjedhimisht, Moska është në pozitë që ndikimi i saj atje të hetohet.

Në rastin e Kosovës kemi diç krejt tjetër. Kemi të bëjmë me territor të rrethuar me vendet që dëshirojnë t'i bashkohen Bashkimit Evropian.

BE-ja dhe NATO-ja janë shumë afër Kosovës dhe në aspektin strategjik kjo bën një dallim të madh ndërmjet Kosovës dhe katër konflikteve të ngrira nga ish-Bashkimi Sovjetik.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë ka konfuzion rreth fushave që do të mbikëqyren nga Kombet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian. Kush është përgjegjës për këtë konfuzion dhe si të tejkalohet kjo situatë?

PATRICK MOORE
Në muajin shkurt është supozuar se deri më 15 qershor, kur fuqizohet Kushtetuta e Kosovës, UNMIK-u do të largohet për t'i lëshuar vendin EULEX-it. Është pritur që transferimi të bëhet pa dhembje. Por, dy gjëra kanë ndryshuar.

Së pari, duket se Kombeve të Bashkuara nuk u ngutet të bëjnë transferimin dhe kjo për faktin se UNMIK-u supozon se serbët do të bashkëpunojnë me të dhe jo me EULEX-in.

Kjo edhe për faktin se Ban Ki Moon dëshiron edhe një mandat tjetër dhe për këtë i duhet edhe mbështetja e Rusisë. Ky është çmimi që ai e paguan për të siguruar mbështetjen e Rusisë.

Ndryshimi tjetër ka të bëjë me synimin e EULEX-it për të mos u ngutur me hyrjen në Kosovë, sepse i frikësohet konfliktit me serbët. Serbët tashmë kanë treguar se janë të gatshëm të përdorin dhunën nëse duan.

Më herët supozohej se EULEX-i do të duhej të vendosej në Kosovë deri në verë, por tash gazeta gjermane "Frankfurter Algemeine Zeitung" shkruan se data më realiste dhe më e hershme është shtatori.

Personalisht, nuk jem i sigurt nëse ndonjëherë do të kemi qartësim të roleve të UNMIK-ut dhe EULEX-it.

Burokratët do të gjejnë ndonjë formulë politike të hapur, për t'u interpretuar sipas qejfit të shqiptarëve ose serbëve. Kështu ishte rregulluar çështja e Berlinit në vitet e 70-ta. Secila palë interpretonte situatën siç i pëlqente dhe injoronte pozicionin e palës tjetër.

Kjo formulë në Berlin funksiononte, sepse të dyja palët dëshironin situatë të qetë dhe jo eskalim të zhvillimeve drejt luftës.

Pyetja shtrohet se në cilat rrethana, një formulë e tillë mund të zbatohet në Kosovë?

Nëse qeverinë serbe do ta formojnë radikalët dhe Koshtunica, atje mund të shohim trazira politike. Dhe, në këtë rast, në një të ardhme të afërt mund të kemi zgjidhjen burokratike si ajo e Berlinit të viteve të '70-a!
XS
SM
MD
LG